Njerez

Piceria e një shqiptari ndër më të mirat në Amerikë

Kompania amerikane Yelp që publikon të dhëna për vende të ndryshme të bazuara tek komentet e njerëzve ka renditur 21 vendet më të mira për të ngrënë në Connecticut dhe pjesë është edhe “Zeneli Pizzeria & Cucina Napoletana” që drejtohet nga një shqiptar.

Restoranti Jayd Bun është në vend të parë dhe njihet për simitet me brumë të butë, petullat me qepë dhe erëza si dhe qull orizi me xhenxhefil.

Në vend të dytë është Zeneli Pizzeria & Cucina Napoletana që ndodhet në New Haven.

Pronari Gazmir Zeneli shërben picat e famshme të stilit napolitan të gatuara në dru, me një kore delikate, të lyer lehtë me salcë të freskët dhe mocarela të bërë në shtëpi.

Gazmir Zeneli lindi dhe u rrit në Shqipëri si më i vogli nga 4 vëllezërit. Disa nga kujtimet e tij më të hershme si fëmijë janë qëndrimi në kuzhinë ku nëna e tij bënte bukë në një furrë me dru. Kur ishte shumë i ri, familja e tij u transferua në Caserta, një qytet i vogël jashtë Napolit.

Në Caserta, Gazmiri e ndoqi pasionin e tij për ushqimin duke u trajnuar si kuzhinier ndërsa shkonte në shkollë dhe duke punuar në disa nga restorantet më ikonike në qytet. Pikërisht përmes këtyre përvojave ai zbuloi pasionin e tij të vërtetë për picën dhe filloi të stërvitet për t’u bërë një picajol profesionist. Në vitin 2008, ai e mori këtë pasion me vete në Nju Jork, ku punoi në disa piceri në Brooklyn dhe Manhattan përpara se të bëhej zyrtarisht pjesë e Rossopomodoro në vitin 2011.

Gazmir beson se sekreti për picën perfekte është përdorimi i përbërësve të shkëlqyer dhe respektimin e traditës. Kjo, së bashku me vitet e tij të përvojës si picajol profesionist dhe trajnimin e tij në Rossopomodoro, e bënë atë të fitojë Konkursin e Picave në SHBA për picën më të mirë të stilit napolitan, në janar të 2015. Picerinë Zeneli e hapi në vitin 2019.

Edhe pse i pëlqen pica dhe do të kalonte gjithë ditët dhe netët duke e bërë atë, pjata e tij e preferuar janë spageti me domate të freskëta.

Ai tregon se në New Haven njihet sepse në picerinë e tij ka gjëra që mund të gjenden vetëm në Napoli dhe thjeshtësia është shenjë dalluese e kuzhinës napolitane kështu që në picerinë e tij ka edhe pjata me makarona si spageti pomodoro të mbushura me salcë domate, borzilok dhe vaj ulliri ekstra të virgjër.

Njerëzit thonë se ka diçka në lidhje me vëllezërit Zeneli që e bën picën napolitane të parezistueshme. Është një ndjesi sikur je ulur në Itali dhe e di se përbërësit janë të gjithë të freskët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë