Nis nesër edicioni i 10-të i Pianodrom, festivali i kthyer në pol të rëndësishëm të kulturës dhe kompozicionit bashkëkohor shqiptar.
Në 10 vjet aktivitet, Pianodromi numëron rreth 127 produksione dhe shumë masterclass-e, duke u transformuar nga një shoqatë modeste, në një institucion të muzikës simfonike shqiptare. Artdashësit e kanë ndjekur rrugëtimin e Pianodrom me përkushtim dhe interesi i tyre ka sjellë nxitje më shumë për të vijuar e sjellë koncerte e vepra të reja.
Vit pas viti, Pianodrom u kthye në polin e ideve të reja, i eksplorimeve të reja në muzikën shqiptare. Vetë kompozitori i njohur Aleksandër Peçi, Pianodrom vjen si shtyllë e gjuhës shqipe me tinguj, pol i promovimit të talenteve të reja.
Pianodrom e ka provuar veten si polin kryesor ku muzika dhe autorët shqiptarë kanë gjetur vendin e merituar.
Veprat e Pianodrom janë interpretuar me shumë sukses në: Carnegie Holl New York, Miami, Teksas, Romë, Trieste, Paris, Moskë (Konservatori Tchaikovsky), Montreal, Gjermani, Prishtinë etj.
Në edicionin e 10-të, do të mund të ndjekim 14 autorë shqiptarë dhe 14 nga bota, të cilët do të interpretojnë 30 vepra shqiptarë dhe 21 nga bota, me pjesëmarrjen e artistëve dinjtozë e me reputacion ndërkombëtar si Elvin Hoxha Ganiyev, i cili perfomon në Berlin, Rejsi Prosi e cila performon në Graz, AMAI kuartet nga Vjena, Kosti Deti nga Vjena, Klejda Tare, dhe yje të tjerë të interpretimit nga Profesorati i Universitetit të Arteve.
Interesant është fakti se kompozitori Aleksandër Peçi ka kompozuar një sonatë, enkas për virtuozin Ganiyev, të cilit ia ka dedikuar me rastin e datëlindjes së 25-të, që përkon me kohën e festivalit Pianodrom.
Ndërsa të dielën e 27 nëntorit, Pianodrom vjen në TKOB me 3 miniatura të Çesk Zadesë, sonata të Shopenit e Shubertit, variacionet e Mendelsonit dhe vepra të kompozitorit Peçi,i Sonata 3 “Skënderbeu” koha e dytë Liriada dhe koha e tretë Dasma dhe Bartok Valle Rumune.
Kompozitori është autori më i ekzekutuar jashtë Shqipërisë në këto 30 vite, me çmime të shumta. Si themelues i “Pianodrom” me 106 produksione për 9 vjet dhe një nga themeluesit e shoqatës “New Music”, është promotor i zhvillimeve moderne në kompozicionin shqiptar. Si profesor ka nxjerrë nga emrat më të rëndësishëm në brezin e ri të kompozitorëve. (ATA)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



