Shendet

Pfizer identifikon doza të rreme në Poloni dhe Meksikë; Janë shtuar mashtrimet me vaksinat

Në Meksikë, rreth 80 njerëz morën doza të rreme dhe në Poloni autoritetet konstatuan se një pjesë e konsiderueshme e vaksinave të përdorura në popullatë, nuk përmbanin vaksinën, por një trajtim kundër rrudhave.
Dozat e identifikuar nga autoritetet u testuan nga kompania dhe u konfirmuan që përmbajnë vaksina false.
“Shishet e rikuperuara në Meksikë gjithashtu kishin një etiketë false ndërsa një substancë brenda shisheve në Poloni ka të ngjarë të ishte një trajtim kundër rrudhave, tha Pfizer.
Rreth 80 njerëz në një klinikë në Meksikë morën një vaksinë të rreme duke paguar rreth 1000 dollarë një dozë, megjithëse nuk kanë pasur efekte anësore.
“Dozat e rreme kishin një numër të ndryshëm nga ato që dërgoheshin në këto shtete dhe një datë të gabuar skadimi”,tha Manuel de la O Cavazos, eksperti shëndetësor për qeverinë e Meksikës.
Autoritetet polake thanë se askush atje nuk kishte marrë vaksinën e falsifikuar, dozat e së cilës u gjetën në banesën e një burri. Përhapja globale e dozave u ka siguruar kriminelëve një mundësi të re për të përfituar nga njerëz që kërkojnë vaksinën me ngulm.


“Të gjithë në planet kanë nevojë për të dhe shumë nguten ta marrin sa më parë. Ne kemi një furnizim të kufizuar dhe kjo është një mundësi e përsosur për kriminelët,” tha Lev Kubiak, shefi i sigurisë në kompaninë Pfizer.
SHBA, Meksika dhe vende të tjera kanë kapur dhjetëra faqe në internet që pretendonin se shisnin vaksina të Covid-19 si Pfizer dhe Moderna.
“Uebsajtet e një kompanie të rreme duken sikur kërkonin informacione personale të konsumatorëve për t’u përdorur në skemat e mashtrimit të identitetit”,thonë zyrtarë të qeverisë dhe industrisë.

Policia në Kinë dhe Afrikën e Jugut muajin e kaluar kapi mijëra doza të vaksinave të falsifikuara Covid-19 në depot dhe fabrikat e prodhimit, duke arrestuar dhjetëra njerëz, sipas agjencisë ndërkombëtare të policisë Interpol. Meksika gjithashtu po heton një dërgesë me rreth 6,000 doza të vaksinës Sputnik të cilat u kapën nga një aeroplan privat që drejtohej për në Honduras në Mars.


Fondi i Investimeve Direkte të Rusisë, i cili drejton përpjekjet për të tregtuar vaksinën ndërkombëtarisht, tha se një analizë e dozave të sekuestruara “tregon që ato janë të rreme”. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm meksikan tha se po hetonte çështjen dhe nuk pranoi të komentonte më tej. Autoritetet nuk kanë përcaktuar nëse vaksinat janë origjinale.
Për muaj me radhë, agjentët nga Qendra Kombëtare e Koordinimit të të Drejtave të Pronës Intelektuale, një krah hetimor i Departamentit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, kanë hetuar mashtrimin në lidhje me pandeminë Covid-19 globalisht, duke nisur nga maskat e rralla me vlerë 48 milion dollarë, pajisje mbrojtëse personale dhe produktet të tjera. Tashmë hetuesit zhvendosën fokusin e tyre për të përfshirë vaksinat Covid-19, duke filluar me mashtrime në internet. Ata kanë sekuestruar 30 faqe dhe 74 domene në internet.
“Falsifikimi i barnave me recetë kohët e fundit është kthyer në një biznes tepër fitimprurës”, thonë zyrtarë të industrisë dhe sigurisë.
Prodhuesit e mëdhenj të ilaçeve si Pfizer punësojnë ekipe sigurie të përbërë nga ish-zyrtarë të zbatimit të ligjit që ndihmojnë në trajnimin e agjencive qeveritare dhe hetojnë në lidhje me ilaçet e rekomanduara të falsifikuara. Pfizer në vitet e fundit ka punuar me zbatimin e ligjit për të gjetur shitësit e dozave të rreme të Viagras dhe Xanax.
Pfizer, i cili po punon me zyrtarë shtetërorë të sigurisë në SHBA konfirmoi se vaksina ishte e rreme pasi përdori dritë speciale dhe analiza mikroskopike për të gjetur etiketën ngjitëse në shishkë që nuk ishte e njëjtë me atë të vaksinës. Ekspertët shpjegojnë se njerëzit tani për tani mashtrohen lehtësisht sepse janë të dëshpëruar të marrin vaksinën.
Burimi:The Wall Street Journal/Përshtati:Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë