Menaxhim

Pezullimi i fondeve nga BE, Zusi: Mund të çojë edhe në faliment bizneset që kanë marrë kredi

Nga Gazeta ‘Si’- Pezullimin e përkohshëm të fondeve të bujqësisë nga Bashkimi Europian pas hetimeve për korrupsion, ish zv.ministri i bujqësisë, Alban Zusi, e ka konsideruar si një fenomen shkatërrues dhe një rast unikal shqiptar.

Ai ka theksuar për Gazetasi.al se emergjenca e vërtetë e momentit është falimenti i eskportuesve dhe sipërmarrësve që do të jetë i pashmangshëm nëse kjo situatë zgjat deri në një vendim përfundimtar.

“Nëse kjo situatë vijon, do të jetë një kalvar i vërtetë për ata që kanë investuar sepse përveç kësaj pjese që presin të marrin nga IPARD, kanë edhe pjesën që kanë marrë nga banka që duhet ta paguajnë. Nëse nuk marrin këtë pjesë, shpeshherë bankat ua kanë kondicionuar disbursimin e kredisë ndërkohë që ato kanë bërë kontrata.

Dhe kjo mund ta çojë në faliment një biznes të kësaj natyre”, ka deklaruar Zusi i cili njëkohësisht është drejtues i Qendrës së Eskporteve Shqiptare.

Zusi mendon që nëse kjo situatë zgjat, sipërmarrësit rrezikohen nga falimenti

Sipas Zusit, kjo situatë mund të bëjë që të ketë një stepje dhe një lloj dyshimi te sipërmarrësit që do duan të aplikojnë për IPARD III.

“Zakonisht edhe pa ndodhur një situatë e tillë, njerëzit duhet të maten mirë kur aplikojnë për të marrë fonde nga IPARDI sepse ata nuk janë as subvencion dhe as tender. Është një proces me dhimbje koke sepse duhet të marrin dhe borxh në bankë, dhe nëse procesi nuk shkon mirë, kanë borxhin për të shlyer”, citon Zusi i cili megjithatë thekson që është shumë e rëndësishme që njerëzit të marrin përsipër këto fonde pasi vetëm kështu shkon përpara bujqësia.

Ndër mënyrat se si qeveria mund të zgjidhë këtë situatë, ai ka propozuar që të rikërkohet një agjenci tjetër për të bërë verifikimin e këtyre projekteve.

“Në kohën kur isha zv.ministër bujqësie, ishte një agjenci gjermane e financuar nga GIZ që bënte verifikimin e projekteve. Mund të rikërkohet një audit i tillë për t’u dhënë qetësi sipërmarrësve”, deklaron Zusi ndërsa shton se institucionet duhet të marrin të gjithë masat për të tejkaluar këtë situatë.

Nga ana tjetër, kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj thekson për Gazetasi.al se ky pezullim nuk ka ndikim te projektet që janë miratuar deri tani.

Rrapaj shpjegon se pezullimi i përkohshëm nuk ndikon projektet e miratuara deri tani

“Kjo për arsye sepse përpara se projekti të miratohet, garantohet projekti 100% nga banka. Çdo projekt i miratuar deri më sot me fondet e IPARD II, pavarësisht pezullimit, nuk ndërpritet për asnjë arsye për shkak se shoqëritë e sigurimit kanë garantuar vijimësinë e projektit.

Për momentin AZHBR është në punë totalisht sepse nuk i është hequr akreditimi. AZHBR  e ndalon veprimtarinë e vet në momentin kur i hiqet akreditimi”, citon ai për Gazetasi.al

Ndërkohë, Ilir Pilku, njohës i mirë i politikave dhe proceseve të fondeve europiane dhe njëkohësisht një nga tre ekspertët e certifikuar në Shqipëri nga Bashkimi Europian ka deklaruar se qeveria ka të drejtën e mos-pranimit dhe të justifikimit apo ofrimit të fakteve kundërshtuese. 

“Në rast se pas të gjithë shkëmbimeve që do ketë qeveria shqiptare me autoritetet përkatëse të BE, rezulton se ne kemi faj, atëherë qeveria jonë ka detyrim t’i kthejë të gjithë fondin total brukselit”, citoi ai.

Fondi i IPARD-III është aktualisht i bllokuar përkohësisht, për arsye të dyshimeve gjatë implementimit të IPARD-2, dhe si i tillë, masat e mbështetjes nuk janë ri-akredituar.  

Programi IPARD është mbështetja financiare për bujqësinë, që Bashkimi Europian ua dedikon vendeve në proces aderimi si ndihmë për të zhvilluar më tej sektorin bujqësor. IPARD është miratuar me vendim të Komisionit Europian më 20 korrik 2015.

Ishte Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë që sqaroi vendimin e marrë në kuadër të një hetimi që ka nisur Brukseli, pas akuzave për korrupsion me këto fonde në Shqipëri.

“Kur OLAF të dorëzojë raportin përfundimtar, Komisioni Evropian do të informojë autoritetet shqiptare dhe, bazuar në gjetjet e raportit, do të marrë çdo masë të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Europian”, sqaroi Delegacioni i Bashkimit Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë