Gazeta “SI”- Një nga kryeveprat më të rëndësishme të Gioachino Rossinit, Petite Messe Solennelle, do të prezantohet për herë të parë në Shqipëri si premierë absolute më 25 janar, ora 19:00, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në bashkëpunim me Ansamblin Popullor.. Ky shënon një moment të veçantë për repertorin vokal-simfonik të institucionit dhe për jetën muzikore në vend.
E kompozuar në vitin 1863, Petite Messe Solennelle i përket periudhës së vonë krijuese të Rossinit dhe përfaqëson një vepër me karakter të theksuar sakral, por me një gjuhë muzikore të qartë dhe të përmbajtur. Struktura e saj ndjek formën tradicionale të meshës katolike, ndërsa muzika ruan tipare të stilit të autorit, pa iu larguar natyrës liturgjike të veprës. Edhe pse titulli i referohet një “meshe të vogël”, vepra ka një shtrirje të gjerë dhe kërkon një angazhim të konsiderueshëm interpretues.
Në këtë premierë marrin pjesë solistë të njohur: soprano Svetlana Aksenova, mezosoprano Enkeleida Shkoza, tenor Klodjan Kaçani dhe bas Rubén Amoretti, të cilët do të interpretojnë partet solistike të veprës. Interpretimi mbështetet gjithashtu në një bashkëpunim të rëndësishëm mes Korit të Filarmonisë së Kosovës dhe Korit të TKOBAP-së, nën drejtimin e dirigjentëve të korit Hajrullah Syla dhe Dritan Lumshi.

Në aspektin orkestral, vepra do të interpretohet nga Orkestra Simfonike e TKOBAP-së, nën drejtimin e maestros Facundo Agudin. Ky bashkëpunim mes solistëve, korit dhe orkestrës synon një lexim të qartë dhe të balancuar të veprës, duke respektuar karakterin e saj sakral dhe kërkesat stilistike të kompozitorit.
Kjo premierë absolute ofron për publikun shqiptar mundësinë për të njohur nga afër një vepër themelore të repertorit të shekullit të 19-të.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



