Katar 2022

Peticion me mbi 500 mijë firma në Argjentinë për të pushuar francezët së qari

Gazeta Si – Nuk ndalen polemikat mes Argjentinës dhe Francës pas finales së Botërorit të Katarit, me pretendime dhe akuza. Francezët madje kanë kërkuar përsëritjen e finales për shkak të gabimit në arbitrim, duke u kapur me golin e 3-të të Argjentinës, ku disa lojtarë të stolit të saj ishin në fushë para se Mesi të shënonte.

Në vendin amerikano-jugor ndërkohë po bëjnë një peticion online, që ka mbledhur tashmë më shumë se 500.000 firma. Në peticion i kërkohet “Francës të mos qajë më" pas humbjes në finale.

Argjentinasit duke festuar me Kupen e Botes. Gazeta Si, 25 dhjetor 2022

"Që kur kemi fituar, francezët nuk kanë pushuar së qari dhe së ankuari. Nuk e pranojnë që Argjentina të jetë kampione bote dhe që Mesi është më i mirë se Mbape", - janë fjalët e thëna për të përditshmen sportive 'Ole' nga ideatori i peticionit, Valentin Gomez. Peticioni ka bërë bujë në mediat argjentinase.

Në Francë pati shumë kritika për arbitrin polak të finales, Simon Marciniak. Përveç rasti të golit të dytë të Mesit, episod i kontestuar është edhe penalltia e Dembele ndaj Di Marias. Por ka edhe disa momente të tjera. Në këtë situatë vetë arbitri ka dalë në një konferencë shtypi, ku me anë të pamjeve ka mbrojtur punën e tij.

Francezët po ashtu kanë kritikuar sjelljen e disa prej lojtarëve të Argjentinës, sipas tyre aspak elegante, në festën e fitores. Ne veçanti janë kapur me portierin Emiliano Martinez. Presidenti i Federatës franceze, Noel Le Graet, i ka shkruar homologut të tij argjentinas, Klaudio Tapia, ku i ankohet për këtë lloj sjelljeje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë