Nga Ina Ahmetaj-Ai është fotograf, ndërsa ajo gazetare nga Rumania por prej 6 muajsh janë vendosur në Durrës. Pasioni për të zbuluar thesare në bregdetin e Adriatikut është arsyeja e qëndrimit të gjatë në Shqipëri, duke lënë gjithçka në vendin e tyre.
Kur i pyet se si nisi kjo aventurë, të buzëqeshur të tregojnë me një anglishte modeste se gjithçka nisi si hobi.
“Ishim vitin e kaluar me pushime këtu, u kënaqëm shumë. Ndenjëm deri vonë në tetor dhe aty vumë re se disa shqiptarë që kërkonin në breg. Aty mësuam se kërkonin për thesare në det, monedha, bizhuteri ari që mund t’u kishin rënë pushuesve gjatë sezonit veror.
Kështu filluam dhe ne të mendonim ta provonim”, tregon për gazetën “SI”, Diana Ramona Aron, ndërsa bashkëshorti i saj Konstantini është akoma në det duke gërmuar për thesare.

Gruaja e pjekur nga rrezet e diellit buzëqesh kur e pyet për përshtypjet mbi Shqipërinë. Ajo të tregon se ka lëvizur shumë nëpër Shqipëri gjatë verës, sidomos në jug. Por duket se sezoni më i mirë i “peshkimit” të thesareve është tetori.
“Tetori shënon dhe fundin e sezonit. Deti sjell në breg shumë gjëra, ujërat janë të kthjellët dhe mundësia për të gjetur thesare me vlerë është më e madhe. Ne filluam pak vonë, në një kohë kur të tjerë kishin nisur më herët detektimet”, thotë gruaja rumune.
Ajo thotë se ka parë shumë shqiptarë që kanë punuar dhe në dimër, ndonëse deti ka qenë i trazuar dhe ujërat jo të kthjellëta. Diana thotë se ata kanë qenë të pajisur me kostume që i mundësojnë të vijojnë punën dhe në temperatura të ulëta të ujit.
“Nga puna që bëmë gjatë verës, fituam ca para dhe me to blemë pajisje të shtrenjta që na duheshin për detektimin. Zakonisht punën e ndajmë, unë në tokë dhe Konstantini në det dhe nganjëherë bashkohemi bashkë duke kërkuar të dy në ujë. Nga fillimi i janarit dhe deri më tani nuk kemi gjetur asnjë gjë në det. Kemi shpresë për në verë sepse e dimë që bregdeti i Durrësit mbipopullohet në sezon”, thotë gruaja rumune.

Shumë prej vendasve në plazhin e Durrësit të tregojnë për persona që falë kësaj pune kanë krijuar të mira materiale, pa qenë nevoja të punojnë në zanat tjetër. Duket se peshkatarët e thesareve po nxjerrin më shumë fryte se ato të detit, dhe kjo falë mirëqënies së turistëve që pas kënaqësisë që u dhuron deti, “I falin” atij dhe dicka të çmueshme nga vetja. Dhe deti nuk I mban për vete.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



