Gazeta Si – SPAK ka dërguar për gjykim dosjen ndaj 5 të akuzuarve për vrasjen e Behar Sofisë më 25 shkurt 2021.
Të akuzuarit që dërgohen për gjykim në gjykatë janë: Leonard Xhixha, Bujar Leza, Skënder Vathi, Xhuljano Visha dhe Ernejt Shyti.
Ka qenë ky i fundit ai që ka pasur rolin e ekzekutorit direkt, duke treguar dhe mekanizmin e vrasjes.
Të pestë të pandehurit janë dërguar për gjykim me masë sigurimi ‘arrest në burg’.
Ata akuzohen për “vrasja me paramendim, mbajtja pa leje dhe prodhim i armëve shpërthyese” dhe “i municionit” të kryera në bashkëpunim të veçantë, me atë të grupit të strukturuar kriminal.
Ndërkohë, hetimet vazhdojnë në drejtim të sqarimit të plotë të rrethanave dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.
Sipas dosjes hetimore, paraditen e 25 shkurtit, sapo 66-vjeçari Behar Sofia ka zbritur nga banesa e tij, është mbajtur në vëzhgim nga Leonard Xhixha, i cili me celular ka lajmëruar Ernejt Shytin për t’u bërë gati për finalizimin e vrasjes.
Goditja është kryer në kohën kur Behar Sofia ka dalë në trotuarin ngjitur Lanës.
23-vjeçari e ka ndjekur nga mbrapa, duke e qëlluar me dy plumba, dhe më pas ka marrë rrugën poshtë urës së Lanës, aty ku një ditë më parë kishte lënë biçikletën, me të cilën u largua drejt kodrave të Liqenit, me destinacion final Terminalin e Autobusëve.
Gjatë largimit nga skena e krimit, autori ka hedhur kapelën, maskën si dhe një bluzë në afërsi të një koshi te mbeturinave.
Këto prova janë gjetur nga policia bashkë me telefonin ne xhepin e bluzës që kishte veshur autori ditën e krimit.
Autori i dyshuar i vrasjes së Sofisë, i identifikuar nga policia shqiptare, është kapur në Podgoricë, Mal të Zi, për t’u ekstraduar menjëherë drejt Shqipërisë.
Sipas hetimeve, Behar Sofia, i cili konsiderohet nga policia si “baron i drogës”, është vrarë për shkak të konflikteve të hershme për trafikun e heroinës nga Turqia në drejtim të Shqipërisë dhe më pas në vendet e BE.
Behar Sofia, edhe pse ishte tërhequr nga aktiviteti kriminal dhe mbante një profil të ulët publik, kishte hesape të pambyllura.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.