Personat që kanë kaluar Covid dhe ata të vaksinuar kanë një rrezik të shtuar për t’u prekur nga paraliza e Bellit, një formë paralize e pjesshme faciale, që në pjesën dërrmuese të rasteve të saj është e përkohshme dhe pa pasoja të rënda për shëndetin.
Sipas një studimi të publikuar në revistën “The Lancet Infectiuos Diseases” vaksina kineze CoronaVac, me të cilën janë vaksinuar pjesa më e madhe e shqiptarëve është me riskun më të lartë ndër llojet e vaksinave për të shkaktuar këtë formë paralize të fytyrës.
Por, studimi thotë se përfitimet e kësaj vaksine në krahasim me këtë efekt anësor të saj, përgjithësisht të përkohshëm janë shumë herë më të mëdha.
Studimi ka analizuar të dhënat klinike të 452 mijë personave të vaksinuar me dozën e parë të vaksinës CoronaVac. Nga këta, 28 persona u prekën nga paraliza e Bellit, ndërkohë që në një grup prej 537 mijë personash të vaksinuar me dozën e parë të Pfizer, 16 prej tyre u prekën nga e njëjta sëmundje.
“Gjetjet tona sugjerojnë një risk lehtë më të lartë për paralizën e Bellit pas vaksinimit me CoronaVac”, thotë studimi.
Studimi i kryer në Hong Kong ndoqi personat e vaksinuar me dozat e para deri në 42 ditë pas marrjes së kësaj doze. Studimi thotë se e ka të paqartë lidhjen mes vaksinimit dhe paralizës në fjalë dhe kërkon më tepër studime në këtë drejtim.
“Paraliza e Bellit është e rrallë pas vaksinimit dhe në shumicën dërrmuese të rasteve simptomat ishin të lehta ose mesatare dhe u larguan vetëm me kalimin e kohës”, tha përfaqësuesi i Sinovac, Liu Peicheng.
Ai deklaroi se vetë kompania kineze që prodhon këtë vaksinë nuk ka hasur rrezik të paralizës së Bellit nga të dhënat e autoriteteve kineze, as nga Qendra e Monitorimit të Vaksinave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe as nga njësia e të dhënave të OBSH-së për efektet anësore të vaksinimit kundër Covid.
Ndërkohë, në një studim tjetër të publikuar në fund të muajit qershor nga “JAMA Netëork”, një rrjet ndërkombëtar shkencëtarësh dhe mjekësh neurologë vëren se rreziku i prekjes nga paralizat e Bellit është nga shtatë deri në dhjetë herë më i lartë se rreziku i prekjes po nga kjo paralizë pas vaksinimit.
Në këtë studim janë analizuar të dhënat e 348 mijë personave që kanë kaluar Covid. Nga këta persona, 284 prej tyre u diagnostikuan me paralizën e Bellit brenda 8 javëve të para nga diagnostikimi si të infektuar me Covid.
Paralizat e Bellit është formë paralize faciale që prek gjysmën e fytyrës, që vështirëson, ose humbet lëvizjet motorike të muskujve, që nga pamundësia për të mbyllur syrin në anën e prekur, e deri te pamundësia për të përtypur ushqimin e varja e lëkurës në anën e prekur.
Paraliza, që mban emrin e shkencëtarit skocez që e ka zbuluar, Kristofer Bell në pjesën dërrmuese të rasteve është e përkohshme dhe pacientët rekuperohen plotësisht brenda 3 muajve nga diagonstikimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje