Personave me aftësi të kufizuar në Shqipëri u mungon mbështetja e duhur financiare dhe institucionale dhe pavarësisht premtimeve të bëra nga qeveria në lidhje me përdorimin e buxhetit për personat me aftësi të kufizuar, asgjë nuk ka ndryshuar për këtë kategori. Sokol Murataj, përfaqësues i personave PAK, drejtues i Shoqatës së Personave me Dëmtime të Shtyllës Kurrizore bën se dije se në Shqipëri për fat të keq nuk ofrohen shërbime speciale për PAK që nga viti 2010, “e veçanërisht për personat e verbër, për të cilët ofrimi i shërbimeve është më specifik dhe shpërndarja në rang bashkish ka kosto tepër të larta.”
Mungon mbështetja me shërbime të posaçme dhe financimi i tyre
Ai shpjegon se për shkak të aftësisë së kufizuar, të verbërit me statusin e tyre dhe paraplegjikët me statusin e tyre (Ligji 8626 -20/06/2000), përfitojnë pagesën e AK-së, pagesë kjo që është e indeksueshme dhe e pakushtëzuar nga të ardhura të tjera.
Por, nga viti 2005-2010 indeksimi i pagesave të AK-së dhe kujdestarisë u ndaluan nga qeveria e asaj kohe dhe në 2010 u bë indeksimi i gabuar në bazë të koeficentit të inflacionit.
“Ky nuk quhet indeksim! Pikërisht këto dhe shumë gjëra të tjera u premtuan dhe nuk u mbajt asnjë premtim, megjithëse kemi organizuar disa protesta 10 vitet e fundit. Diçka e tillë është e kotë, sepse nuk na dëgjon njeri”, – vijon Murataj.
Nga ana tjetër, në kundërshtim me premtimet e bëra nga qeveria, personat PAK vuajnë pamundësinë për t’u dëgjuar.
Çfarë premtonte qeveria
Dhjetë vjet më parë, qeveria premtonte se personat me aftësi të kufizuar do të ishin të mirëpërfaqësuar, zëri i tyre do të dëgjohej dhe ata do të ndihmoheshin praktikisht, por dhjetë vjet më pas, asgjë nuk ka ndryshuar për këta persona e madje situata është përkeqësuar.
“Sot personat me aftësi të kufizuar individualisht apo në të gjithë organizatat e tyre vuajnë në radhë të parë pamundësinë për t’u dëgjuar. Sot, ju kërkoni që qeveria t’ju dëgjojë. Ne kemi marrë një angazhim, që në 100 ditët e para të qeverisjes sonë do të publikojmë një akt të gjithpërfshirjes në procesin e ligjvënies për të gjitha grupet e interesit, sipas projektligjeve që përcaktojnë edhe se kush janë grupet e interesuara. Ne do të garantojmë përfaqësimin demokratik të personave me aftësi të kufizuar në kuadër të këtij akti të përgjithshëm, duke u angazhuar se i gjithë procesi i ligjbërjes dhe i ligjvënies do të jetë një proces i konsultuar drejtpërdrejtë me ju dhe komisionet parlamentare do të jenë të hapura për t’ju mikpritur dhe për t’ju dëgjuar.
Ashtu sikundër në 100 ditët e para të qeverisjes ne do ta anulojmë atë ligj, i cili praktikisht ju zhveshi edhe nga të drejtat e shkruara në letër, se të drejtat e marra në realitet, ju e dini mirë, janë shumë herë më pak sesa ato që ishin shkruar në letër.”, – premtonte qeveria në vitin 2012.
E vërteta është se sot personat PAK janë në një situatë, e cila në shumë drejtime mund të cilësohet edhe më e rëndë se ajo e disa viteve më parë.
Të vërbërit, pagesa nuk është rritur që nga viti 2009
Përfaqësues nga Shoqata e Personave me Aftësi të Kufizuar bëjnë me dije se pagesa për shkak të verbërisë, që nga viti 2009 nuk ka patur rritje, përveç indeksimit të saj në vite.
Sipas tyre, duke parë rritjen e lartë të kostove të jetesës dhe mungesës së shërbimeve për këtë kategori tashmë është e domosdoshme dhe rritja e pagesës për shkak të aftësisë së kufizuar.
Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë shpreh shqetësimin e saj për disa vite rradhazi në lidhje me financimin e shërbimeve për komunitetin e të verbërve.
Të verbërit, pa qendër dhe shërbime që nga 2014
Bazuar në Ligjin “Për statusin e të verbërit”, si edhe VKM-ja e posaçme për shërbimet për të verbërit, nr.643, datë 30.09.2004, shteti ka detyrimin ligjor të ngrejë qendra pushimore dhe rehabilituese për personat e verbër, të cilat financohen nga shteti dhe administrohen nga Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë.
Tashmë në Shqipëri është ngritur një qendër e tillë, e cila ka funksionuar deri në vitin 2014 dhe është financuar po deri në këtë vit nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale.
“Në këtë vit shteti ndërpreu financimin për këtë qendër, duke ndërprerë kështu njëkohësisht dhe të gjitha shërbimet për komunitetin e të verbërve.
Ky komunitet është në vitin e tetë të diskriminimit shtetëror, ku këtyre personave nuk u mjafton vetëm humbja e shikimit, por dhe krijimi i barrierave dhe peripecive të ndryshme si mungesë e shërbimeve të posaçme dhe të specializuara që qeveria duhet të ofronte, gjë që deri më sot nuk është bërë për më shumë se shtatë vite rradhazi, pavarësisht kërkesave tona dhe zërit tonë drejtuar ndaj qeverisë.”, -shprehet presidenti i Shoqatës së të Verbërve, Ardjan Hysa.
Ai bën me dije se ndryshe nga premtimet e herë pas hershme të qeveritarëve, të verbërve u janë mohuar shërbimet e posaçme, u janë shkelur të drejtat themelore për të vendosur për veten e tyre dhe u është mohuar e drejta e përfaqësimit nëpërmjet organizatës së tyre.
“Praktikisht ata janë përjashtuar nga jeta publike (shikoni pikën 48 të Rekomandimeve të Komitetit të OKB për të drejtat e PAK).”
Në fund të vitit 2021, Shoqatat e të Verbërve kërkoi që Komisioni i Ekonomisë të propozojë një shifër në masën 60 milion lekë, kjo shumë dhe për faktin se godina e shoqatës së këtyre personave dhe pajisjet, “për shkak të përdorimit të pamjaftueshëm dhe paralizës financiare që ne kemi patur” janë dëmtuar vetvetiu.
Ai nënvizon se në buxhet nga ana tjetër duhet të ketë një zë të posaçëm, që të parashikojë shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, që shteti u ka personave me aftësi të kufizuar.
Murataj: Duhet financim i qendrave PAK
Sokol Murataj si përfaqësues i PAK vëren se problem më vete është edhe mungesa e ekspertëve dhe pajisjeve tifloteknike në të gjitha bashkitë e vendit.
“Ngritja e qendrave të reja rehabilituese në kohën kur është e ngritur një qendër e tillë dhe me kapacitet kombëtar është nonsens, prandaj duhet së pari financim i qendrave të ngritura dhe ndjekja e praktikave perëndimore për administrimin dhe funksionimin e tyre.”
Sipas tij, financimi i qendrës kombëtare të Rehabilitimit të Personave me Aftësi të Kufizuar do të risjellë sërish shërbimet për këtë kategori të shoqërisë shqiptare.
“Pagesa për PAK, e paplotë. Shumë vendime gjyqësore, të pazbatuara”
Në periudhën 2005-2010 për shkak të keqinterpetimit dhe llogaritjes së gabuar, pagesa për shkak të aftësisë së kufizuar për qytetarët është dhënë e paplotë. Për këtë arsye ka qenë e detyrueshme ndjekja e rrugëve gjyqësore që kjo pagesë të fitohej dhe qytetarët të mund të merrnin pagesën që u është mohuar.
Aktualisht janë shumë vendime gjyqësore të cilat kanë mbetur pa u vënë në zbatim për shkak të mungesës së fondeve, apo planifikimit të tyre në buxhet.
“Kjo gjë ka shkaktuar vonesa dhe akumulim të kësaj shume dhe gjithashtu edhe pse shumë qytetarë me aftësi të kufizuar e kanë fituar gjyqin për t’i marrë këto pagesa ato ende nuk u janë dhenë. Ndërkohë,q pikërisht këto detyrime janë të njohura dhe të pranuara publikisht nga vetë Ministria e linjës përpara komisionit në Kuvend.”
Premtimi i pambajtur për TTS
Edhe pse ka shumë vite që përmendet dhe pretendohet në prodhimin e TTS (text to speech) në gjuhën shqipe, për të bërë të mundur që qytetarët e verbër të mund të kenë akses të plotë dhe të pakushtëzuar në informacion, ky premtim nuk është mbajtur nga institucionet qeveritare.
Përfaqësues të PAK bëjnë me dije se për më tepër prodhimi i një TTS në gjuhën shqipe do të jetë në shërbim dhe përdorim edhe për pjesën tjetër të shoqërisë.
“Konventa, e falsifikuar! U premtua të ndryshohej, por nuk është bërë akoma”
Drejtuesi i shoqatës së Personave me Dëmtime të Shtyllës Kurrizore, Sokol Murataj nënvizon edhe se konventa për personat PAK është e falsifikuar.
Në emër të personave PAK dhe organizatave të tyre ai kërkon rregullim të konventës në pikat ku përkthimi është bërë i gabuar.
“Përkthimi është i gabuar në nenin 29, paragrafi i fundit dhe paragrafi i parë në nenin 32 janë përkthyer gabim, duke u hequr të drejtën organizatave të personave me aftësi të kufizuar dhe duke ua kaluar të drejtën e përfaqësimit organizatave për personat me aftësi të kufizuar.”, shpjegon ai ndërsa flet edhe për rregullimin në përkthim dhe sistemimin e ligjit nr 93/2014 “Për aksesueshmërinë dhe gjithëpërfshirjen” në bazë të konventës së ndryshuar dhe përshtatur në mënyrën e duhur në gjuhën shqipe.
Ai vëren se ata kërkojnë të hetohet përkthimi i qëllimshëm gabim i Konventës së të Drejatave për Personat me Aftësi të Kufizuar dhe arsyet për të cilat pse nuk është bërë rregullimi i këtij gabimi, që në momentin që organet kompetente e kanë pranuar që është bërë përkthim i gabuar.
Në vijim Murataj kërkon adaptim të rekomandimeve të Komitetit të OKB-së për të drejtat e PAK për Raportin e parë për Shqipërinë mbi implementimin e konventës së OKB-së për të drejtat e personave PAK. (Pika 47/48). Ai shton se në vijim, për organizatat e aftësisë së kufizuar duhet të jepet një status i veçantë, duke u siguruar një mbështetje të veçantë nga shteti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



