Bota

Përshkallëzim serioz/ Bota reagon ndaj sulmit të Iranit drejt Izraelit: Nuk mund të përballojmë një luftë tjetër

Nga Gazeta 'Si'- Komuniteti ndërkombëtar ka reaguar me alarm pas sulmeve të Iranit ndaj Izraelit duke dënuar hapur Teheranin dhe duke kërkuar përmbajtje gjatë një momenti tensioni të madh në Lindjen e Mesme.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak ka konfirmuar se kanë qenë avionët britanike që kanë rrëzuar dronët e Iranit, që sulmuan Izraelin mbrëmjen e kaluar.

Ai u shpreh se “Mbretëria e Bashkuar mori pjesë në një “përpjekje të koordinuar ndërkombëtare” për të kapur raketat dhe dronët e lëshuar nga Irani.

Sunak thotë se sulmi i Iranit ishte një “përshkallëzim i rrezikshëm dhe i panevojshëm, të cilin unë e kam dënuar me termat më të ashpër”.

Më tej Sunak shtoi se Mbretëria e Bashkuar do të punojë me aleatët e saj për të de-përshkallëzuar situatën.

Të njëjtën mbështetje shprehën edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidenti i SHBA Joe Biden tha se SHBA “është e përkushtuar ndaj mbrojtjes së Izraelit”. 

“Angazhimi ynë për sigurinë e Izraelit kundër kërcënimeve nga Irani dhe përfaqësuesit e tij është i hekurt”, tha Biden në një deklaratë.

Sulmin e dënoi ashpër edhe Bashkimi Europian.

BE dënon fuqishëm sulmin e papranueshëm iranian kundër Izraelit," tha kryediplomati i BE-së Josep Borrell në një postim në X.

"Ky është një përshkallëzim i paprecedentë dhe një kërcënim i rëndë për sigurinë rajonale."

Gjithashtu edhe sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të armiqësive në Lindjen e Mesme.

“U bëj thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale për të shmangur çdo veprim që mund të çojë në konfrontime të mëdha ushtarake në fronte të shumta në Lindjen e Mesme”, tha Guterres në një seri postimesh në Twitter në X.

"Unë kam theksuar vazhdimisht se as rajoni dhe as bota nuk mund të përballojnë një luftë tjetër." 

Kina shprehu "shqetësim të thellë" për "përshkallëzimin aktual", sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Punëve të Jashtme të saj të dielën, duke shtuar se ishte një "përhapje e konfliktit të Gazës" dhe një armëpushim duhet të zbatohet pa vonesë.

Pekini u bëri thirrje palëve përkatëse të ushtrojnë qetësi dhe përmbajtje për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.

Ministria e Punëve të Jashtme saudite lëshoi ​​një deklaratë duke shprehur shqetësimin e saj për "përshkallëzimin ushtarak" dhe duke u bërë thirrje "të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtjen maksimale dhe të kursejnë rajonin dhe popujt e tij nga rreziqet e luftës".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë