Analize

Përse Zaev do të dorëhiqet nëse nuk hapen negociatat me Shkupin?

“Qeveria ime është e vdekur nëse Bashkimi Europian nuk vendos për hapjen e negociatave.” Me këtë paralajmërim, kryeministri Zoran Zaev konfirmoi nga Vjena se do të jepte dorëheqjen nëse liderët e BE-së nuk vendosin të japin dritën jeshile për nisjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut.

Ai duket të jetë i vetëdijshëm se pas ndryshimit të emrit, shpresa e anëtarësimit në BE-së është shtylla që po mban në këmbë qeverinë e tij. Madje për ekspertët, pa një perspektivë të besueshme për hyrjen në union, edhe shpresat e Zaev për të mbajtur postin e kryeministrit “janë të vdekura”.

Deputetët që mbështesin qeverinë e Zaev ndoshta do të mbështesin edhe një votë mosbesimi të iniciuar nga VMRO-DPМNЕ. Për t’i paraprirë kësaj stuhie politike, Zaev ka ta ngjarë të japë dorëheqjen, duke i lënë kështu vendin zgjedhjeve të parakohshme.

Ai paralajmëroi rrëzimin e qeverisë edhe në qershor, por Brukseli duket se e bindi të priste deri në tetor, nga frika e ardhjes në pushtet së nacionalistëve të VMRO DPMNE-së. Ardhja e tyre në pushtet do të ringjalljes edhe njëherë mankthin e Nikolla Gruevskit.

Një qeveri e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-së, e cila nuk e pranoi kurrë Marrëveshjen e Prespës, do të rrisë mundësinë e tërheqjes së paktit të nënshkruar me Greqinë duke “errësuar” kështu edhe më shumë perspektivën e pranimit të Shkupit në BE.

E thënë shkoqur, rikthimi i opozitës në pushtet nënkupton vetëm një gjë për BE-në: destabilizimin e Maqedonisë së Veriut. I vetëdijshëm se në rast se vendi fqinj shkon në zgjedhje të parakohshme, do të ketë fatin e Aleksis Tsipras, Zaev i bëri një thirrje të fundit liderëve të BE-së që të “hapnin sytë” përpara se të ishte shumë vonë.

Zoran Zaev. Gazeta Si, 17 tetor 2019

“U premtuam deputetëve se po të votojnë për ndryshimin e emrit, BE-ja do të hapte dyer sepse na premtoi se do të na jepte një datë për negociatat. Mendoj se tani duhet të mbajnë përgjegjësi për të mos lejojuar rikthimin e nacionalizmit radikal në Shkup”, deklaroi kryeministri maqedonas në një intervistë nga Vjena.

Ai paralajmëroi presidentin francez, Emmanuel Macron se nëse nuk zbut qëndrimin ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, të dyja vendet do të zhyten në destabilitet.

“Problem është Franca, e dimë se reformat janë të nevojshme, por ato mund të realizohen paralelisht me anëtarësimin. Nëse nuk na jepet një shpresë, nacionalizimi, populizimi dhe radikalizmi do të rikthehen. Ballkani tashmë ka vuajtur shumë, por ne kemi marrë mësim dhe duam të ecim përpara që bëhemi europianë", deklaroi Zaev.

Maqedonia e Veriut përgatitet për zgjedhje të parakohshme

Nëse nuk merr dritën jeshile, Zoran Zaev e pret një stuhi e vërtet sapo ‘të vërë këmbë” në shtëpi. Pa u marrë ende vendimi për negociatat, opozita ka kërkuar “kokën e tij” , duke e fajësuar për gjendjen ku ndodhet vendi.

Duke u përgatitur për “Jo-në” nga Brukseli, partitë politike në Maqedoninë e Veriut kanë nisur takimet me elektoratin edhe pse vendi fqinj nuk ndodhet në fushatë zgjedhore, madje ende nuk ka asnjë marrëveshje për mbajtjen e tyre. Si Zaev ashtu edhe opozita kanë caktuar madje edhe motot e fushatave duke nënkuptuar se po përgatiten për zgjedhje të reja, edhe pse deri në mbajtjen e tyre ka edhe një vit kohë.

Përpara se të nisej për në Bruskel, Zaev mbajti një tubim nën moton “Në Rrugë të Drejtë”, ku i kujtoi edhe njëherë qytetarëve arritjet e qeverisë së tij.

“Kemi premtuar shtet juridik, sundimin e ligjit, drejtësi të njëjtë për të gjithë. Kemi arritur të lirojmë shtetin e robëruar… Gjatë këtyre viteve të qeverisjes tonë nga një vend i izoluar kemi arritur që Maqedoninë e Veriut ta anëtarësojmë në NATO, jemi në fund të këtij procesi, ndërsa kemi përmbushur të gjitha kriteret tjera për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në", deklaroi Zaev.

Rastësisht ose jo, edhe opozita ka nisur takimet me elektoratin duke akuzuar Zaev për shkatërrimin e ekonomisë, dështimin në miratimin e ligjeve reformuese, gjyqësorin partiak dhe nepotizmin”.

“VMRO DPMNE-ja është e gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe kërkon që ato sa më parë të mbahen, por si duket pala tjetër frikësohet nga përballja me popullin prandaj BE-ja refuzon kërkesën tonë. Sidoqoftë, ne do të jemi fitues të zgjedhjeve të ardhshme”, ka deklaruar kreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski. Fushata apo takimet me qytetarët kanë nisur edhe disa nga partitë politike shqiptare, të cilët kanë filluar me organizimin e qytetarëve.

Qytetarët në vendit fqinj nuk e mbështetën kurrë plotësisht Zaev për ndryshimin e emrit, pavarësisht premtimeve të kryeministrit se Marrëveshja e Prespës, do t’i hapte dyert e BE-së dhe të NATO-s. Marrëveshja u miratua mes protestave dhe zemërimit publik, si në Shkup ashtu edhe në Athinë. Nëse Maqedonia e Veriut shkon në zgjedhje të parakohshme dhe Zaev jep dorëheqjen, ai ka të ngjarë të ketë fatin e Tsipras, i cili u rrëzua nga qeveria vetëm e vetëm për shkak të marrëveshjes së nënshkruar me Shkupin.

Në vend të tij, pritet të vijë opozita nacionaliste, e cila do të ngjitej sërish në pushtet, vetëm një muaj përpara se Maqedonia të bëhet zyrtarisht anëtarja e tridhjetë e NATO-s.
Por askush në Berlin, Paris dhe Bruksel nuk dëshiron të shohë VRMO DPMNE-në qeveri.

Gjatë 11 viteve në pushtet, ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe zyrtarët e tjerë të VRMO DPMNE-së e çuan Maqedoninë e Veriut drejt izolimit dhe afrimit me Rusinë. Gruevksi udhëhoqi për më shumë se një dekadë, duke e zhytur vendin fqinj në varfëri dhe qeverinë në korrupsion.

Nikolla Gruevksi, Gazeta Si, 17 tetor 2019

Qeveria e Gruevskit, i cili u bë kryeministër në vitin 2006, mori nuanca autoritare, diskreditoi opozitën dhe kundërshtarët si edhe çoi gradualisht në rritjen e pakënaqësisë publike. Sikur të mos mjaftonte kjo, ai sfidoi tërthorazi BE-në duke u afruar me presidentin rus, Vladimir Putin.

Ndërkohë që bëhej gjithnjë edhe më i fuqishëm, Gruevksi rifilloi ta merrte pushtetin për të mirëqenë dhe rrjedhimisht, u bë arrogant. Dhe është pikërisht ky tipar ai që ka çuar dhe do të çojë drejt fundit të gjithë liderët e Ballkanit. Arroganca nuk e la ish-kryeministrin maqedonas të merrte seriozisht hetimet e nisura për shkak të përgjimeve dhe as të bashkëpunonte me autoritetet maqedonase, duke mos i lënë zgjidhje tjetër veçse të merrte arratinë.

Lideri i tanishëm i VMRO DPMNE-së cilësohet shpesh nga kundërshtarët si “kukull” e Gruevskit dhe është një ndjekës i përpiktë i politikave të ish-kryeministrit maqedonas. Rikthimi i opoizitës në pushtet do të ishte një goditje e rëndë jo vetëm për qeverinë pro-europiane të Zaevit, por edhe BE-në, e cila do të duhej të negocionte kështu me një qeveri nacionaliste.

Arratisja e Gruevskit në Hungari, një shtet anëtar i BE-së, implikon drejtpërdrejtë Brukselin si përgjegjës ndaj sulmit kundër sundimin e ligjit në Maqedoni dhe rajon. E vetmja mënyrë që BE-ja të riafirmojë autoritetin dhe praninë e saj në rajon është nëse siguron menjëherë që partia e Gruevskit të mos ngjitet në pushtet.

Për ekspertë nuk ka dyshim se opozita do të vazhdonte me politikat përçarëse ndaj shqiptarëve të Maqedonisë dhe politikat nacionaliste që do ta izolonin më tej vendin në skenën evropiane. Nëse ajo ndjek gjurmët e Gruevskit, ardhja në pushtet e VRMO DPMNE-së do të ishte edhe “shtrimi i tapetit të kuq” për rikthimin e Rusisë në rajon.

Kancelarja gjemane Angela Merkel dhe Zoran Zaev, Gazeta Si, 2019

Por çfarë ka arritur Zaev?

Pas një peridhe të gjatë paqëndrueshmërie, me ardhjen në pushtet të Social Demokratëve, mes premtimeve për një program të hekurt antikorrupsioni, Maqedonia e Veriut duke se ka nisur reformat për të përmirësuar jetën politike të vendit dhe për të përmirësuar imazhin e saj në Europë. Por asnjë nga këto arritje nuk do të jetë e mjaftueshme që qeveria e Zaev t’i mbijetojë “Jo-së” së Brukselit.

Një sërë mediash të lidhura me Bashkimin Europian shkruajnë së fundmi se Shkupi është në rrugën e duhur për vendosjen totale të sundimit të ligjit dhe zgjidhjen hap pas hapi të problemeve të brendshme, si krimi i organizuar apo ndarjet etnike.

Raportet e fundit të BE vunë në dukje se qeveria e kryeministrit Zaev duket se po merr seriozisht korrupsionin politik dhe po tenton të vërë baza për një shtet demokratik. Rezultatet e Maqedonisë në indekset e ndryshme të korrupsionit po përmirësohen, ndërkohë që imazhi i vendit në arenën ndërkombëtare është tjetërsuar.

Megjithatë arritja e tij më e madhe ishte marrëveshja e Prespës, e cila i dha fund mosmarrëveshjeve historike me Greqinë dhe çoi në ndryshimin e emrit të vendit fqinj. Ai dhe ish-kryeministri Tsipras u përfolën madje se do të shpërbleheshin për Çmimin Nobel për Paqe për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.

Por nese BE-ja nuk jep dritën jeshile, Marrëveshja e Prespës do të jetë dënimi i Zoran Zaev.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë