Ne rrjet

Përse shumica e europianëve zgjedhin të jenë të vetëpunësuar?

Vetëpunësimi po bëhet gjithnjë e më i larmishëm në Europë, duke mbuluar një numër të madh aktivitetesh. Tanimë, mundësia e të paturit statusin e të vetëpunësuarit dhe të qënit i pavarur, po bëhet gjithnjë e më tunduese për shumë profesionistë. Por ky revolucion i vogël ka ngritur një sërë pikëpyetjesh në kontinent. Sektori i IT-së dhe profesionet kreative (dizajner, dizajner grafik) janë të parat në listën e profesioneve të pavarura. Sipas Vincent Huguet, drejtor ekzekutiv i platformës “Malt, ky trend po përhapet në një sërë sektorësh të tjerë.

Koordinimi i fushatave të marketingut, komunikimit ose menaxhimit të projekteve, të cilat kryeshin tradicionalisht nga punonjësit e kompanive, tani mund të bëhen nga punonjës të pavarur- shpjegoi ai- Në kontrast me profesionet tradicionalisht të pavarura si mjekët apo avokatët, përkthyesit e pavarur, për shembull, nuk mund të pajisen me licenca. Ata zgjedhin të punojnë drejtpërsëdrejti me kompanitë pa u bërë punonjës dhe refuzojnë të jenë në vartësi të tyre.”

Dixhitalizimi duket se ka ndryshuar botëkuptimin e punës, duke paraqitur një sërë rreziqesh dhe mundësish për punëdhënësit. Puna e pavarur, e cila ishte e lidhur më parë me papunësinë dhe mungesën e sigurisë së vendeve të punës, tani është duke u kërkuar gjithnjë e më shumë. Sipas agjencisë “Eurofund”, 60% e europianëvd që punojnë në mënyrë të pavarur e kanë zgjedhur vetë këtë status, ndërsa 20% e kanë bërë nga domosdoshmëria.

Në Francë dhe në Evropë, ka pasur ndryshime rrënjësore në kategoritë përkatëse në mesin e të vetëpunësuarve, veçanërisht ata që punojnë në fushën e administratës publike dhe shërbimeve. Sidoqoftë, në Evropë, vetëpunësimi nuk është aq i zakonshëm sa në SHBA. Sipas agjencive europiane, në kontinent ka 32 milionë të vetëpunësuar, 14% e të cilëve kanë edhe një punë tjetër, me kohë të plotë.

“Situata ndryshon shumë në mesin e shteteve anëtare”, tha Max Uebe, Shef i Drejtorisë së Punësimit të Komisionit Evropian. “Për shembull në Greqi, 31% e popullsisë është e vetëpunësuar, ndërsa në Danimarkë të vetëpunësuarit janë në nivelin më të ulët me 8%. “

Ndarja ndërmjet atyre që zgjedhin dhe atyre që janë të detyruar të jenë të vetëpunësuar përbën gjithashtu një ndryshim të madh. Në vendet nordike të zgjedhësh të jesh i vetëpunësuar është më e zakonshme, madje përfaqëson 80% të qytetarëve, ndërsa në vende të tjera si Rumania, Portugalia dhe Kroacia shumica e qytetarëve janë të detyruar të jenë të vetëpunësuar, për shkak të mundësive të pakta.

Sigurimet sociale

Megjjithatë, shumë të vetëpunësuar në Europë nuk janë të siguruar. Në një kohë kur BE-ja po diskuton për një bazë të përbashkët për të drejtat sociale, çështja e adaptimit të masave të sigurimeve shoqërore ka ngritur shumë pikëpyetje, pasi të gjitha strategjitë janë hartuar në bazë të nocionit të punësimit. Pavarësisht propozimeve nga Komisioni Europian, për miratimin e sigurimeve shoqërore përtë vetëpunësuarit, shtetet anëtare e kanë shumë të vështirë të bien dakord për këtë çështje. Madje, Komisioni ka vendosur të ndryshojë një ligj të BE-së mbi kontratat e punës, për të krijuar standarde të mëtejshme për vendet e pasigurta të krijuara nga aplikacionet në internet si “Uber” dhe “Deliveroo”. Platformat dhe aplikacionet që po zhvillojnë shërbimet e tyre në këtë fushë, janë instruktuar të negociojnë drejtpërsëdrejti me bankat dhe kompanitë e sigurimeve. “Uber” ka hyrë në një partneritet me disa kompani, për të siguruar shoferët e tij në rast aksidenti dhe për t’u ofruar sigurime shëndetësor në punë. Sipas Clara Brenot, shefe e çështjeve publike të “Uber”, firma dëshiron gjithashtu të zhvillojë trajnime profesionale për shoferët e saj./Euroactiv/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë