Ne rrjet

Përse Serbia po shpërblen me nga 25 dollarë qytetarët që vaksinohen?

E përballur me stoqe të mëdha vaksinash, Serbia ka premtuar t’i paguajë qytetarëve 25 dollarë nëse vaksinohen kundër Covid-19. Presidenti Aleksandër Vuçiç tha se qeveria do të shpërblente qytetarët për “përgjegjësinë” e tyre për t’u mbrojtur kundër koronavirusit.

Qytetarët mbi moshën 16 vjeç të cilët ose kanë marrë tashmë një ose dy doza, ose do të vaksinohen me të paktën një dozë deri më 31 maj do të marrin një pagesë të menjëhershme prej 3,000 dinarësh (25 dollarë). Shuma është e barabartë me rreth 5% të pagës mesatare mujore të vendit.

“Ne kemi konsideruar se si t’i shpërblejmë njerëzit që kanë treguar përgjegjësi dhe kemi vendosur të japim mbështetje shtesë financiare për ata që janë vaksinuar,” u tha presidenti gazetarëve në Beograd.

Vuçiç shtoi se ishte “e papërgjegjshme dhe egoiste” të mos vaksinohesh, megjithëse ai përjashtoi çdo kufizim imponues.

Por presidenti njoftoi se punonjësit e sektorit publik të cilët nuk janë vaksinuar nuk do të kishin më të drejtë për pagë nëse do të infektoheshin me Covid-19. Nisma qeveritare, që besohet të jetë e para e këtij lloji në botë, ka për qëllim të rikthejë ritmin e fushatës së vaksinimit të Serbisë pasi interesi publik ka ardhur duke u zbehur ndërkohë që skepticizmi ka ardhur në rritje.

Në vendet e tjera, kompanitë u kanë ofruar stimuj punonjësve të tyre për të bërë një vaksinë kundër koronavirusit. Por ndryshe nga vendet e tjera, Serbia ka një problem edhe më të madh: blerjen e më shumë vaksinave se sa numri i real i popullsisë.

“Është absurde ”, thotë epidemiologu serb Zoran Radovanović. “Ne jemi i vetmi vend në botë ku furnizimi i vaksinave e tejkalon kërkesën.”

Ndërsa shtypi botëror i bën jehonë me admirim fushatës së shpejtë të vaksinimit në Serbi, të dhënat e publikuara këto ditë  sinjalizojnë se Serbisë do t’i mbesin një pjesë e vaksinave kineze, ruse dhe perëndimore nëpër depo.

Në Serbi, ka më shumë se dy milion të vaksinuar dhe shpërndarja e dozave po ecën me ritme të shpejta, por mjekët po përballen kohët e fundit me skepticizmin e qytetarëve që nuk duan të vaksinohen. Nga rreth 5.5 milion të rritur, vetëm rreth një e katërta e tyre aplikuan për imunizim në mënyrë elektronike. Vaksinimi masiv në Serbi filloi në mes të janarit dhe rreth 2.35 milion doza janë dhënë deri më tani, ndërsa 990,000 njerëz janë rivaksinuar.

“Ju lutem telefononi për të bërë vaksinën. Ne kemi dhe do të kemi vaksina, ju lutem vaksinohuni” apeloi Presidenti Aleksandër Vuçiç muajin e kaluar.

Sipas zyrtarëve, Serbia tashmë ka marrë ose porositur rreth pesëmbëdhjetë milion doza, e cila është pothuajse e mjaftueshme që një e gjithë popullsia serbe të marrë dy doza. Sipas shifrave, edhe sikur të vaksinojë të gjithë popullsinë e rritur Serbisë i teprojnë të paktën katër milionë doza. Sidoqoftë, tani problemi më i madh i vendit fqinj është të gjejë njerëz të gatshëm për të marrë vaksinën. Në këto kushte, Serbia nisi të vaksinonte edhe qytetarët e Ballkanit, duke u dhuruar mijëra doza Maqedonisë së Veriut. Bosnjes dhe Malit të Zi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë