Mendim

Përse Kazakistani mban “çelësat” e ekonomisë botërorë?

Kazakistani e gjen veten në një pozicion më të komplikuar se çdo vend tjetër në botë. Që nga shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik, Astana duket se ka ngecur nga njëra anë nën hijen e Rusisë, si në aleat i bindur i Moskës dhe nga ana tjetër si një vend që ka pësuar një zhvillim të madh ekonomik brenda pak vitesh. Falë pozitës gjeografike dhe rëndësisë strategjike, Kazakistani është kthyer në një pikë kyçe investimesh për Rusinë, SHBA-në, Kinën dhe BE-në.

Ai është rajoni më i gjerë i Azisë Qendrore dhe një nga prodhuesit më të mëdhenj të nafës, i cili po përballet me ndryshimeve të rëndësishme, megjithëse kryesisht të panjohura nga pjesa tjetër e botës. Kazakistani po kërkon një ekuilibër të fortë politik dhe tregtar mes marrëdhënieve të tij me Perëndimin, veçanërisht me SHBA-në dhe marrëdhënieve më Rusinë. 

Pse Kazakistani mban çelësat për ekonominë globale?

Vendi i Azisë Qendrore është një qendër industriale dhe ndërmjetës ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Investitorët perëndimorë duket se nuk e shohin më Astanën si oborrin e Rusisë. Për vite, Rusia dhe Kina supozoheshin të ishin fuqitë dominuese në Euroazi. Moska e shpalli si një zonë me interes jetësor, ndërsa Pekini i ofron rajonit projekte infrastrukturore. Rusia apelon për në një të kaluar të përbashkët, ndërsa Kina e josh  me shpresën e një të ardhmeje të përbashkët.

E mbërthyer mes këtyre dy fuqive të mëdha, Astana kërkoi një rrugë të tretë, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara. Disa vjet më parë, studiuesi amerikan, Parag Khanna, përshkroi një "botë të dytë" të përbërë nga shtete që, ndryshe nga superfuqitë globale si Kina, SHBA dhe Evropa, nuk mund të vendosin rregullat, por mund të mbajnë balancimin e fuqisë ndërmjet aktorëve kryesorë.

Suksesi ekonomik i Kazakistanit dhe ndikimi i politikës së jashtme është nënvlerësuar. Ndërmjet viteve 1990 dhe 2014, nxjerrja e naftës dhe gazit natyror është  trefishuar, ndërkohë prodhimi i uraniumit u rrit me 15 herë. Prodhimi i metaleve me ngjyra më shumë se dyfishuar.  Shefi i Bankës Kombëtare tha kohët e fundit se Kazakistani duket tanimë si "një tjetër Singapor në Azinë Qendrore dhe se është ekonomia më konkurruese midis të gjitha vendeve ish-sovjetike". Vendi po zhvillohet falë modernizimit industrial, investime të shumta në infrastrukturë, nga viti 2013 në 2014-ën, janë ndërtuar 3300 km rrugë dhe 1400 km hekurudha, dhe janë ndërtuar zona të lira ekonomike. Në vitet e fundit politikanët rus janë përballur me ndikimin kinez në vend. Deri në fund të vitit 2014, Kina kishte tejkaluar investimet ruse, ndërsa 12 përqind e naftës kazake ishte dërguar në Kinë nëpërmjet një tubacioni.

Por ajo që vendi ka nevojë më së shumit nuk është një zhvillim i mëtejshëm i sektorit të saj natyror, por zhvillimi industrial që mund ta bëjë atë një udhëheqës rajonal. Për këtë, i mungon si kapitali ashtu dhe teknologjia por as Rusia dhe Kina nuk do të dëshironin ta shihnin Astanën kaq të zhvilluar.

Presidenti Trump dhe lideri i Kazakistant

Marrëdhëniet SHBA-Kazakistan

Që pas ardhjes në detyrë të Presidentit Donald Trump, marrëdhëniet mes Kazakistanit dhe SHBA-së duket se janë forcuar edhe më shumë, sidomos në aspektin ekonomik. Më 16 janar të viti 2018 Trump priti Presidentin Nursultan Nazarbayev në Shtëpinë e Bardhë, një vizitë e cila forcoi tregtinë dhe lidhjet tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kazakistanit, me qëllim krijimin e vendeve të reja të punës dhe përshpejtimin e rritjen ekonomike. Presidenti Nazarbajev deklaroi se këto përpjekje janë thelbësore që Kazakistani që të arrijë qëllimin e tij për t'u bashkuar me 30 ekonomitë më të mëdha globale

Gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë u nënshkruan një sërë kontratash dhe dokumentesh komerciale, duke përfshirë marrëveshje të reja më kompanitë “Boeing”, “GE Transportation”, “Air Astana”, “KazTemirZholy” dhe Fondin Kombëtar “Samruk-Kazyna” për blerjen e produkteve dhe shërbimeve amerikane me vlerë mbi 2.5 miliardë dollarë. Shtetet e Bashkuara dhe Kazakistani vazhdojnë të bashkëpunojnë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe përmirësimin e klimës së investimeve në Kazakistan.   Të dyja vendet përfunduan kohët e fundit një marrëveshje navigimi ajror, e cila do të forcojë lidhjet dypalëshe duke lehtësuar udhëtimin e zyrtarëve të lartë midis Shteteve të Bashkuara dhe Kazakistanit.

Pas vizitës së Presidentit të Kazakistanit në Shtëpinë e Bardhë,  portet më të mëdha të vendit, Aktau dhe Kuryk hapën dyert për ushtrinë amerikane, në mënyrë që të mund të përdoreshin si rrugë alternative për dërgimin e ngarkesave në Afganistan duke anashkaluar Rusinë. Marrëveshja u nënshkrua nga presidenti kazak Nursultan Nazarbayev, ndërsa vetë dokumentacioni u miratua nga parlamenti kazak në fillim të marsit 2018. Ministri i Jashtëm i Kazakistanit tha se marrëveshja është nënshkruar në interes të republikës si një partner strategjik i Shteteve të Bashkuara.

Kazakitani dhe Rusia

Aneksimi i Krimesë në vitin 2014 ka bërë që përçarjet brenda Kazakistanit të rriten. Që atëherë, frika se Rusia mund të aneksojë Kazakistanin verior është kthyer në një kërcënim të vazhdueshëm për liderët e vendit. Kazakistanit iu desh të bashkohej me Rusinë, së bashku me Bjellorusinë, Armeninë, Kirgistanin dhe Taxhikistanin, si anëtare e Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (megjithëse ende nuk ka rënë dakord të krijojë njësi të përbashkëta ushtarake me Rusinë). Rusët etnikë përbëjnë pothuajse një të katërtën e popullsisë së vendit,  i cili ishte dikur republika më e përzier etnike. Duke marrë parasysh rëndësinë psikologjike të një komuniteti të tillë të madh rus dhe faktin se Putini ka premtuar të mbrojë rusët në të gjitha ish-vendet sovjetike, Astana ndodhet prej kohësh në presion. Për shak të natyrës delikate të shpërndarjes etnike, Kazakistanit i është dashur gjithmonë të mbante një ekuilibër politik dhe tregtar mes marrëdhënieve të tij me Rusinë dhe atyre me Perëndimin.

Sipas Nursultan Nazarbayev, Presidentit të Kazakistanit, grindjet etnike janë nën mbajtur gjithnjë nën kontroll. Megjithatë, gjuha ruse mbetet dominuese. Për të zvogëluar ndikimin kulturor dhe social të Rusisë, Kazakistani ka njoftuar se do të aprovojë një alfabet të ri deri në fund të këtij viti, duke kaluar nga shkrimi cirilik në atë latin. Presidenti Nazarbaev urdhëroi që të gjitha botimet, dokumentet dhe shenjat e rrugëve të ishin në gjuhën latine deri në vitin 2025. Ky veprim është një përpjekje e dukshme për të theksuar kulturën kazake dhe për ta distancuar vendin nga Rusia. Që nga viti 2002, BE-ja ka arritur të bëhet partneri më i madh tregtar i Kazakistanit dhe blen 40% të eksporteve të tij. Duke qenë një furnizues i madh energjikit i BE-së, Brukseli mbështeti pranimin e Kazakistanit në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Presidenti rus dhe Presidenti i Kazakistanit

Nga ana tjetër, Kazakistani nuk ka të njëjtën vlerë strategjike për Kremlinin si Krimea. Flota e Detit të Zi të Rusisë ishte dhe ende bazuar ende në Krime dhe Ukraina shihej si një fortesa vitale kundër zgjerimit të NATO-s. Por Kazakistani ka asete të rëndësishme të tilla si kozmodromi Baikonur, objekti i parë dhe më i madh i hapësirës operacionale në botë. Kozmodromi është përdorur dhe vazhdon të përdoret nga Rusia. Më 28 korrik, Moska nisi një anijë hapësinore, për një mision pesë mujor në Stacionin Ndërkombëtar Spanjoll (ISS) në orbitë. Vallëzimi i përhershëm i Kazakistanit midis Rusisë dhe Perëndimit do të vazhdojë, duke pasur parasysh se kufizimet gjeopolitike varen nga mënyra se si ndahen marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe BE-së.

Problemet  e brendshme

Politika e korruptuar, oligarkia dhe bashkëpunimi me Rusinë kanë bërë që Kazakistani të jetë një vend pa zgjedhje të lira, një shtet ku aktivistët e shoqërisë civile përdiqen politikisht,  një vend ku mohohet liria e fjalës dhe ku autoritetet ndjekin penalisht me burg, ata që organizojnë edhe protestat më të vogla.

Kazakistani shfaqet vazhdimisht si partner në promovimin e paqes dhe stabilitetit dhe synon të bëhet një nga 30 vendet më të zhvilluara deri në vitin 2050. Ai ka qenë një partner për Shtetet e Bashkuara për sigurinë rajonale dhe mospërhapjen e armëve bërthamore. Megjithatë, Astana ka injoruar shumë obligime të të drejtave të njeriut, të cilat i ka pranuar sipas traktateve ndërkombëtare.  Shtetet e Bashkuara duhet t’u sigurojnë kompanive amerikane që operojnë në Kazakistan siguri ligjore, edhe pse sundimi i ligjit në vend është shumë i dobët.

Raporti më i fundit i Departamentit amerikan të Shtetit për vitin 2016 theksonte se Kazakistani po shkel gjithnjë e më shumë të drejtat e njeriut, ka kufizuar liritë e fjalës, fesë dhe ka dispozita të paqarta të kodit penal që i lejojnë qeverisë të burgosë kundërshtarët e qeverisë. Shtypja politike, mungesa e zgjedhjeve të lira dhe kufizimet e ashpra ndaj demonstratave dhe mediave të lira janë, në shumë vende, një burim jostabiliteti. Në Kazakistan, vitet e fundit ka pasur shpërthime periodike të protestave mbi çështjet ekonomike por edhe një sërë grevash nga punëtorët naftës.

Protesta ne Zhanaozen

Kancelarja gjermane Angela Merkel vuri në dukje në vitin 2012 se politika e jashtme gjermane është e bazuar jo vetëm në interesa  ekonomike por edhe tek të drejtat e njeriut.  Ajo mbështeti thirrjet për një hetim të pavarur mbi dhunën dhe grevat e punëtorëve të naftës në qytetin e  Zhanaozenit. Gjermania dhe Kazakistani nënshkruan një marrëveshje partneriteti 3 miliardë euroshe dhe Gjermania mbetet një nga partnerët kryesorë tregtarë të Kazakistanit, por kjo nuk e ka ndaluar Berlinin t’i “tërheqë veshin” presidentit të vendit.

Deri më tani, Administrata Trump duket se është përqendruar vetëm tek marrëdhëniet ekonomike dhe vendosjen e një barriere mes Kazakistanit dhe Rusisë, por pas presionit të mediave dhe organizatave ndërkombëtare të drejtave të njeriut, Presidentit Amerikan do të duhet të shohë pertej inetersave ekonomike dhe të bëhet një zë vendimtar për vendosjen e sundimit të ligjit. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse Trump do t’ia dalë të krijojë një vizion më të plotë për marrëdhëniet e SHBA-së me Kazakistanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë