Alfred Moisiu mbetet i vetmi President me profilin e ushtarakut i zgjedhur me konsensus në 3 dekada pluralizëm. Pas tij, i ndjeri Bujar Nishani dhe gjenerali Bajram Begaj nuk morën dot mbështetjen e opozitës.
Në rastin e Presidentit të sapozgjedhur, opozita u bashkua sa i takon rezervave që pati për procesin, por u nda në qëndrimin për figurën e tij. Një pjesë e deputetëve opozitarë e vlerësuan personalisht, por shmangën votën për të.
Por, njeriu më i rëndësishëm i opozitarizmit aktualisht nuk kritikoi vetëm procesin.
“Kandidati që votohet sot e nis udhën e tij duke shkelmuar me dy këmbët Kushtetutën. Ai kandidon për President si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare. Burime plotësisht të besueshme të mediave dhe politikanëve kanë denoncuar se zotëria ka firmën mbi dokumentat e plaçkitjes së bazave në Kepin e Palit dhe Sarandë, Për prona si afera jam njohur më parë, por si raste konkrete jam njohur dje edhe sot”, deklaroi Sali Berisha në të njëjtën kohë që në Kuvend votohej Bajram Begaj si President.
Berisha akuzoi SPAK-un për mosveprim. “Nuk heton, por e hap si çështje dhe pasi kap disa peshq të vegjël thotë e zgjidha këtë punë”, tha ai.
Në SPAK, Presidentin e zgjedhur e ka dërguar ish-komandanti i Flotës Detare, Artur Meçollari, të cilin Sali Berisha e ka akuzuar si bashkëpunëtor të spiunazhit grek gjatë bisedimeve për ndarjen e detit në kohën që ministër i Jashtëm ishte Ditmir Bushati.
Berisha iu shmang pyetjes së gazetarëve në lidhje me këtë denoncim dhe iu rikthye, sipas tij, ‘parimit të së drejtës kushtetuese europiane’, duke deklaruar se dekretet e Presidentit jashtë vendit kanë fuqi ligjore nul.
Megjithatë, Berisha përjashtoi mundësinë që këtë dekret të Metës ta çojë në Gjykatën Kushtetuese, duke shprehur mosbesim te kjo gjykatë. “Ka dalë një modus vivendi i ri, sipas të cilit ne (Gjykata Kushtetuese) nuk kemi kompetencë”, tha ai, duke iu ironizuar vendimin e Kushtetueses në rastin e zgjedhjeve vendore të 2019-s.
Por, nga ana tjetër Bajram Begaj mori përgëzimet e urimet për detyrën e re nga partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë të vendit, duke filluar që nga SHBA, BE, Komisioni Europian, Ambasada Gjermane e deri te Presidentja e Kosovës.
Vlerësimi i ndërkombëtarëve për njeriun që e kanë pasur kyç në bashkëpunimin ushtarak në kuadër të NATO-s nuk mjafton në rastin konkret që Bajram Begaj të hyjë në Presidencë si President i paragjykuar.
Begaj do të pasojë Ilir Metën më 24 korrik. Protokolli përcakton që fillimisht ai të betohet në Kuvend me dorën mbi Kushtetutë dhe më pas t’i drejtohet godinës së Presidencës për të marrë postin.
Nuk dihet nëse Ilir Meta do ta presë në këtë godinë për ‘t’i treguar rrugën’, Bajram Begajt. Por i takon Begajt që të shuajë të gjitha paragjykimet, duke qenë së pari një President ‘normal’, siç e kërkon Edi Rama dhe së dyti një President që nuk është zgjatim i mazhorancës, siç e akuzon Sali Berisha.
Prova për të mund të jetë edhe firma për planin e përhapjes së Forcave të Armatosura. Hera e fundit që një President ka firmosur për këtë plan përhapjeje është 2014-ta, kur ishte në detyrë Bujar Nishani.
Plani i ri i përhapjes i miratuar nga Begaj kur ishte shef Shtabi i Ushtrisë lë jashtë rreth 133 hektarë prona të Ministrisë së Mbrojtjes në katër bazat detare të Pashalimanit, Kepit të Palit, Palermos dhe Shëngjinit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




