Edhe pse deri më tani kishte mbajtur një qëndrim neutral ndaj përplasjeve mes Greqisë dhe Turqisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se kanë vendosur të ndërhyjnë duke u rreshtuar në anën e Athinës zyrtare.
Ndërkohë që tensionet në Mesdhe kanë ardhur duke u rritur, SHBA mësohet se i ka ofruar Greqisë mbështetje ushtarake, duke i shitur jo vetëm armatime, por duke premtuar ndërtimin e bazave të reja amerikane në vendin fqinj.
Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo po zhvillon sot një vizitë në Selanik, dhe në ishullin e Kretës, dy vende të cilat nuk i janë lënë rastësisë as nga Uashingtoni as nga Athina zyrtare. Vizita vjen ndërkohë që Turqia njoftoi mbajtjen e stërvitjeve ushtarake me zjarr të vërtetë në Mesdheun Lindor.
Vendet që Pompeo zgjodhi të vizitojë janë simbolike: Selaniku konfirmon interesin e SHBA në Greqinë veriore në kontekstin e konkurrencës së tyre me Rusinë për rajonin e Ballkanit. Oligarkët rusë kanë qenë me ndikim në veriun e Greqisë dhe nuk u përpoqën të bllokonin marrëveshjen e ndryshimit të emrit me Maqedoninë e Veriut dy vjet më parë.
Në Kretë, SHBA-ja ka një bazë të fortë detare të cilën është e gatshme ta zgjerojë. Kjo gjithashtu përkon me bisedimet në Uashington për zhvendosjen e bazës amerikane nga Incirliku i Turqisë. Ankaraja ka paralajmëruar se mund të dëbojë SHBA nga baza ajrore.
Ndërkohë, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u dërgoi një letër javën e kaluar 25 vendeve anëtare të BE përveç Greqisë dhe Qipros, duke akuzuar Athinën dhe Nikosinë për shkaktimin e përshkallëzimit të tensioneve në Mesdheun Lindor.
Kjo është vizita e dytë e Pompeos në Greqi në më pak se një vit dhe sipas mediave greke pritet të përqëndrohet në thellimin e bashkëpunimit ushtarak dypalësh. Nga ana e tij, vendi fqinj mësohet se ka kërkuar prej muajsh blerjen e armatimeve të reja nga SHBA-ja, për të forcuar kapacitetet e tija ushtarake.

SHBA po fuqizon lidhjet ushtarake me Greqinë pas Marrëveshjes së Bashkëpunimit të Ndërsjellë të Mbrojtjes të nënshkruar midis dy vendeve vitin e kaluar. Greqia do të blejë nga SHBA-ja katër helikopterëve MH-60R dhe katër anije luftarake. Po ashtu Athina, pritet të kërkojë mbështetjen e SHBA-së për krijimin e një baze të dytë detare në Souda. Nga ana tjetër, firma amerikane Lockheed Martin mësohet se do të përmirësojë 84 avionë luftarakë grekë F-16.
Ushtria amerikane ka nisur zyrtarisht bisedimet për të zgjeruar operacionet e saj në Greqi, duke përfshirë ndër të tjera edhe përdorimin e të tjera bazave ajrore dhe detare në vendin fqinj. Përfaqësuesit amerikanë deklaruan në Athinë se Uashingtoni po konsideron vendosjen e një numri të madh trupash në Greqi, si dhe ngritjen e disa bazave ushtarake.
Për Greqinë, vendosja e ushtrisë amerikane do të ishte një “biletë sigurie” përballë kërcënimit nga Libia dhe Turqia. “Greqia është e alarmuar nga veprimet e pakontrolluara të Ankarasë”, shkruan gazeta greke “Ekathimerini”. Zyrtarët në Athinë mësohet se i kanë vënë disa herë në dukje Pompeos se Greqia është i vetmi vend që përmbush objektivin e shpenzimeve ushtarake të NATO-s.
SHBA ka shprehur gjithnjë e më shumë mbështetje për Greqinë dhe Qiprion, pavarësisht se presidenti Trump e cilëson Turqinë si një aleat në kyc në Lindjen e Mesme.
Pompeo do të vizitojë bazën detare të SHBA-së në Gjirin e Souda në Kretë të martën duke anashkaluar thirrjet e fundit të Turqisë që Uashingtoni të kthehet në pozicionin e tij të neutralitetit ndaj tensioneve në Mesdheun Lindor. Përveç vizitës së Souda, e cila ka nxitur tensione në Turqi, i dërguari i SHBA do të pritet gjithashtu nga kryeministri Qiriako Mitsotakis në shtëpinë e tij në ishullin e Kretës.
SHBA-ja duket se rreshtua në anën e Greqisë edhe në korrik, kur Athina dhe Uashingtoni kryen stërvitje ushtarake në ujërat e Mesdheut.

Më parë këtë muaj, Pompeo diskutoi tensionet e Mesdheut Lindor gjatë një vizite në anën jugore të Qipros, pasi SHBA-ja hoqi embargon e armëve, një veprim për të cilin Turqia tha se po prishte “barazinë dhe ekuilibrin” midis komuniteteve qipriote turke dhe greke në ishull.
“Ne mendojmë se marrja e hapave që dëmtojnë pozicionin neutral të SHBA-së nuk do të përfitojë nga paqja në rajon,” tha zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti).
Vizita e Pompeo në Greqi shkaktoi mjaft polemika në shtypin turk gjatë fundjavës, të cilat raportojnë se zyrtari amerikan vizitoi gjithashtu Qipron, duke sinjalizuar se Amerika po vendos të mbajë anën e Athinës.
Në një dokument të publikuar me rastin e vizitës së Pompeo, Departamenti i Shtetit tha se Greqia “është një partner kritik me të cilin Shtetet e Bashkuara ndajnë qëllime kryesore strategjike”.
“Ne jemi të përkushtuar për të mbështetur sigurinë dhe prosperitetin e Greqisë”, theksonte deklarata duke iu referuar tensioneve me Turqinë.
Disa orë para udhëtimit të tij, Pompeo pati një diskutim mbi de-përshkallëzimin e situatës në Mesdheun Lindor me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.
Duke postuar në Twitter, Pompeo tha se ishte “i kënaqur” që kishte diskutuar këtë çështje me Stoltenberg duke thënë se i kishte përsëritur rëndësinë e unitetit të Aleancës së NATO-s”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




