Vlerësimi i kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj shkakton përplasjen e parë brenda radhëve të LSI-së. Ish-ministri i Drejtësisë, pjesëtar i kësaj force politike, Ylli Manjani ka kritikuar qëndrimin e mbajtura nga Kryemadhi, e cila vlerësoi punën e Veliajt. Me anë të një postimi në Facebook, Ylli Manjani shprehet i penduar për votën që partia që ai bën pjesë si LSI e votoi në krye të bashkisë së Tiranës.
“Vijoj të mendoj se Erion Veliaj nuk e meriton dot më mbështetjen dhe votën time. Llogjikshëm edhe të gjithë atyre si unë, që e votuam në 2015-ën. Erioni nuk punoi për të mbajtur premtimet me të cilat na mori votën, por improvizoi punë të prapambetura të Bashës, por me vizatimet e Ramës. Erioni na mashtroi paq kur tha se nuk do lejonte kulla, por do bënte parqe. Madje do bënte rrugë që të lidheshin liqenet e Tiranës. Në fakt firmosi leje kullash nga më të lartat e mundshme. Mashtrimi dhe mosmbajtja e fjalës së dhënë janë krye-arësyet për të braktisur një të zgjedhur”, shkruan Manjani.
Duke mos iu referuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, Manjani i kthen përgjigje Kryemadhit për vlerësimin për disa nga punët e bërë në bashki, duke theksuar se Veliaj pati buxhetin më të madh që as Rama dhe Basha nuk e kanë pasur si kryebashkiak.
“Shprehja që “Erioni ka punuar”, ka dalë dhe është ngulur në kokë nga vetë Erioni dhe media që i shërben. Shifrat dhe llogjika e thjeshtë na mësojnë se Erioni ka bërë shumë pak në raport me buxhetin e rritur nga rritja e taksave dhe tarifave. Luksin buxhetor që pati Erioni nuk e ka pasë as vetë Edi Rama. Lulzim Basha jo e jo. Erioni pati luksin që kostot e bashkisë t’ja faturojë 100% qeverisë dhe Edi Ramës. Është zyrtari tipik që ngjan me mizën e kalit që bërtet se po tërheq karrocën. Bashkia e Erion Velisë u shqua për qoka mediatike, për daravitje interesash dhe përcarje ndërmjet qytetarëve, si asnjëherë tjetër më parë. Fyerjet dhe fjalori me gjuhë urrejtje e përçarje që ky zotëri përdori tregojnë mungesë pjekurie në rastin më të mirë. Përndryshe kjo kategori politikanësh quhen racistë!”, thekson Manjani.

Ndërsa ish-ministri i Drejtësisë del edhe kundër idesë të përdorimit të Bashkisë së Tiranës si një trampolinë për kapur drejtimin e një partie politike, precedent të ndodhur më parë në fakt si me Edi Ramën, ashtu edhe me Lulzim Bashën. Ai e cilëson si të dëmshme përsëritjen e një precedenti të tillë.

“Ndoshta Erioni mund të përgatitet të drejtojë një parti si PS, se me G99 nuk qullosi gjë. Por, këtë nuk mund të lejohet ta bëjë nga Bashkia. S’ka përse Kryeqyteti të paguajë përjetësisht kostot e kryetarëve që duan të bëhen kryeminisitra dhe kryetar partish! Nëse vërtetë Rama ka një ide të mos e mbështesë Erionin për rikandidim (gjë që nuk e besoj) do bënte vërtet një gjë të mirë për kryeqytetin dhe për vetë mjedisin politik. Do i bënte mirë sadopak edhe PS, por edhe vetes së vet. Përndryshe : ja paftë hajrin! Në çdo rast kush i jep mbështetje politike modelit Veliaj për të përdorur bashkinë për politikë, i bën dëm kryeqytetit. E kam bindje këtë gjë dhe, as top e as parti nuk ma ndryshon dot!”, shkruan më tej Manjani.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në emisionin “Zonë e Lirë”, vlerësoi punën e bërë nga kryebashiaku Erion Veliaj, por shfaqi njëherë mendimin se nuk e mendonte se Rama do ta rikandidonte atë për bashkinë e Tiranës.
“Nuk mund të thuash se ska punuar Erion Veliaj, Rama nuk mund të ketë njeri që të punojë më shumë se Edi Rama. Veliaj me llumin me kriminelin e drogaxhinjtë nuk përfshihet ndërsa Rama është i kapur. Edi Rama do të kërcënohet politikisht për të kandiduar Erion Veliajn. Nëse ai kandidon sërish për kryetar bashkie, shanset e Erion Velisë për t’u bërë kryetar i PS do të ishin shumë të mëdha sepse vet partia brenda kërkon një rilindje dhe një njeri që t’i pastrojë nga krimi i organizuar. Ne kemi disa kandidatura shumë të mira për të qenë përballë Erion Veliajn”, deklaroi Kryemadhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




