Drejtësia

Përplasje në gjykatë mes të penduarit dhe Ardian Çapjes për vrasjen e babë e bir në Elbasan

Gazeta Si - Dëshmitari i drejtësisë Ervis Bardhi, është përplasur verbalisht në seancën gjyqësore këtë të mërkurë me Ardian Çapjen.

Ai e akuzon këtë të fundit si porositës të vrasjes së babë e bir, Gentian dhe Nezir Beqiri në vitin 2012 në Elbasan.

Bardhi, iu është përgjigjur pyetjeve të avokatëve të Ardian Çapjes dhe ka treguar detaje për takimet që ka bërë me Ardian e Florenc Çapjan, derisa mori porosinë për ekzekutimin e babë e bir.

Gjatë seancës, ai rrëfeu si ishte takuar tek rrugica e shtëpisë dy herë me Ardian dhe Florenc Çapjen.

“Herën e tretë u takuam në Kërrabë”. Sipas tij, në këtë takim ata i kishin thënë se Gentiani duhet vrarë.

Por Ardian Çapja, i cili ishte i pranishëm në seancë në GJKKO, ka thënë se Ervis Bardhi është mashtrues, duke i cilësuar si gënjeshtra dëshmitë e tij. “Gënjen, ka disa herë që vetëm gënjen”, - mësohet të ketë thënë ai.

Edhe në seancën e fundit, Bardhi dha detaje për njohjen me Gentian Beqirin në qelitë e burgut të Peqinit, në krijimin e miqësisë me të, vizitat e shpeshta në

në shtëpinë e viktimës, marrjen e porosisë për ekzekutimin e tij, deri në ditën e vrasjes.

Deklarimin e tij të parë para gjykatës, në 11 maj, Bardhi e nisi duke i kërkuar ndjesë nënës së Gentian Beqirit.

Ai ka theksuar se Etjen Canin dhe Olsi Lekun, i ka njohur pasi i kishte çuna të lagjes.

Ndërsa për Gentian Beqirin, tha se e ka njohur gjatë kohës kur ai ishte arrestuar në 2010, kur ishte duke shlyer dënimin me 8 muaj burg për armë mbajte pa leje.

I penduari thekson se nuk e njihte nga afër Gentianin, por që e ka takuar nëpërmjet personave të tjerë që ndodheshin në burgun e Peqinit.

Ardjan Çapja, Florenc Çapja, Ervis Bardhi, Etien Cani, Klajdi Dokolli dhe Olsi Leku akuzohen nga Prokuroria e Posaçme se në vitin 2012 kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, duke ekzekutuar në shenjë hakmarrje brenda shtëpisë së tyre, Gentian Beqirin dhe të atin e tij, Nezir Beqiri.

Gentian dhe Nezir Beqiri u vranë në banesën e tyre në gusht 2012, ku Gentian Beqiri allias Ardian Meta ishte në ‘arrest shtëpie’ dhe ruhej me dy policë në derën e shtëpisë.

Ai akuzohej si autor i vrasjes së biznesmenit Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005.

Beqiri u vra ndërsa qëndronte i shtrirë në krevat, pasi ishte i paralizuar. Ai u qëllua për vdekje me 7 plumba të një pistolete me silenciator.

Ndërsa babai i tij, u rrah barbarisht deri në vdekje me sende të forta, duke pësuar fraktura në 6 brinjë dhe hemorragji në tru dhe në mëlçi.

Kjo ndodhi ndërkohë që jashtë derës së shtëpisë ruanin dy efektivët e policisë, të cilët u akuzuan më pas për “Shpërdorim detyre”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë