Një përplasje me armë zjarri mes bandave ka tronditur qytetin e Kavajës mesditën e sotme.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 12:30 në lagjen nr. 2, ku pas një konflikti mes disa personave, mbeti i vrarë një qytetar, i cili ishte kalimtar i rastit dhe u plagosën 5 shtetas të tjerë.
Mësohet se viktima është Ramazan Hasalliu, i cili kishte dalë për të blerë bukë dhe nuk kishte lidhje me ngjarjen.
Sipas policisë, autorët e ngjarjes së rëndë janë dy vëllezër, M. A dhe D. A.
Shtetasi M. A (autori i dyshuar), mbahet në ruajtje nga shërbimet e Policisë në spitalin e Durrësit, pasi është i plagosur. Policia është vënë në ndjekje të autorit tjetër, shtetasit D. A.
Ndërkohë, 5 personat që mbetën të plagosur po marrin mjekim në spitalin e Durrësit dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Policia njofton se ka bllokuar dy automjete që u përkasin pjesëtarëve të palëve që janë konfliktuar.
Po ashtu janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Kavajës disa persona dhe grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Meta: Të rritet gatishmëria e policisë, PD: Krimi ka imunitet nga pushteti
Për ngjarjen reagoi Presidenti Ilir Meta i cili shprehu shqetësimin e thellë për atë ndodhi në Kavajë. “Presidenti Meta pati një bisedë telefonike me Kryetarin e Bashkisë së Kavajës, z.Isa Sakja dhe i kërkoi t’i përcjellë ngushëllimet dhe solidaritetin e Tij më të sinqertë të afërmve dhe familjarëve të qytetarit që humbi jetën, si dhe u uron shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve. Presidenti Meta kërkon nisjen e menjëhershme të hetimeve për këtë ngjarje të rëndë, zbardhjen e shpejtë dhe të plotë të saj, si dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve”, thuhet në një reagim të Presidencës. Kreu i shtetit thekson domosdoshmërinë e rritjes së gatishmërisë së Policisë dhe agjencive ligjzbatuese, për të marrë të gjitha masat e duhura për garantimin e sigurisë publike në vend dhe parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla kaq të rënda e tragjike.
Për ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe Partia Demokratike. Ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, përmes një postimi në “Facebook”, ka shprehur ngushëllimet për kalimtarin që mbeti i vdekur.
Më tej, ish-deputeti Alibeaj shkruan se krimi sot nuk e ka më frikë qeverinë sepse ajo është zgjatim i tij. Sipas tij, krimi në vendin tonë ka imunitet nga pushteti.
“Një qytetar u vra sot në Kavajë, ndërsa ishte duke blerë bukë. Në mes
Një qytetar u vra sot në Kavajë, ndërsa ishte duke blerë bukë. Në mes të qytetit, në mes të ditës, përplasjet me armë terrorizojnë qytetarët. Krimi nuk e ka më frikë qeverinë sepse ajo është thjesht zgjatim i tij! Policia është e zënë me arrestime politike, pasi krimi ka imunitet nga pushteti në Shqipëri.
Zoti ua lehtësoftë dhimbjen familjareve të Ramazan Hasalliut. Shërim të shpejtë të plagosurve”, shkruan ish-deputeti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




