Ngjarje

Përplasja te PD/ Të dyja palët nën hetim, mes tyre edhe 16 fëmijë. A do të pyeten Berisha e Basha?

Të dyja palët, edhe ata që tentuan të marrin selinë e PD dhe ata që ishin mbështetës të kryedemokratit Lulzim Basha, pritet të vendosen nën arrest. Sipas burimeve të sigurta të Gazetës “Si”, 12 prej të shoqëruarve janë të rinj të gjendur në katin e dytë të ish-SHQUP-it, në dyert e mbyllura dhe të blinduara dhe ata dyshohet se ishin të përgatitur me lëndë lakrimogjene që i hodhën ndaj grupit tjetër, i cili me veprime të dhunshme tentoi të kapërcente portat e blinduara. 20 të tjerë janë të ndaluar nga pjesa e sulmuesve të thërritur nga Grupi i Rithemelimit të PD, që shfaqen duke qëlluar me gurë, me lëndë plasëse e kapsolla jo vetëm në portën kryesore të kësaj partie, por edhe në hollin e katit të parë dhe në segmentin perëndimor. Për shkak të moshës së mitur, 16 fëmijë që kanë marrë pjesë, që janë ngjitur përmes shkallëve apo që qëlluan me gurë e tulla dritaret e selisë blu, pritet të procedohen në gjendje të lirë. Hetimi për protestën që synoi “lirimin e Partisë Demokratike” ka përfshirë një numër të lartë prokurorësh dhe disa komisariate. Që gjatë kohës së shpërndarjes së protestës që doli nga kontrolli, janë shoqëruar në flagrancë përmbi 60 persona.
Policia po bëhet gati të kuptojë se çfarë lënde ishte gazi që u lëshua nga brenda selisë për protestuesit jashtë, gjatë kohës që mbështetësit e Lulzim Bashës ishin mbyllur në katin e dytë të godinës. Përdorimi nga të gjithë, përfshi edhe policinë që ndërhyri për të ulur përmasat e protestës së përshkallëzuar, dërgoi në spitalet e Tiranës mbi 20 persona, deklarojnë burimet spitalore të Gazetës “Si”. Ndërsa sipas Avokatit të popullit, në urgjencën e spitalit “Nënë Tereza” rezultojnë të kenë marrë trajtim për intoksikim nga gazi lotsjellës 5 persona, ndër ta 3 femra dhe punonjës policie. “Kurse në Spitalin e Traumës morën shërbim 7 persona”, përmend Avokati i Popullit në një raportim paraprak. Por nga lëshimi i gazit në përmasa të konsiderueshme, shumë të intoksikuar u trajtuan menjëherë në autoambulancat e sjella në vendngjarje, ndaj të dhënat e Avokatit të Popullit nuk janë përfundimtare.
Për çfarë do të hetohen?
Sipas policisë, të gjithë të ndaluarit por edhe ata që do të procedohen në gjendje të lirë, janë vendosur nën hetim për “tubim të paligjshëm” dhe “shkatërrim prone”, pasi rezultojnë dëme të konsiderueshme jo vetëm të fasadës së PD, në dritaret dhe dyert, por edhe dëme të brendshme si në muret, kompjuterët, dosjet dhe tavolinat, por edhe përgjatë oborrit, duke nisur nga vazot e luleve dhe 16 mjete të dëmtuara që ishin të parkuara në oborr.
Megjithatë, pyetjes së Gazetës “Si” nëse do të vendosen nën hetim politikanët që e thërritën protestën duke nisur nga ish-kryeministri Sali Berisha, Albana Vokshi, Gent Strazimiri, Flamur Noka e të tjerë demokratë të mbledhur nën siglën Grupi i Rithemelimit, nuk i jepet përgjigjje. Prokuroria deklaron jo zyrtarisht se do t’i pyesë të gjithë, pa specifikuar sakaq edhe emra demokratësh të kampit tjetër, me në krye Lulzim Bashën që gjendej në selinë e Partisë Demokratike gjatë protestës dhe pas daljes jashtë kontrollit të saj. “Nuk ka pyetje kush e fillloi i pari, nëse ishin mbështetësit apo protestuesit”, deklaron jo zyrtarisht policia. “Kemi dy palë mbështetësish që rrezikuan me sende të forta njëri-tjetrin dhe kjo nuk është një çështje që mund të kategorizohet në dëmtime të tjera me dashje”, thanë burime policore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë