Lajme

Përplasja për Krimet e Komunizmit, PD: Dënojmë sulmet ndaj Institutit dhe Tufës

Nëpërmjet një deklarate për mediat, Partia Demokratike ka denoncuar sulmet ndaj Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ndaj Bordit të Institutit, si dhe ndaj drejtuesit Agron Tufa.
Partia Demokratike akuzon kryeministrin Rama, të cilin e cilëson si organizator të sulmeve ndaj këtij institucioni të pavarur.
“Linçimi publik, fyerjet raciste qe bien ndesh me kushtetutën, kundër drejtuesve të këtij institucioni të pavarur nga bashkëpunëtorë të afërt të Edi Ramës dhe mosdistancimi i tij prej tyre, tregojnë se Edi Rama është organizator i sulmeve.
Në këto 6 vite të drejtimit të Shqipërisë nga Edi Rama, enverizmi ka forcuar pozitat e tij në vend. Këngë, filma, dokumentarë, simbole e gjeste publike që glorifikojnë diktatorin komunist Enver Hoxha dhe regjimin e tij çnjerëzor, janë kthyer në normalitet gjatë qeverisjes së Ramës”, thuhet në deklaratën e PD-së.
Partia Demokratike vazhdon më tej duke thënë se këto sulme frymëzohen nga ish-sigurimsat, të cilët janë në krye të institucioneve shtetërore.
“Sulmi ndaj këtij Instituti është i frymëzuar nga ish-oficerët dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, të cilët kanë marrë drejtimin e Policisë, të Shërbimit Informativ dhe të organeve të reja të drejtësisë.
Rilindja e luftës së klasave kundër profesionistëve si Agron Tufa, që po përpiqen të vendosin një tullë në procesin e dekomunistizimit dhe lustracionit të shoqërisë, është pjesë e luftës primitive politike për të goditur çfarëdolloj kritike e opozicioni në vend”, vijon më tej deklarata.
Sipas PD-së, dekomunistizmi nuk duhet të ndalet nga përpjekjet e Edi Ramës për t’i imponuar Parlamentit shkrirjen e të vetmit institut të pavarur për të zbuluar të vërtetën e krimeve të komunizmit.
“E kaluara diktatoriale duhet të zbardhet krejtësisht. Dekomunistizimi i shoqërisë është një prioritet absolut në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian. Ai nuk duhet të ndalet nga përpjekjet e Edi Ramës për t’i imponuar Parlamentit shkrirjen e të vetmit Institut të pavarur për Studimin e Krimeve të Komunizmit”, përfundon deklarata.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë