Politike

Përmbytjet, Meta: Shteti t’i garantojë ndihmën çdo qytetari në zonat e prekura

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për situatën e krijuar nga përmbytjet në disa zona të vendit, pas reshjeve të dendura të shiut.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kreu i shtetit shprehet se janë dhjetëra shtëpi e biznese të përmbytura dhe kërkon angazhimin e shtetit për të ndihmuar çdo qytetar të prekur nga përmbytjet.

Meta bën thirrje që të merren masa nga autoritetet qendrore dhe lokale për minimizimin e dëmeve dhe strukturat operacionale të qëndrojnë në gatishmëri.

“Në këtë gjendje të rënduar, nevojitet urgjentisht angazhimi i të gjitha strukturave qendrore e vendore për minimizimin e pasojave në prona dhe shmangien e çdo rreziku për shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

Strukturat operacionale të Mbrojtjes Civile, Grupet e Kërkim-Shpëtimit e Evakuimit dhe Shërbimet Zjarrfikëse duhet të jenë 24/24 orë në terren pranë qytetarëve në nevojë. Ministria e Mbrojtjes dhe Rezervat e Shtetit, pa vonesë, duhet të përgatisin ndihmat ushqimore për familjet, që u janë përmbytur shtëpitë.

Ministria e Bujqësisë, menjëherë të dërgojë pranë banorëve në nevojë, bazën aq të nevojshme ushqimore dhe koncentratet për bagëtitë”, shkruan presidenti Meta.

Ndër të tjera, kreu i shtetit thotë se duhet “të garantohet funksionimi me kapacitet të plotë i hidrovoreve dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar të monitorojë situatën në të gjitha akset, ku ka potencial rrezikshmërie për rrëshqitjen e tokës, me qëllim shmangien e aksidenteve, si dhe të marrë masa urgjente për hapjen e çdo segmenti të bllokuar nga dëbora. Të raportohet periodikisht për situatën dhe të vlerësohen me shumë seriozitet paralajmërimet e Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, si i vetmi organ, që meriton vlerësime për përmbushjen me përgjegjësi të detyrës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë