Kosova

Përmbytje edhe në Kosovë, 70 të evakuuar në Gjakovë

Rreshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar pëmbytje jo vetëm në Shqipëri por edhe ne Kosovë.

Instituti Hidrometorologjik i Kosovës (IHK) bën të ditur se pas reshjeve të shiut dhe borës në disa pjesë të vendit ka pasur vërshime dhe përmbytje. Ai parashikon një përkeqësim të situatës, pasi edhe gjatë ditëve në vazhdim të ketë reshje në gjithë vendin.

“Reshjet e shiut dhe të borës të cilat tani po bien, do të vazhdojnë edhe gjatë natës dhe në ditët në vazhdim”, thuhet në njoftim.

Sasitë e reshjeve aktualisht më intensive janë në rajonin e Dukagjinit ndërkohë që në të gjithë Kosovën ka patur ngritje të nivelit nëpër lumenj.

“Më i rrezikuari është Drinit të Bardhë, ku nivelet kanë arritur nivelet maksimale dhe në disa zona ka dalë nga shtrati (Drini Bardhë, Ereniku, Bistrica e Pejës Bistrica e Deçanit, Mirusha, Toplluha) pastaj në pellgun e Ibrit lumenjtë: Ibri, Sitnica, Drenica me degët e tyre”, thuhej në njoftim.

Ashtu si ushtria shqiptare, edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka bërë të ditur se pas gjendjes së krijuar me reshjet në nivel vendi, ka ngritur gjendjen e gatishmërisë, ku gjatë orëve të vona ka realizuar operacionet e kërkim – shpëtimit në disa zona ku është rrezikuar jeta e qytetarëve.

Operacionet janë realizuar me sukses dhe ushtria ka arritur të evakuojnë qytetarë të ngujuar në shtëpitë e tyre.

Komuna e Gjakovës ndërkaq ka njoftuar se rreth 70 banorët e evakuuar nga lagjja “Shotë Galica” dhe janë strehuar përkohësisht në ambientet e Aeroportit të Gjakovës.

Në anën tjetër, rrjetin social Facebook, zjarrëfikësit e Kosovës kanë postuar disa fotografi ku shihen duke ndihmuar qytetarët.

Komuna e Malishevës përmes një njoftimi të dielën ka bërë të ditur se është rritur niveli i ujit, në lumin Mirusha dhe kanë ndërhyrë ekipet e intervenimit. Një ditë më herët Komuna e Malishevës kishte njoftuar se rruga që lidhë fshatin Rud të Malishevës me fshatin Sferkë të Klinës, është dëmtuar dhe është tërësisht e pakalueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë