Media Galeri

Përmbytje ‘apokaliptike’ në Dubai, bllokohet aeroporti

Gazeta Si - Asnjëherë kaq shumë ujë në Dubai. Agjencia shtetërore e lajmeve “Wam”, i cilësoi reshjet e dendura të shiut, "një ngjarje historike të motit" që tejkaloi "çdo gjë të dokumentuar që nga fillimi i mbledhjes së të dhënave në vitin 1949".

Stuhi të forta goditën Emiratet e Bashkuara Arabe, duke përmbytur pjesë të autostradave kryesore dhe aeroportin ndërkombëtar të Dubait, duke krijuar shumë shqetësime për turistët.

Reshjet filluan të hënën në mbrëmje dhe të martën kishin rënë mbi 142 milimetra në harkun kohor të 24 orëve, kur mesatarisht regjistrohen 94.7 milimetra në vit.

Ndërprerjet ndodhën në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait, më i ngarkuari në botë për udhëtimet ndërkombëtare dhe qendra e transportuesit “Emirates” me distanca të gjata.

Të martën në mbrëmje, autoritetet aeroportuale u detyruan të bllokonin përkohësisht mbërritjet.

Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait pranoi se përmbytja la "opsione të kufizuara transporti" dhe ndikoi fluturimet, pasi ekuipazhet e avionëve nuk mund të arrinin në aeroport.

"Rikuperimi do të marrë pak kohë," shkroi ai në faqen zyrtare "X", "Ju falënderojmë për durimin dhe mirëkuptimin tuaj ndërsa përballemi me këto sfida".

Në një mesazh të mëvonshëm, përsëri në “X”, aeroporti këshillon "të mos arrini në aeroport nëse nuk është absolutisht e nevojshme".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë