Art dhe Kulture

Përkujtohet Naum Prifti, shkrimtari që pas riedukimit në Shqipëri zgjodhi lirinë në Amerikë

Një shkrimtar që shkon për riedukim një dekadë, mundet edhe të mbijetonte përmes artit. Mjafton të gjeje disa elementë artistike që do ta mbanin gjallë veprën.

Ky ishte rasti i Naum Priftit, dramaturgut që punoi fort të kapej në elementët e letërsisë, tekstit për kinemanë e teatrin.

Rafaela Prifti ka mbërritur nga Amerika për të nderuar figurën e të atit, që përtej shkrimtarit dhe jetës aspak të thjeshtë në komunizëm, e që prej vitit 1991 në emigrim në Amerikë, ajo dhe familje ruajnë edhe kujtime të bukura.

Miq kolegë e dashamirës të veprës së tij u bënë pjesë e një diskutimi në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit duke sjellë ndër bisedë veprat që la pas shkrimtari.

Naum Prifti lindi në Rehovë të Kolonjës, ku kreu shkollën fillore. Më pas, në Ersekë, atë 8-të vjeçare. Në 1953, mbaron Politeknikumin Mjekësor në Tiranë. Punoi një vit si ndihmës mjek në Sanatoriumin e Korçës. I pasionuar pas letërsisë, vazhdoi studimet për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Gjatë viteve 1954-1960 ka shërbyer si redaktor në revistën Hosteni. Ndërsa nga 1960-67 si redaktor në revistën “Ylli”. Më pas ka punuar si arsimtar nga 1967-70 në Divjakë të Lushnjes.

Në 1970-72 ka pasur përgjegjësinë si redaktor përgjegjës për buletinin “Skena e fëmijëve”, pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, Tiranë dhe si inspektor teatri në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës gjatë 1974-76. Në këto vite ka shërbyer edhe si pedagog i jashtëm për Letërsinë Shqipe në Universitetin e Tiranës.

Në vitin 1991, emigroi në Amerikë (New York), ku dha ndihmesën e tij për komunitetin shqiptar dhe për Letërsinë Shqipe. Në vitin 1995 u zgjodh sekretar i Federatës Panshqiptare Vatra.

Me krijimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë e zgjodhën kryetar të saj.

Ka fituar shumë çmime për veprat letrare si vëllime me tregime, novela, letërsi për fëmijë, humor dhe skenarë filmash.

Në vitin 2001 u nderua nga Ministria e Kulturës dhe Lidhja e Shkrimtarëve me çmimin: “Penda e Argjendë”, për vëllimin me legjenda “Nëna e Diellit”. Çmimin “Penda e Artë” për vëllimin me tregime dhe skica humoristike “As Miço, As Muço” nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptare-Amerikane, New York, 2003. Për punën e tij të gjatë, të vazhdueshme letrare dhe me nivel artistik, është Dekoruar nga Kuvendi Popullor me Medaljen e Punës dhe “Urdhrin Naim Frashëri klasi ll-të”.

Krijimtaria e tij letrare është e larmishme dhe shtrihet në disa gjini : tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë, etj. Janë thuajse 100 vepra letrare, më shumë se vite jete dhe dyfishi i një gjysmëshekulli krijimtarie. Mijëra e mijëra faqe të shkruara me dorë, të shtypura me makinë të thjeshtë shkrimi, dhe të hedhura në kompjuterin e ditëve tona, qindra e qindra analiza, diskutime, letërkëmbime, biseda, që mund t’i quash pa frikë-publicistikë, për nga idea dhe mesazhi që mbartin dhe përcjellin.

Tregimi : “Dimri i Uris ka fituar çmim Nderi (Honour Prize), në Konkursin Letrar Ndërkombëtar të Maison Naaman pour la Culture, 2004-2005. Autori pranohet anëtar Nderi i Shoqatës Kulturore Naji Naaman.

Naum Prifti u nda nga jeta vitin e shkuar në moshën 91 vjeçare në SHBA vitin e shkuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë