Nga Gazeta ‘Si’- Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” organizoi ceremoninë përkujtimore për gjeneralin Enrico Tellinin, Kryetari i Komisionit Ndërkombëtar të Përcaktimit të Kufijve, i cili u vra në 27 gusht të 1923-shit në një pritë të mirëorganizuar.
Fondacioni, i cili vëren se kjo figurë historike është lënë në harresë, thekson se ajo që ka çuar në vrasjen e tij është përcaktimi i kufijve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Komisioni Hetimor Ndërkombëtar i ngritur posaçërisht për këtë rast vërtetoi gjithashtu se vrasja ishte organizuar nga qeveria greke.
Vrasësit, që kishin bllokuar rrugën me anën e një peme, duke përdorur armë të prodhimit gjerman, ekzekutuan të gjithë sa ndodheshin në makinë, shoferin, një mjek, oficerin e Gjeneralit, përfshirë edhe përkthyesin shqiptar.
“100 vjet më parë u vra pak kilometra nga Kakavija kryetari i Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër gjenerali italian Enrico Tellini dhe 4 shoqëruesit e tij. Vrasja e gjeneral Tellinit është një nga barabaritë me ekstreme që ka parë bota dhe vepra me represive e miopisë nacionaliste greke. Një gjest tragjik, i hidhur dhe i pabesë neveria e të cilit ndihet edhe sot pas 100 vitesh” deklaroi Kreu i Fondacionit, Alket Veliu i cili tha se do t’i dërgohet një kërkesë bashkisë së Tiranës, që një shesh apo një rrugë në kryeqytet të mbajë emrin e gjeneralit.
Profesor Lorenzo Franchini, stërnip i Tellinit u shpreh se grekët e sulmuan gjeneral Tellinin pasi sipas tyre ai ishte një hero fashist. Por, kjo nuk është e vërtetë, vëren ai, ndërsa shton se në fakt familja Tellini ishte e borgjezisë së lartë.
“Greqia nuk donte të vriste Tellinin, por Shqipërinë”
Për anëtarin e Akademisë së Shkencave Ksenofon Krisafin, vrasja e gjeneral Tellinit është provë e politikës ekspansioniste e grekëve ndaj Shqipërisë. Por ai shprehet se ata që e ekzektuan nuk kishin asgjë me Tellinin, madje, sipas tij, ka shumë të ngjarë që as nuk e njihnin.
“Ata përmbushën detyrën që ju ishte ngarkuar nga eprorë të tyre sepse ata ishin në shërbim të shtetit të vetë, të Greqisë dhe Greqia nuk donte të vriste Tellinin, donte të vriste Shqipërinë sikurse kishte bërë dhe herë të tjera. Italiani i ndershëm Enrico Tellini mbi gjithçka donte dhe respektonte të vërtetën, që në ditët e fundit të jetës së tij ishte në anën e Shqipërisë”, deklaron Krisafi i cili gjykon se në fakt ajo që ndodhi në 1923-shin ishte projektuar dhe planifikuar së paku 79 vite më parë.
“Nëse bëjmë një llogari të thjeshtë kuptojmë që pohimi i mësipërm buron dhe mbështetet mbi një analizë ngjarjesh dhe zhvillimesh si dhe të platformave politike të fqinjëve tanë në jug dhe veri. Është e pakontestueshme që Tellini e humbi jetën nga disa burracakë ushtarakë. Gishti mbi këmbëzën e armës ishte vendosur shumë herët, që prej vitit 1844. E kishin vendosur aty një ekip politikanësh ekstremistë grekë, në krye të të cilëve për fat të keq ishte një arvanitas, Ionnais Kolettis. Qeveria greke udhëhiqej nga ide shoveniste”, deklaron ai ndërsa shton mandej se një ndër objektivat e strategjisë parësore ekspansioniste greke ishte zhvendosja drejt tokave shqiptare.
Tellini, viktimë e politikës greke
“Të gjitha tentativat e mëparshme të ndërmarra nga autoritetet greke për ta çuar kufirin e shtetit të vetë nga Arta, Preveza në Shkumbin kishin dështuar. Kishte dështuar gjithashtu dhe përpjekja tinëzare greke që u shfaq në negociatat e ndërmarra gjatë viteve 1876-1878 ndërmjet përfaqësuese të shtetit grek dhe udhëheqësve të ndritur të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare me në krye Abdyl Frashërin në të cilat u bisedua rreth projekteve konkrete të bashkëpunimit në luftën kundër Perandorisë Osmane”, vijon Krisafi i cili shton se ndërsa shqiptarët synonin që nëpërmjet krijimit të një shteti shqiptaro-grek të lehtësonin procesin e shkëputjes nga Perandora Osmane, grekët synonin ta përdornin këtë truk për të pushtuar lehtë dhe pa kosto territoret shqiptare.
“Ata nisën të merrnin disa territore në jug duke zhytur në fatkeqësi disa dhjetra shqiptarë. Gjatë Luftës së Parë Botërore pushtuan territore të tjera në jug të vendit. Pasi nisën mosmarrëveshjet me armë, forumet ndërkombëtare caktuan një delegacion për dermakacionin e kufijve shqiptaro- grek që kryesohej nga Enrico Tellini. Athina vazhdonte të krijonte pengesë, të ushtronte dhunë ndaj banorëve duke i detyruar të deklaroheshin grekë”, thotë mandej ai porse shton se Tellini i gjykonte këto deklarime me shumë realizëm dhe i konsideronte sabotim të qëllimshëm të punës së Komisionit për çka nuk hezitonte as të raportonte herë pas here te ato që e kishin sjellë.
Në Athinë, ndërkohë struktura të caktuara gjykuan se ishte me interes pezullimi i veprimtarisë së Komisionit të Përcaktimit të Kufijve, nëpërmjet eleminimit fizik të gjeneralit Enrico Tellini.
“Kur letra të mbërrijë, dyshoj që nuk do jem gjallë”/ Parandjenja famëkeqe e Tellinit
Ai gjatë gjithë gushtit 1923 ishtë bërë objekt akuzash dhe kërcënimesh të hapura. Këtë situatë të rëndë do ta përshkruante vetë në një raport që i drejtonte Lidhjes së Kombeve më 26 gusht 1923. Një ditë para se të eleminohej. Ndër të tjera thoshte:
“Gjithë kjo atmosferë e krijuar më bën të dyshoj se mos ndoshta e gjithë puna e bërë do të shkatërrohet nga kryetari i palës greke i cili gjithmonë shpik incidente që të mos u bindet vendimeve të Komisionit, që është i paanshëm e nuk duhet të na kundërshtojë me plumb në gojë siç bën ai. Kam shumë dyshim se kur kjo letër e shkruar prej meje sot të mbërrijë në destinacion, unë mund të mos jem më gjallë.”
Parandjenja e tij nuk do të vonohej të vërtetohej. Një ditë më vonë, pa mbërritur letra, gjeneral Tellini u vra...
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.