Nga Gazeta “SI”– Një shërbim përkthimi letrar me inteligjencë artificiale, i synuar si për botuesit tradicionalë ashtu edhe për autorët vetëbotues, është lançuar në Mbretërinë e Bashkuar.
GlobeScribe.ai, i cili aktualisht tarifon 100 dollarë për libër, për çdo gjuhë, ofron përkthime automatike për fiction.
“Gjithmonë do të ketë vend për përkthime njerëzore nga ekspertë, veçanërisht për tekste shumë letrare ose komplekse,” thanë themeluesit Fred Freeman dhe Betsy Reavley, të cilët më parë themeluan Bloodhound Books, një shtëpi botuese e specializuar në zhanrin e krimit dhe trillerit.
“Por GlobeScribe.ai hap mundësi të reja, duke e bërë përkthimin një opsion të realizueshëm për një gamë shumë më të gjerë fiction-i.”

Sipas kompanisë, GlobeScribe ka kryer “testime të gjera” për të vlerësuar mjetin e saj. Folës amtare shqyrtuan përkthime të realizuara nga IA krah përkthimeve njerëzore, pa ditur se cila metodë ishte përdorur për secilin tekst.
“Reagimet treguan në mënyrë të përsëritur se lexuesit nuk ishin në gjendje të dallonin me saktësi se cili përkthim ishte bërë nga inteligjenca artificiale dhe cili nga njeriu,” thuhet në deklaratën e kompanisë.
“Në disa raste, recensuesit ndjenin madje se versionet e ndihmuara nga IA ishin më të afërta në ton dhe besnikëri me dorëshkrimin origjinal në anglisht.”
Megjithatë, përkthyes të njohur dhe një shoqatë profesionistësh kanë shprehur shqetësim për këtë nismë.
GlobeScribe “mund të pretendojë se po i hap letërsisë një akses global, por qasja e tyre anashkalon vetë njerëzit që e bëjnë letërsinë të rezonojë ndërkulturalisht,” tha Ian Giles, kryetar i Shoqatës së përkthyesve dhe autorëve.
“Të sugjerosh se IA mund të barazohet, apo edhe të tejkalojë punën e nuancuar të përkthyesve njerëzorë në emër të autorëve, është thjesht e gabuar.”
“Përkthimet më të mira letrare ofrojnë më shumë sesa thjesht saktësi apo besnikëri fjalë për fjalë ndaj një fjalie,” tha Polly Barton, shkrimtare dhe përkthyese e veprave si bestselleri Butter nga Asako Yuzuki, nga japonishtja në anglisht.
“Ato ndërveprojnë me kontekstin nga i cili ka lindur libri dhe rikrijojnë ritmin, atmosferën, timbrin emocional dhe gjithë ato elementë më pak të dukshëm që në fund përcaktojnë pasurinë dhe kënaqësinë e përvojës së leximit.”

Deepa Bhasthi, përkthyesja e veprës Heart Lamp nga Banu Mushtaq, nga gjuha Kannada në anglisht ( fituese e Çmimit Ndërkombëtar Booker këtë vit) tha:
“Ka shumë fjalë në Kannada që përmbajnë tërë botëkuptimet kulturore brenda tyre, ku ka aq shumë të nënkuptuar ose të fshehur në kontekstin kulturor, sa edhe në kuptimin leksikor. Dhe për t’i përkthyer këto fjalë, nevojitet një njeri, me një kuptim të botëve të dukshme dhe të padukshme.”
Themeluesit e GlobeScribe, Betsy Reavley dhe Fred Freeman, thanë se, ndonëse “e kuptojnë se pjesë të industrisë janë me të drejtë të kujdesshme për atë që IA mund të sjellë për artet,” ata “besojnë se këto mjete janë këtu për të qëndruar dhe se duhen përqafuar me maturi dhe përgjegjësi.”
Ata shtuan se IA mund të rrisë kreativitetin dhe të ndihmojë përkthyesit profesionistë “të shtojnë produktivitetin dhe prodhimin e tyre.”
Themeluesit e bënë të qartë se “nuk bëhet fjalë për zëvendësimin e përkthyesve njerëzorë.”
Julia Sanches , përkthyese e veprave si Boulder nga Eva Baltasar, nga katalanishtja në anglisht tha:

“Edhe pse nuk mendoj se GlobeScribe mund të përkthejë tekstet letrare që përkthej unë, më trishton shfaqja e gjithë këtyre shërbimeve të reja të përkthimit me IA. Ato krijojnë përshtypjen se përkthimi është i menjëhershëm, gjë që e zhvlerëson punën time, dhe se përkthimi është mediokër, çka mund të bëjë që ‘mjaftueshmërisht mirë’ të kthehet në standardin e ri për letërsinë. Dhe kjo është një padrejtësi si për autorët ashtu edhe për lexuesit.”
“Por kjo nuk ndalet vetëm te përkthimi,” shtoi sërish Barton. “Ndoshta përkthyesit janë të parët që rrezikohen të zëvendësohen nga teknologjitë e inteligjencës artificiale, por së shpejti edhe shumë profesione të tjera do të kërcënohen në të njëjtën mënyrë. Mbetet në dorën tonë të vendosim nëse duam apo jo që kjo të ndodhë.”
Burimi: The Guardian
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



