Komiteti Teknik i Ekspertëve ka parë të arsyeshme që masa e vetme që duhet në këto momente, është vaksinimi pavarësish se infektimet kanë pësuar rritje ditët e fundit, ndërsa rekomandohet që maskat të mbahen në ambientet e mbyllura. Dje kishim rreth 1000 infektime ditore, ndërsa zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha se nuk është momenti për të marrë masa shtesë.
Duke apeluar për vaksinim, Rakacolli shpjegoi se bashkë me rikthimin e rasteve të larta, është parë dhe një rritje në numrin e të shtruarve në spital. Gjithashtu kemi edhe vdekje ditore.
Drejtoresha e ISHP, Eugena Tomini tha se në vendin tonë aktualisht ka dominim të variantit BA.2 dhe nuk janë konfirmuar variante të reja. Ndërsa, në vendet Europiane po shihet një trend rritje të variantit BA.5.
“Në 90% të bashkive kemi raste aktive dhe popullata duhet të ndërgjegjësohet, për vaksinim me dozë të tretë dhe të katërt”, shpjegoi Tomini.
Sipas Shefes së Shërbimit Epidemiologjik në ISHP, Silva Bino, në këtë periudhë është shumë e rëndësishme doza e tretë, edhe nëse individët kanë 1 muaj që kanë kaluar infeksionin Sars-Cov-2.
“Përqindja e vaksinimit me dozat e para ka rënë këtë javë, në krahasim me një javë më parë. Ndërkohë që vaksinimi me dozën e tretë ka shënuar një rritje të lehtë, por përsëri përqindja e vaksinimit ditor dhe javore mbetet e ulët, në krahasim me muajt paraardhës”, shpjegoi Bino.
Sipas të dhënave të ISHP rezulton:
-Përqindja e vaksinimit në popullatën target +12 vjeç është 51.3 % me një dozë. Ndërsa me dy doza është 47%. Me tre doza është 13.1 për qind. Ndërsa me dozën e katërt është në 0.2%.
-Përqindja e vaksinimit në popullatën adulte është 68% me një dozë dhe 57% me dy doza. Me dozë të tretë është në 12.4 %.
-Përqindja e vaksinimit në popullatën e përgjithshme mbulesa vaksinale, është 49% me dozë të parë dhe 46% me dy doza, ndërsa vaksinimi me dozë të tretë është 10%.
-Vaksinimi më i lartë është mbi 70% me dy doza në grupmoshën +70 vjeç. 36% prej tyre kanë marrë dozën e tretë.
-Në grup moshën +60-vjec kjo mbulesë vaksinale është 68% me dy doza dhe 35% me 3 doza.
-Grup mosha +40-vjeç kanë mbulesë vaksinale me dy doza ndërsa me dozë të tretë ka një ulje drastike me 8%.
-Grup mosha nën 30-vjeç ka një mbulesë vaksinale 30% me dy doza dhe 5% me dozë të tretë.
Ndërsa, Shefja e Shërbimit Infektiv në QSUT, Najada Çomo, ka shpjeguar se në spitale ka grup mosha të ndryshe.
“Mbi 62% është mbi 60-70, por ka pasur edhe një 20-vjeçarë. Janë persona të pa vaksinuar, me vaksinë të lënë në mes dhe kryesish ato që kanë bërë vaksinimin e hershëm. Kështu bërja e dozës së tretë është e domosdoshme”, shtoi Çomo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




