Njerez

Përjetoi torturat komuniste, ndahet nga jeta meshtari Dom Gjergj Simoni

Gazeta Si – Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare dom Gjergj Simoni, i cili për shume vite vuajti në burgjet e komunizmit bashkë me një pjesë të konsiderueshme të martirëve.

Simoni lindi në vitin 1933 në qytetin e Shkodrës dhe ishte ndër meshtarët e parë që u shugurua nga Vatikani. 

Ai është autor i disa librave të ndryshëm me tematikë fetare dhe jo vetëm.

Famullia e Dajçit, ndërsa jep lajmin e ndarjes nga jeta të meshtarit Dom Gjergj Simoni, shprehet se kontributi i tij do të mbetet i pashlyer.  

“Të dashtun, sot me datë 28 janar 2022, kaloi n’Amshim, Dom Gjergj Simoni, nji ndër dëshmitartë dhe bashkëvujtës me Martirt tanë gjatë kohës së komunizmit. Dom Gjergji ka sherby per 17 vjet ne famulline e Dajçit. Ka pas kohet ma te veshtira, te hapjes se Kishave. Kontributi i tij mbetet i pashlyer ne mendjet e besimtareve dhe ne veprat qe ka lane ne rimbekembjen e jetes shpirterore!”, shkruan Famullia.

Kush ishte Dom Gjergj Simoni

Gjergj Simoni u lind në 8 dhjetor të vitit 1933 në qytetin e Shkodrës në një familje me origjinë qytetare, ku të parët e tyre janë vendosur aty tek “Arra e Madhe” që prej 400 vjetësh. Gjyshi i Gjergjit, Moni Simon, ka qenë njëri ndër tregtarët më të mëdhenj të pazarit të Shkodrës (Bezistanit) dhe pasurinë e tij ai e kishte vënë nga tregtia që bënte asokohe me Italinë.

Kleriku është autor i shumë botimeve, ndërsa pak kohë para se të ndahej nga jeta u njoh edhe me dosjen e Sigurimit të Shtetit.

Pas më shumë se 30 vitesh nga lirimi i tij nga burgu, Autoriteti i Informimit mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit i dorëzoi Dom Gjergj Simonit dosjen mbi dënimin e tij nga regjimi monist. Dom Gjergj Simoni në hetuesi por edhe në sallën e gjyqit deklaroi në atë kohë me guxim se udhëheqja komuniste ishte tradhtare e kombit.

Mes poezive më të spikatura që kishte shkruar asokohe kundër regjimit në fuqi ishin ato të titulluara: “Letër Luciferrit” dhe “Mëngjese në Shkodër”. Te poezia e parë satirizonte Enver Hoxhën dhe tiraninë e tij, ndërsa tek e dyta nxirrte në pah mjerimin e madh të punonjësve të qytetit, ku midis të tjerash shkruante: “Mëngjesi në Shkodër i mvrenjtun/Si retë njerëzit shpërndahen në punë,/ S’u qesh kurr’ buza e ashtu të mbetun/Punojnë të heshtun me dhunë./ Kumbonat që shpërndanin gëzimin/ Lajmtare e një ditës së re,/ Atyne i zu vendin çekiçi/ E heshtën si i vdekuni nën dhe”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë