Gazeta Si - Tre punonjës policie janë përjashtuar këtë të mërkurë me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku, për shkelje të rregullores së Policisë së Shtetit.
Policët e përjashtuar janë Ylber Dybeli, Redi Mato dhe Renato Feri, ky i fundit u kap sot me drogë në makinë.
Nga radhët e policisë është përjashtuar inspektor Ylber Dybeli, me detyrë trup shërbimi në Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Ai u pezullua më 22 dhjetor, pasi gjatë kohës që ka qenë jashtë orarit të shërbimit është konfliktuar me efektivët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë.
Një tjetër inspektor, Redi Mato, me detyrë trup shërbimi, në Seksionin për Rendin, në Komisariatin e Policisë Elbasan, është pezulluar nga detyra pasi në datën 21.12.2022, është konfliktuar me punonjësin e policisë Ervis Hasa, gjatë kohës që të dy kanë qenë jashtë orarit të shërbimit. Ndaj këtij të fundit është caktuar masa disiplinore “Shtyrja e afatit të gradimit për 2 vjet”.
Efektivi tjetër i policisë, Renato Feri u pezullua pasi kur është ndaluar nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, për të ushtruar kontroll në automjetin e tij, i ka kundërshtuar, ofenduar dhe kërcënuar ata.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.