Lajme

Peripecitë e TikTok vazhdojnë edhe në Europë

Zhvilluesit e aplikacionit Tik Tok janë pjesë e një kompanie me bazë në Pekin që quhet “ByteDance”. Programi është etiketuar si një kërcënim për sigurinë kombëtare nga ligjvënësit amerikanë në fillim të këtij viti. Por aplikacioni është shtrirë pa u vënë re nga politikëbërësit në të gjithë Europën.
TikTok është një nga platformat e pakta në internet që ka synuar tregjet perëndimore. Gjithashtu ka pasur një rritje të menjëhershme të përdoruesve në të gjithë botën.
Gjatë 12 muajve të fundit, aplikacioni për shpërndarjet e videove, është shkarkuar më shumë se 750 milion herë, duke tejkaluar konkurrentët si Facebook, Instagram, Youtube dhe Snapchat, sipas të dhënave nga kompania e kërkimit Sensor Tower. Tashmë ka më shumë se 500 milionë përdorues aktivë në të gjithë globin, duk përfshirë shumë vende në Europë.
Aplikacioni është përdorur kryesisht nga adoleshentët dhe përdoruesi duhet të jetë mbi 13 vjeç për të pasur një llogari në Tik Tok, por sipas të dhënave të fundit është e lehtë të anashkaloni kufirin e moshës dhe të postoni video të shkurtra me muzike ose tekste në sfond. Në fillim të këtij viti reperi 20-vjecar amerikan Lil Nas X u bë i famshëm në të gjithë botën, vetëm pasi kënga e tij “Old Town Road” u bë virale në platformë.
Por veprimtaria e TikTok po shtyn politikëbërësit në Europe që ta marrin parasysh në tryeza e tyre të hartimit të politikave. Gjatë këtyre muajve, kompania ka punësuar ekspertë të politikave në Londër, Dublin, Paris, Berlin dhe Bruksel për ta ndihmuar që të mos ketë probleme legjislative në Europë.

Reperi Lil X i cili u bë i famshëm nga videot në TikTok

“TikTok pranon që Brukseli është vendi i rregullave. Është një fushë në të cilën ata duan të marrin pjesë,” tha Siada El Ramly, i cili drejton “Edima”, revistë teknologjike me bazë në Bruksel.
Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara, Komisioni Federal i Tregtisë e ndaloi aplikacionin me akuzën se grumbullon informacione personale në mënyrë të paligjshme nga fëmijët.
TikTok gjithashtu po përballet me të njëjtat sfida si platformat e tjera të rrjeteve sociale kur bëhet fjalë për luftimin e lajmeve të rreme, gjuhës së urrejtjes dhe propagandës terroriste në internet. Në tetor, gazeta amerikane “The Wall Street Journal” raportoi se aplikacioni kinez po përdoret gjithashtu edhe nga organizata terroriste ISIS si një mjet propagande.

Por, tashmë TikTok do t’i përmbushë të gjitha rregullat e tregut Europian dhe kjo vjen pas mosbesimit që publiku ka krijuar ndaj aplikacionit. Në tetor, dy senatorë të administratës Trump lobuan që aplikacioni të hetohej pasi sipas tyre është një rrezik i sigurisë kombëtare për SHBA.
Kompania ByteDance është e vetëdijshme se Komisioni Europian i ardhshëm dëshiron të rrisë përpjekjet për rregullimin e platformave, tashmë është duke punuar për të qenë më pranë parimeve të BE.
Sipas një zëdhënësi të TikTok, kompania dëshiron të sigurojë se do të jetë pjesë e bisedës në hartimin e politikave në BE. Në Bruksel, TikTok është në kërkim të një menaxheri politikash, roli i të cilit do të jetë "të punojë me politikë-bërës, partnerë të sektorit privat dhe organizata joqeveritare (OJQ) për çështje të privatësisë, sigurisë dhe pronësisë intelektuale."

Në maj, aplikacioni kinez punësoi veteranen e politikës teknologjike Elizabeth Kanter, e cila ka punuar për SAP, Yahoo dhe Blackberry, si drejtoreshë e politikës publike në Londër. TikTok gjithashtu ka punësuar një mori ekzekutivësh nga kompanitë e tjera si Snapchat, Huawei dhe Facebook në kryeqytetet e tjera evropiane. Komisioni Evropian nuk pranoi të komentojë nëse zyrtarët e BE janë të shqetësuar, për kompaninë dhe ndikimin e saj në sigurinë e vendeve të BE.
"TikTok deri më tani nuk ka qenë shumë i rëndësishëm për punën tonë," tha një zyrtar i BE-së i përfshirë në rregullat e rrjeteve sociale.
ByteDance, kompania që ka krijuar e TikTok, mori pjesë në tryeza të rrumbullakëta mbi reformën e të drejtave të autorit në BE, të organizuar nga Komisioni Evropian në tetor dhe nëntor. Mesazhi i kompanisë ishte se nuk ka për qëllim të vjedhë të dhënat e përdoruesve, por vetëm t’u ofrojë atyre një mënyrë për të komunikuar me njëri-tjetrin. Burimi:Politico. Solli në shqip Gazeta "Si"

Copyright © Gazeta "Si"

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë