Ekonomi

Përhapja e virusit në Shqipëri po “çmend” ekonominë. Ekspertët këshillojnë kurën…

Po tani që infeksioni në Shqipëri është 2-3 fishuar nga COVID -19, edhe pse  karantina është hequr, a do të jetë më keq ekonomia se gjatë izolimit të tremuajve të parë që kur u mbyllën bizneset?

Përgjigjen e  kësaj pyetje 1 milion dollarëshe , as kush nuk është në gjendje ta jap për sa  kohë nuk mund të dihet fundi i pandemisë. Ajo që dihet deri tani është ekonomia globale ka pësuar goditje të forta, madje mendohet më të forta se kriza e 2008-ës.  Këtë shqetësim po e përjeton edhe Shqipëria e  cila sipas ekspertëve “është e pambrojtur dhe është nga ato ekonomi që krizat e gjejnë të papërgatitur dhe e godasin më rëndë”.

Ish Ministri i Fianancave Arben Malaj e sheh situatën ekonomike aktuale si kritike pasi ekonomia shqiptare është e varur nga turizmi dhe kjo industri është më e goditura ndër industritë së bashku me degët e saj si agroturizmi dhe shërbimet.

Arben Malaj, ish Ministër i Financave të Shqipërisë

 “Çdo ekonomi e vogël dhe e hapur në rast krizash apo pandmie globale janë të ekspozuar nga goditjet e jashtme. Ekonomia shqiptare është e pambrojtur, prandaj goditet lehtë dhe në nivele shqetësuese e shprehur në disa indikatorë të rëndësishëm ekonomik, siç janë : rënia e rritjes ekonomike, parashikohet nga 5-10 %, (ii) rritje e papunësisë në nivele kritike; rritje e varfërisë’  rënie e të ardhurave buxhetore parashikohet deri në 50 miliard lekë ose  rreth 450 milion dollarë apo rreth 410 milion euro humbje nga rënia e besimit, rënie e konsumit, rënie e investimeve individuale, biznesit dhe të buxhetit të shtetit  dhe ; rritje e defiçitit që parashikohet deri në 8.4 % te PBB-se por e karahasuar me sufitçin buxhetore rreth 1.6 % e miratuar në dhjetor 2019 për buxhetin 20202, defçiti në 2020 është rreth 10%,  më i madhi në gjithë tranzicionin shqiptar.”- thotë Malaj.

Por frika më e madhe është shtuar për një valë të dytë në vjeshtë që do të ishte një goditje dhe më e fortë për ekonominë. Zoti Malj thotë se “ sa më shumë zgjatet pasiguria, paqartësia e situatës shëndetësore, aq më shumë dhe më gjatë mund te  lëngojë ekonomia”.

Pandemia e COVID-19 po bëhet një problem ende më i madh nga ç’parashikohej vetëm disa javë më parë. Si pasojë, përveç rritjes së numrit të infeksioneve dhe të vdekjeve, disa sektorë po ngadalsojnë kthimin në normalitet dhe dëmi ekonomik po thellohet.

Ilir Hysa, Drejtor i Asociuar, – Senior Economist pranë Moody’s Corporation

“ Shqipëria ka edhe fatin e keq që rrethohet nga dy ekonomi fqinje të dëmtuara disproporcionalisht shumë, Italinë dhe Greqinë, të cilat priten të përjetojnë tkurrje ekonomike prej 22% dhe 16%, respektivisht, sërisht e matur si rënie nga maja në lug (peak-to-trough decline).”- shpjegon eksperti i Moody’s Ilir Hysa.

Sigurisht, thotë ai, që dallgë kaq të mëdha krijojnë kokëçarjet më të mëdha për ekonomitë e vogla dhe kryesisht të padiversifikuara mirë, si ajo e Shqipërisë.

Tani duket, thotë zoti  Hysa,  se parashikimet e mëparshme të FMN-së dhe BERZH-it për një rënie ekonomike prej 5% dhe 9% në 2020, respektivisht, nuk do të përbënin lajme fort të këqija.

Prandaj mendon ai se tkurrja ekonomike do të jetë dyshifrore.

Ai parashikon që problemi më madhor i kësaj vere në Shqipëri do të jetë rënia drastike e numrit të vizitorëve vendas e të huaj dhe si pasojë ulja e të ardhurave nga turizmi. Kufizimet në lëvizje të qytetarëve me buxhete të lodhura të Shqipërisë dhe të atyre nga vende të tjera të rajonit përbëjnë një faktor, por edhe hezitimi i shqiptarëve në diasporë pë t’u kthyer këtë verë dhe i të huajve që e shohin Shqipërinë si destinacion por i druhen problemeve që krojon COVID-19, do të dëmtojë shumë.

Shqipëria është mes vendeve me varësi të lartë tek të ardhurat nga turizmi dhe restorantet dhe hotelet mbeten burim punësimi për një pjesë të mirë të fuqisë punëtore.

“Dhe për të shmangur keqkuptimet, ky fakt nuk duhet interpretuar si superioritet i Shqipërisë në zhvillimin e turizmit. Jo, falë bukurive natyrore dhe bregdetit joshës që mundësojnë turizmin, industria shfaqet prioritare. Pra, turizmi duket i fortë sepse Shqipëria prodhon shumë pak në industri të tjera.”- sqaron Hysa.

Edhe eksperti Zef Preçi mendon se shkalla e shtrirjes së infeksionit të COVID-19 ka çrregulluar dukshëm ekonominë shqiptare.

Rruga “Myslym Shyri” në kohën e karantinës

Në konferencën e  fundit për shtyp Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se në skenarin më të keq  tkurrja ekonomike do të jetë me 5 për qind … “por pa parashikuar që do të ketë një valë të dytë të infeksionit”

Duke pasur parasysh që  situata shëndetësore është përkeqësuar me  rritje jo vetëm të numrit të të infketuarve por edhe të vdekejeve, zoti Preçi sugjeron se qeveria është përballë nevojës për vendimmarrje komplekse  dhe si  fillim duhen marrë masa për të mbajtur nën kontroll situatën shëndetësore.

Zef Preçi, ekspert në fushën e ekonomisë

“Në vendin tonë, ashtu si në vendet e tjera perëndimore, qeveria duhet të kthejë më shumë vëmendjen e saj drejt një rikuperimi të sigurtë dhe të shpejtë nga kriza COVID-19. Dmth në përqëndrimin e burimeve në dispozicion dhe në promovimin e rritjes ekonomike duke parandaluar humbjen e mëtejshme të jetëve njerëzore. Një rënie e zgjatur e ekonomisë e shoqëruar me një vit zgjedhor, mund të pengojë për një kohë të gjatë rritjen e ardhshme të ekonomisë së vendit, për shkak se humbjet në të ardhurat buxhetore dhe humbjet e vendeve të punës mund të ndikojnë në mënyrë disproporcionale me shtresat më të goditura  të shoqërisë.”- thotë Preçi.

Ai sugjeron se këtij qëllimi mund dhe duhet t’i shërbejë rishikimi i buxhetit dhe heqja dorë nga projektet të mëdha në pamje (psh rruga Milot-Rrogozhine) por që janë padyshim skllavëruese për periudhat që vijnë. Dmth nevojitet të hidhet parrulla “Çdo lek i buxhetit dhe donatorëve duhet të shkojë atje ku jep më shumë dhe më shpejt efekt në ruajtjen e vendeve ekzistuese të punës dhe krijimin e vendeve të reja”.

Për Preçin, rimëkëmbja do të varet nga kursimi i jetëve njerëzore, nga qëndrueshmëria e kushteve te jetesës dhe mbështetja e cilësisë së jetës.

Ish Ministri i Financave,  Malaj, nuk e shikon si opsion rimbylljen.

Ai thotë se qeveria nuk mund ta fitojë e vetme këtë betejë, pa kontribuuar të gjithë.

“Ajo që ne duhet të bëjmë është respektimi i protokollit të sigurisë shëndetësore me tre këshilla jetike mbajtja e maskave;  distancim social dhe  higjenë personale maksimale. Ne jemi në një moment që kemi humbur çeljen e negociatave, kemi një amulli politike, po përballemi dhe me një nga krizat më të mëdha shëndetësore që  ndikon në thellësinë dhe jetëgjatësinë  e recesionit ekonomik. Në këtë situatë për sfidat e Shqipërisë duhet një lidership që të ofrojë zgjidhje.Këtë krizë duhet ta shikojme si një mundësi.për të ndërmarrë strategji  zhvillimi që ndihmojnë një rritje ekonomike më të lartë, të qëndrueshme, të drejte dhe vibrante”- sugjeron ish Ministri i Financave.

Për ekspertin e Moody’s Ilir Hysën zgjidhja e krizës ekonomike varet nga zgjidhja e krizës shëndetësore.

“Në këtë kontekst, shpresa kryesore për kthimin e normalitetit është zbulimi i një vaksine, ndonëse edhe ajo nuk do të jetë ideale. E them këtë pasi do të ketë plot qytetarë që do t’a refuzojnë vaksinën. Gjithësesi, vaksina mbetet shpresa e vetme, dhe hapat e raportuar nga Moderna, Johnson & Johnson dhe AstraZeneca janë inkurajuese. Ndërkohë, meqë njerëzit janë lodhur me izolimin e gjatë, pjesa aktive e shoqërisë po mëson të jetojë me kërcënimin e virusit vdekjeprurës, duke zbatuar higjenën personale, distancimin social dhe mbajtjen e maskave. Zbatimi rigoroz i masave të tilla mbetet zgjidhja e vetme afatshkurtër.”- përfundon Hysa.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë