Dosje

Përgjimi me familjarët me telefonin e policit të Burgjeve, Erion Veliajt i dështoi ‘plani B’ për t’i shpëtuar SPAK-ut

Gazeta Si – Përveç akuzave për “korrupsion pasiv”, “pastrim parash”, “fshehje e mosdeklarim i pasurisë”, Erion Veliaj u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK dhe për “futje të sendeve të palejuara në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale”.

Pikërisht për këtë akuzohet edhe polici i Burgjeve, Fatmir Baçi, i cili e shoqëroi kryebashkiakun e Tiranës nga paraburgimi i Durrësit, në GJKKO në muajin mars.

Por këtë periudhë kohore, Veliaj duket se e ka shfrytëzuar për të bërë telefonata me familjarë të tij, pasi i kërkoi celularin efektivit që e shoqëronte, sipas asaj që thuhet në dosjen hetimore.

Bisedat e tij me Ajola Xoxën, Arbër Veliajn dhe një person tjetër janë kryer gjatë datave 11, 12 dhe 13 mars.

Sipas policit Fatjon Baçi, në deklarimet e tij në SPAK, Veliaj kishte qarë gjatë komunikimit me Xoxën, duke i kërkuar të kujdesej për djalin.

Duke rrëfyer sesi ia kishte dhënë celularin për shkak të frikës së pushtetit të kryebashkiakut, Baçi ka zbuluar se Veliaj foli me 2 persona duke përdorur telefonin e tij.

Fillimisht me vëllain e tij Arbër Veliajn, të cilit i ishte shprehur “e kanë me mua personale” pa përmendur emra.

“Në furgon, para se të mbërrinim në Tiranë, më kërkoi të telefononte vëllain se ndihej keq. Ia dhashë telefonin dhe ai komunikoi vetë me numrin. Më pas, përsëri pas gjyqit, para se të kalonim shinat pranë SPAK-ut, më kërkoi sërish telefonin. Edhe atëherë ja dhashë nga frika”, – dëshmon efektivi sipa dosjes hetimore.

Sipas dëshmisë, kreu i Bashkisë Tiranë ka komunikuar me vëllain e tij lidhur me ecurinë e seancës gjyqësore, ku iu la në fuqi masa e sigurisë duke thënë se avokatët e kishin vlerësuar paraqitjen e tij si “10/10” dhe kishin shprehur optimizëm për shtyrjen e vendimit.

“Sa kemi kaluar shinat, në vendin ku ka qenë një pazar që shiteshin gjëra të vjetra, Erioni më kërkoi telefonin që të bënte një telefonatë. Ia dhashë, dhe foli me vëllain e tij. Këtë e verifikova më vonë”, – shtoi efektivi.

Mes detajeve të zbuluara, polici tha se Veliaj përmendi edhe ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, duke u shprehur i zhgënjyer prej tij.

“Erioni gjatë bisedës me gruan ose vëllain, thoshte se Ulsiun e ka nxjerrë ai deputet nga Paskuqani ose Lapraka, por nuk e dinte që mbante anën e Spak-ut, i thoshte Erioni se Ulsiun e dinte që e kishte mik. Pasi mbaroi bisedat telefonike, Erioni më kërkoi që të lexonte lajmet. Unë e lashë ta përdorte telefonin tim”, – vijon polici.

Ndërsa plani i vetëm që kishte Veliaj për t’i shpëtuar SPAK-ut, ishte që njëri prej të rinjve të PS të tërhiqej në mënyrë që ai të kandidonte si deputet.

Për këtë përmendi edhe rastet e kryebashkiakëve Agron Malaj e Tërmet Peçi të cilët janë zgjedhur aktualisht deputetë. Sipas Veliajt edhe ata kanë dashur t’i shpëtonin SPAK-ut.

“I ka thënë bashkëshortes ose vëllait se: ‘Të sakrifikonin një nga studentët për deputet, sikur të ishin sëmurë apo nuk ndiheshin mirë nga gjendja shëndetësore, dhe që të futej Erioni si kandidat për deputet, që t’i shpëtonte burgut’. Këtë gjë e thoshte se është ‘Plani B’, plani i vetëm për të shpëtuar. Ai mbaj mend se më ka thënë se edhe disa kryebashkiakë të tjerë si Tërmet Peci dhe një me mbiemër Malaj, po bëhen deputetë që t’i shpëtojnë SPAK-ut”.

Në dosje, sipas dëshmisë së policit, është edhe një detaj: “Kur më ktheu telefonin, nuk më tha asgjë. As faleminderit. Kam dorëzuar Erionin në IEVP dhe jam larguar për në banesë. Gjatë rrugës, verifikova numrat, që ishin po të njëjtët që kishte biseduar një ditë më para. Pra dy numrat, vëllai dhe bashkëshortja. Numrin tjetër që përmenda më sipër që kishte “21” nuk e gjeta. Kam fshirë thirrjet dhe kam vijuar programin tim ditor”- u shpreh Baçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë