Gazeta Si - Roli i rëndësishëm i shefit të komisariatit të Laçit, Dritan Metaj, i arrestuar një ditë më parë, ishte para së gjithash për t’i dhënë siguri grupit kriminal të trafikut të drogës në Fushë Kuqe.
Dyshohet se Metaj kryente rolin e transportuesit të anëtarëve kriminalë, mes tyre edhe për “Baronin e drogës” Gëzim Çelaj.
Duke shfrytëzuar postin e tij si komisar policie, Metaj garantonte lëvizje të sigurt për trafikantët, ku asnjë nuk dyshonte dhe nuk i kontrollonte. Sot Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën “arrest me burg” për ish-shefin e Policisë së Kurbinit.
Metaj ka pranuar para Gjykatës njohjen dhe takimet me Gëzim Çelën. Ai ka thënë se e njihte më herët Çelën, e për kërë arsye ka kryer takimet me ‘të.
“Kam bërë gabim, por e kam bërë pasi e njihja më herët dhe nuk e shmangia dot”, tha Metaj.
LEXO EDHE:
Pjesë e grupit të trafikantëve të drogës, arrestohet shefi i komisariatit të Laçit, Dritan Metaj
Veprimtaria kriminale është arritur të dokumentohet me prova të pakundërshtueshme nga SPAK, përmes një numri të lartë të celularëve të sekuestruar në operacionin “Flakë në Det” të organizuar në muajin gusht.
Mes tyre janë gjetur biseda të shumta të Metajt me Gëzim Çelajt dhe dy personave të tjerë të shpallur në kërkim.
Megjithatë, me urdhër të SPAK, janë kryer përgjime të tjera në javët e fundit, të cilat kanë dhënë prova mbështetëse për dokumentimin e veprimtarisë kriminale.
Metaj mësohet të ketë kryer kontrolle fiktive në banesën e Çelajt, duke krijuar procesverbale false. Të gjitha këto veprime kryheshin për shkak të përfitimeve finaciare që merte zyrtyari policor lokal nga Gëzim Çelaj.
Në lidhje me operacionin e policisë, në pranga u vu kryepolici i Laçit, Dritan Metaj dhe 3 të tjerë u shpallën në kërkim.
Ata janë Gëzim Çela, një emër i i njohur për Policinë e Shtetit për çështje të trafikut ndërkombëtar të drogës, Arben Dalipaj nga Vlora dhe Roland Guza nga Durrësi.
Ndërkohë, hetimet po vijojnë ende edhe për sekuestrimin e pasurive të patundshme të personave të përfshirë në këtë trafik droge.
Megaoperacioni i sotëm është vijim i atij të para disa muajve në det, ku në një velierë u kap 1 ton kanabis që po tentohej të shkëmbehej në det me kokainë.
Trafikantët, kur konstatuan forcat e policisë, i vendosën zjarrin velierës në mes të detit. Policia arrestoi 4 shqiptarë dhe 2 ukrainas në operacionin e para disa muajve në mes të detit.
Hetuesit kanë dyshime se veliera me emrin “Nilua”, e cila u dogj nga dy shtetasit ukrainas dhe u fundos në det, mund të jetë nisur nga Turqia, ka ndaluar në Greqi, Mal të Zi dhe më pas në ujërat neutrale mes Shqipërisë dhe Italisë, ku do të bëhej shkëmbimi i drogës.
Katër shqiptarët e arrestuar dhe 2 ukrainasit nuk i kanë pranuar akuzat e prokurorisë, ndërsa gjykata ka caktuar për ta masën e sigurisë “arrest në burg”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.