Gazeta Si - “Më gjeni një djalë të mirë që kërkon të punojë, jo me vese, por që të ketë qëllime”. Profili i punonjësit model. Ëndrra e çdo sipërmarrësi. Edhe pse kërkimi nuk është për punonjës të thjeshtë apo kamerierë.
Identikiti që i është besuar punonjësit të "Head-hunter"-it, shërben për të gjetur rekrutë të rinj për shpërndarës të lëndëve narkotike, që do të futen në Milano dhe në brendësi të qytetit.
Por edhe në këtë fushë nuk mungojnë ankesat për brezat e rinj. “Punëdhënësit” - me profesion trafikantë droge – që në këtë rast janë dy shqiptarë, shohin pak dëshirë për të djersitur dhe për të fituar para.
“Kërko kudo”, si në Itali ashtu edhe në Shqipëri, “kërko një djalë të ri, por që është i paraqitshëm. Më duhen urgjentisht”. Kjo është një luftë, vëren ai: “Ata janë të gjithë të frikësuar. Janë të kënaqur me paratë që i jep mamaja”.
Mediat italiane kanë publikuar pjesë nga dosja hetimore e dy grupeve kriminale italo-shqiptare të goditura pak ditë më parë, ku ranë në pranga 6 italianë dhe 8 shqiptarë.
Nga përgjimet, del se si funksiononte grupi, si duhet të sillen me klientët, veshja, paraqitja dhe ku ta fshihnin drogën nëse ndienin rrezikun e policisë.
Në krye të dy organizatave janë dy të rinj shqiptarë, “Dion” Shazivari dhe Andi “biondi” Sharka, të cilët organizonin rekrutimin e të rinjve nga Shqipëria në Itali dhe më pas shpërndarjen e lëndëve narkotike, nga kokaina te hashashi.
Vizë 3 mujore dhe gjithçka falas për shqiptarët
Makina e shitjes së drogës po lëvizte me shpejtësi. Përforcimet mbërritën në një cikël të vazhdueshëm, shpesh nga përtej Adriatikut, ndonjëherë edhe të mitur.
Vizë turistike për shpërndarsit nga Shqipëria, tre muaj punë, para kthimit në shtëpi dhe kthim në Milano me një tjetër vizë turistike 90 ditore.
Ndonjëherë, kthimi në Shqipëri ndodhte edhe më herët: nëse shpërndarësit viheshin në vëmendje të policisë, bileta e fluturimit përgatitej në çast.
“Paketa e udhëtimit” përfshinte një vend për të fjetur, një makinë me qira (me mësime drejtimi të përfshira në paketë), një telefon celular të gjeneratës së fundit për të komunikuar në mënyrë të sigurt dhe drogë për të shitur.
Etiketa e tregtimit të drogës
Si fillim, djemtë nga Shqipëria bënin disa ditë “stërvitje” në Itali. Temat: metodat e shitjes, menaxhimi i klientit, udhëzimet se si të vishen dhe të krehin flokët, si të lëvizin nëpër qytet duke i kushtuar vëmendje pranisë së policëve dhe si të sillen në rast të një kontrolli të mundshëm.
Së pari: etika. “Gjithmonë ki kujdes nga ai që është pas teje. Shko ndërrohu në shtëpi: vish xhinse, bluzë, xhup sportiv, rregullo flokët me xhel”.
Më pas, vijon mësimi mbi shitjet në rrugë: “Futini dozat në testikuj” dhe kur duhet t'i nxirrni për t'i shitur, “shkoni në një kaçube, bëni sikur urinoni, por shiko përreth teje fillimisht. Shiko nëse ka njerëz përreth teje apo jo". Me një tregues "vendimtar": nëse ju ndalon një patrullë, "fik fillimisht celularin".
Kush janë dy shqiptarët në krye të dy grupeve
Policët e komisariatit të Bonola-s, zbuluan "shkollën e shpërndarësve", duke hetuar dy organizata - të dyja italo-shqiptare - që vepronin në lagjet milaneze të “San Siros” dhe “Lampugnano”-s dhe në komunat e afërta Baranzate dhe Bollate, ku lëviznin sasi të mëdha kokaine dhe hashashi.
E para, – me në krye 34-vjeçarin shqiptar “Dion” Shazivari – ka mundur të shesë deri në 150 gramë kokainë çdo dy-tre ditë) dhe mbi dhjetë kilogramë hashash në muaj.
Shifra të ngjashme edhe për të dytën – me në krye 33-vjeçarin shqiptar Andi “bjondin” Sharka – që shpërndante tre kilogramë kokainë në muaj dhe 8 deri në 10 kilogramë hashash.
Kamera në çarkun e miut
Oficerët kryen dy urdhra sigurie për 14 persona, gjashtë italianë dhe 8 shqiptarë, me akuzën për organizatë kriminale me qëllim trafikimin e drogës.
Hetimet dolën nga një operacion i mëparshëm i policisë, ku është arritur të gjurmohet dhe dokumentohet një nga “pritat”.
Me një kamerë të drejtuar nga distanca të futur në një çark miu, një nga shpërndarësit u filmua duke u ngjitur për të fshehur dozat mbi tubacionet që kalonin përgjatë tavanit të një korridori bodrumi.
Ndërsa dozat, shpërndarësit e vegjël i mbanin brenda fundeve të dyfishta të bëra nga shishe uji të zakonshëm ose në kontejnerë me magnet të fiksuar nën trupin e makinës.
"Sa qebapë?"
“Grupi ka vërtet strukturën e tyre. Ata kanë vendin ku i përgatisin qeskat. Pastaj kanë një djalë që e menaxhon Milanon mirë. Dhe kanë një djalë të rregullt në një bar në Baranzate dhe një tjetër që shkon përreth. Dhe janë pesë ose gjashtë persona".
Në një përgjim, dy shpërndarës droge dëgjohen duke diskutuar se si të presin mallin. “Shiko si është, – pyet njëri, – nuk është keq. E grin në copa: do ta thithin (me hundë) gjithsesi”.
Një tjetër regjistrim kap një porosi. "Piceria? Kam nevojë për dërgesë”, thotë klienti. "Pica qebap?" pyet shpërndarësi. “Po. Sa vonon?” “Dhjetë minuta. Sa pica ju duhen? "Tre".
Gjatë veprimtarisë hetimore, policia italiane bëri dhjetë arrestime në flagrancë dhe sekuestroi 700 gramë kokainë dhe katër kilogramë hashash.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.