Dosje

Përgjimet / Si e drejtonte dhe rekrutonte ‘Bisha’ grupin e narkotrafikut nga Shqipëria. Nuredin Dumani tregon lidhjet

Gazeta Si – Emri i tij shfaqet në përgjime si “Bisha” dhe deri në finalizimin e operacionit “Ura” ishte i panjohur.

Por në dosjen hetimore të Prokurorisë italiane, 34-vjeçari Adi Çoba figuron si një nga krerët e organizatës kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës, e cila niste në Ekuador, Itali, Shqipëri dhe anasjellas.

Hetimet janë mbështetur fuqimisht në përgjimee e sistemit të koduar “SKY ECC”, që kanë ekspozuar një rrjet kriminal funksional, të strukturuar dhe me komandë vertikale.

Në një nga bisedat më domethënëse të përgjimeve, një kontroll policor në Bari shkakton alarm te anëtarët e organizatës. Nuredin Kiptiu, pasi mëson për bastisjen, dërgon menjëherë një mesazh:

“Duhet me lajmru Jubin”. “Jubi” është pseudonimi i Agron Ganajt, i konsideruar krahu i djathtë i Çobës në terren. Ganaj i përgjigjet me tone urgjente: “Nëse më ka kap kamera kur i kam nxjerrë nga makina, kjo punë ka qenë e kotë. (…) Na dogji nga mungesa e trurit”.

Në një tjetër mesazh, dërguar në mesnatë, Ganaj kërkon konfirmim nga Çoba nëse “malli është në makinë” apo “është kthyer në banesë”. Të nesërmen, nervozizmi thellohet. “Jo mo jo, ti nuk e kupton sa rëndë është kjo gjë. Nëse ka kap kamera, kemi ikur”.

Përgjimet zbulojnë më shumë se frikë. Zbulojnë organizim. Zbulojnë një mekanizëm disiplinor, ku çdo reagim i anëtarëve është i sinkronizuar. Bisedat nuk janë emocionale. Janë taktike. Ftohtësia me të cilën menaxhojnë krizën është dëshmi e një strukture që operon me rregulla të brendshme, pothuaj ushtarake.

Roli i Çobës: Udhëheqës, rekrutues, furnizues

Sipas dokumenteve zyrtare italiane, Adi Çoba, “në cilësinë e kreut dhe promovuesit të organizatës kriminale, dërgonte korrierë nga jashtë për të transportuar sasi të mëdha heroine dhe kokaine, të furnizuara nga Shqipëria dhe Holanda”. Por ai nuk ishte vetëm një hallkë furnizimi. Ishte qendra e vendimmarrjes.

Nga Shqipëria, Çoba jepte urdhra për:

1. Rekrutimin e korrierëve;

2. Koordinimin e dërgesave nga portet;

3. Ruajtjen dhe shpërndarjen e drogës në Itali;

4. Menaxhimin e pagesave dhe logjistikës.

Anëtarët e tjerë – shqiptarë dhe italianë – kishin role të përcaktuara.

Ganaj, Kiptiu, Fiore, Presi, Buonsante dhe Montedoro – të gjithë përmenden në dosje si pjesë e organizatës që ruante dhe shiste drogën në Itali, me qëllim përfitimi.

Një organizatë, jo një grup i rastësishëm

Përgjimet i japin fund idesë së një grupi të thjeshtë trafikantësh që veprojnë në mënyrë spontane.

Ky ishte një rrjet me hierarki, me detyra të ndara dhe me komanda të qarta. Një organizatë që nuk lëvizte pa lejen e “Bishës”. Që nuk shpërndante pa urdhër. Dhe që nuk reagonte pa sinjal.

Pikërisht për këtë arsye, hetuesit italianë e kategorizojnë këtë grup si ”organizatë kriminale të strukturuar dhe të qëndrueshme”, ku Çoba është kreu dhe “promotori”.

Struktura: Roli i secilit i përcaktuar në detaj

Sipas dosjes italiane, Adi Çoba jo vetëm e drejtonte rrjetin nga Shqipëria, por kishte ngritur një strukturë të qartë funksionale, ku secili anëtar kishte detyra specifike: Ganaj Agron dhe Kiptiu Nuredin kishin rol kyç në ruajtjen dhe shpërndarjen e drogës në Itali.

Italianët Fiore Massimiliano, Presi Ergiels, Buonsante Andrea dhe Montedoro Giovanni kujdeseshin për pritjen në port, marrjen e dërgesave, si dhe për pagesat dhe logjistikën e shpërndarjes në territorin italian.

Droga e furnizuara nga Shqipëria dhe Holanda mbërrinte në Itali përmes korrierëve që vetë Çoba i zgjidhte dhe i dërgonte nga jashtë.

Bëhej fjalë për sasi të mëdha heroine dhe kokaine që përdoreshin për trafik ndërkombëtar, jo për konsum lokal.

Adi Çoba është 34 vjeç, lindur më 07.08.1991 në Durrës. Por, anëtarët e grupit kriminal e njihnin ndryshe edhe si “Bazholi”, “Bisha”, “I shëndoshi”, “Cigani”.

Për Çobën flet edhe i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, sipas të cilit “Bazholi” ishte bashkëpunëtor i Mirit (Fatmir Troplini), djali i Xhevdet Troplinit.

Rrëfimi i plotë i Nuredin Dumanit për Adi Çobën

Dumani: Po, e mbaj mend që e kam parë, po. Ndoshta jam duke gabuar.

Hetuesi: E ke parë në ambientet kriminale?

Dumani: Për çdo person që them se e kam parë, do të thotë që është njohur në botën e krimit.

Hetuesi: E di me çfarë merrej?

Dumani: Nuk jam i sigurt nëse mund të them diçka për të. Më vjen keq…

Hetuesi: Në rregull. Vëre firmën. Të theksohet që fotografia me numrin përkatës i përket Çoba Adi, i quajtur Bazholi, bishë, dhjamxhi.

Dumani: Tani, me emrin Bazholi po. Këtu është i njohur si Bazholi.

Hetuesi: Ky është Bazholi?

Dumani: Po. Tani po e kujtoj më qartë.

Hetuesi: Çfarë të kujtohet për Bazholin?

Dumani: Bazholi përmendej në bisedat që kam pasur me Miri.

Hetuesi: Me kë?

Dumani: “Me Mirin.

Hetuesi: Miri.

Dumani: Me Fatmir Troplinin.

Hetuesi: Miri është pseudonimi?

Dumani: Miri është forma e shkurtër, një përkëdhelje e emrit Fatmir.

Hetuesi: Kush është ai?

Dumani: Miri ishte kontakti im me këtë grup. Ishim shumë miq.

Hetuesi: Mik për çfarë?

Dumani: Mik në aktivitetin kriminal që kishim.

Hetuesi: Ishte i rëndësishëm Miri?

Dumani: Shumë.

Hetuesi: Kishte një grup kriminal?

Dumani: Një grup shumë të madh.

Hetuesi: Merrej me drogë?

Dumani: Po. Më ofroi mundësinë për të futur mall nga Ekuadori në Itali, përveç Shqipërisë. Miri, po, po.

Hetuesi: Flisje me Mirin për Bazholin?

Dumani: Po. Miri më kishte treguar se po kërkonte një person për ta vrarë, një person nga Durrësi por që jetonte në Itali. Pseudonimi i tij ishte Çaponi.

Hetuesi: E di se ku qëndronte në Itali?

Dumani: Nuk dua të gaboj, ma ka treguar (Miri), por nuk e mbaj mend. Çaponi ishte mik i kundërshtarit të Mirit dhe ishte nga Durrësi. Kështu që më tregonte që Bazholi po e kërkonte, donte ta gjente, donte ta lokalizonte Çaponin.

Hetuesi: Bazholi po e kërkonte?

Dumani: Po, Bazholi po e kërkonte. Tha që Bazholi po përpiqej të lokalizonte Çaponin.

Hetuesi: Pse?

Dumani: Sepse donte ta vriste.

Hetuesi: Pse donte ta vriste?

Dumani: Sepse Çaponi ishte mik me armikun e Mirit, Pojën.

Hetuesi: Pra, Bazholi ishte mik i Mirit?

Dumani: Sipas Mirit, po.

Hetuesi: Pra, po e kërkonte (Çaponin) për t’i bërë një nder Mirit?

Dumani: Po.

Hetuesi: A e di nëse Bazholi merrej me drogë?

Dumani: Nuk jam shumë i informuar për këtë.

Hetuesi: Nuk e di pse Bazholi e njihte Mirin?

Dumani: Nuk mund të pyesnim shumë, përveç nëse ma thoshte vetë. Sepse përndryshe krijohej një opinion i keq për ty.

Hetuesi: A e di nëse Bazholi kishte një chat (komunikim online)?

Dumani: Është normale që kishte, përndryshe si do t’i merrte informacionet? Është logjike.

Hetuesi: Pra, Bazholi kishte informacion për Çaponin përmes një chati?

Dumani: Po.

Hetuesi: Këto ngjarje mes Çaponit dhe Bazholit në çfarë periudhe kanë ndodhur?

Dumani: Në 2022… jo, më falni, në 2021.

Dumani: Nuk e mbaj mend mirë, por në atë periudhë ishte në përdorim Sky (aplikacion komunikimi i koduar).

Hetuesi: A komunikonte edhe Bazholi me Mirin përmes chat-it?

Dumani: Është normale që po.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë