Rend dhe Ligj

Përgjimet që burgosën gjyqtarin që flinte me 300 mln lekë

“Jam në Tiranë, a mund të të takoj?”. Ky është një nga mesazhet e dërguara në telefonin e ish-gjyqtarit nga kushëriri i tij, Kujtim Miri. Por nuk bëhej fjalë për një takim miqësor mes kushërinjsh, njëri me banesë në Tiranë e tjetri në Krujë. Ata po takoheshin për të bërë pazare. Bisedat mes të dyve përpara se gjyqtari të paguhej 30 mije euro kanë qenë mjafttë shpeshta në telefon dhe që të gjitha vetëm për të caktuar takimet.

Nga zbardhja e mesazheve për këtë takim, kuptohet qartë që dy kushërinjtë ishin në një distancë të afërt mes tyre përderisa ish-gjyqtari i shkruan duke i lënë vendin e takimit: “Tek kafja jam, tek portokallet”.

Por, ndërsa nga telefonatat e tyre për takime të zakonshme nuk kuptohet asgjë, prokuroria thotë se këto takimet zhvillohen njëkohësisht kur një tjetër i pandehur, që më pas takonte kushëririn e gjyqtarit fliste në telefon me të dënuarin Gentian Doda. Takimet e kujdesshme kryheshin pikërisht për të hyrë në pazar për të favorizuar të dënuarin Doda, të cilit siç rezultoi më vonë i ndryshoi vepra nga vrasje në plagosje të rëndë, duke i dhënë më pas lirinë.

Menjehëre pas takimeve mes kushërinjve Miri, i pandehuri Alban Buci i shkruante në Whatsapp të dënuarit Doda. “Në orën 8:30 po shkojmë se është duke pritur ai burri”.

Menjëherë pasi takimit mes kushërinjve përfundon, Buci aktivizohet sërish duke shkruar në anglisht: “All ok now. By the middle of the next month. (shqip: Gjithçka në rregull. Nga mesi i muajit tjetër).

Përveç këtij mesazhi, që lë të kuptohet se pazari ishte bërë dhe se muajin tjetër do të jepej vendimi favorizues për të dënuarin, Buci dërgon emoji të shumta, me disa pëllembë të ngritura. Prokuroria thotë se këto emoji në shpjegim të detajuar tregojnë shumën që do të paguhej. Prokuroria thotë se pas kësaj, Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë Mat, duke lehtësuar Gentian Dodën.

Prokuroria thotë se është e provuar se pas këtij komunikimi, dy shtetas i kanë dhënë kushëririt të gjyqtarit 39 mijë euro. Mes të tjerave janë edhe komunikimet mes Alban Bucit dhe Parid Mirit.

Alban Buci: Tek rruga e Rinasit për 10 minuta.

Parid Miri: Unë jam tek Kisha e Laçit. Shko tek lokali dhe futu brenda. Futu brenda dhe kërko kush është vëllai i Çimit.

Gati 30 minuta më pas , Alban Buci i shkruan një numri tjetër. “Për një minutë jam tek lokali. T’i jap dokumentat atij vëllait të Çimit dhe do të iki”.

Dy ditë pas këtij përgjimi, Buci telefonohet nga mamaja e të dënuarit Gentian Doda, e cila e kujton se gjyqi është pikërisht atë ditë. Buci i përgjigjet: “Po e ka pasur sot. Mos u mërzit se i kam rregulluar unë punët. I kam çuar unë dokumentat. Gjërat janë gati. Teta Bukuria rri pa merak. Të jap garanci se për dy javë është jashtë, sepse kam mbaruar punë para dy ditësh. E kam rregulluar pardje me çekiçin. I kam dhënë një thes me dokumenta. Shyqyr ka me dalë se na ka fik. S’kemi as brekë me vesh s’kemi. Jemi shkund krejt. I thashë atij gjyqtarit: Daku mos më kërko më”.

Shkëlqimi i Mirit dhe Rënia e tij

Ish-gjyqtari Shkëlqim Miri nuk është një emër i zakonshëm i sistemit të drejtësisë shqiptare. Ai ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Durrësit në momentin që u katapultua në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ku qëndroi deri në vitin 2012.

Pas Durrësit u transferua si gjyqtar pranë Gjykatë së Apelit në Tiranë dhe mes dosjeve që kanë kaluar nëpër duart e tij ka qenë edhe e ajo e “Gërdecit”.

I gjithë “suksesi” në karrierën e 47-vjeçarit në sistemin e drejtësisë do të shembej nga një aksion i policisë me urdhër të Prokurorisë për Krimet e Rënda, në nëntor të 2017. Prokuroria shpërndau në atë periudhë një njoftim, ku ndër të tjera deklaronte se kishte hetuar për më shumë se një vit gjyqtarin e Apelit të Tiranës.

Hetimet nuk dolën duarbosh dhe nga kontrolli në banesën e tij, Shkëlqim Mirit iu gjet një shumë e majme parashë të ndara në: 174 mijë euro, 10 milionë lekë si dhe 1 mijë dollarë. Aksioni i beftë e zuri të papërgatitur gjyqtarin, që në dëshminë e parë justifikoi shumën e konsiderueshme në dy forma. Për dollarët dhe lekët e sekuestruara deklaroi se ishin kursime familjare ndër vite, ndërsa për eurot tha se ato i përkisnin një miku të tij, që do të blinte pasuri të patundshme dhe që ja kishte lënë atij për t’ja ruajtur.

Por, rasti i Mirit ndoshta është ndër të paktat herë kur Prokuroria ndërhyn pasi e kishte kopsitur dosjen me përgjime telefonatash dhe mesazhesh, që përfshijnë të afërm të ish-gjyqtarit dhe shtetasin Alban Buci, si ndërmjetësues për dosjen e Gentian Dodës.

Gentian Doda ishte ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për akuzën e vrasjes të kryer në vitin 1997. Ai ishte dënuar nga Shkalla e Parë në Mat me 20 vite burg, vendim që e kishte apeluar. Apelimi u shqyrtua nga atë kohë gjyqtari Shkëlqim Miri, që në përfundim ka vendosur ndryshimin e veprës penale nga vrasje, në plagosje e rëndë. Për këtë ndryshim, Prokuroria dyshon se gjyqtari ka marrë nga ndërmjetës të Gentian Dodës shumën prej 20 mijë eurosh.

Fundi

Ish-gjyqtari i Apelit, Shkëlqim Miri nuk u paraqit as gjatë pretencës para Gjykatës së Krimeve të Rënda. Ashtu siç ka vepruar që prej majit 2017, ish-gjyqtari ka nënshkruar një deklaratë në të cilën shprehte dëshirën të përfaqësohej nga avokati.

Duke zgjedhur mungesën dhe duke mos dalë para trupës gjyqësore, Miri ka shmangur përballjen me ish-kolegët e tij, ndërsa vazhdon të mbahet në paraburgim. Prokuroria kërkoi për të 4 vjet burgim dhe heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike për 3 vjet. Në këtë pretencë Mirit do t’i zbritet një e treta e dënimit, përderisa aplikohet gjykimi i shkurtuar, çka do të thotë se nëse shpallet fajtor, ish-gjyqtari pritet të shikojë lirinë shumë shpejt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë