Njeriu kryesor për trafikun e heroinës, si dhe i përfshirë si i dyshuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 në qarkun e Durrësit, Astrit Avdylaj, është liruar nga burgu me vendim të Gjykatës së Posaçme.
Afatet e paraburgimit për Avdylajn, i njohur ndryshe në përgjimet e prokurorisë, si “Niçja” nga Shijaku, i arrestuar për trafik heroine gjatë operacionit “Vol-Vo” në shtator 2018, kanë përfunduar. Vendimi për lirimin e Astrit Avdylajt është dhënë nga Gjykata e Posaçme.
Bashkë me të, nga qelia kanë dalë dhe dy persona të tjerë, bashkëpuntorë të tij, Jasin Kala dhe Fatos Llavdiu, të akuzuar për trafik narkotikësh kryer në bashkëpunim në kuadër të organizatës kriminale.
Dy prokurorët e çështjes, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, kishin më shumë se dy muaj që mbanin në burg dy personat pa vendim gjykate, pasi atyre u kishte përfunduar afati i paraburgimit të qëndrimit në qeli.
Të pandehurit nuk kanë pranuar akuzat dhe kanë kërkuar gjykim të zakonshëm, pasi nuk janë pajtuar me dosjen e prokurorisë.
Ndërsa personat e tjerë që pranuan gjykim të shkurtuar për çështjen "339", tashmë janë dënuar në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe çështja ndaj tyre i ka kaluar për gjykim Gjykatës së Apelit të Posaçëm.
Avdylaj së bashku me dy personat e tjerë është liruar në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ku ai do të qëndrojë në shtëpinë e tij, nën mbikqyrjen e vazhdueshme të policisë së këtij qarku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.