Dosje

Përgjimet / ‘Me 5 operacione në javë shkon në Maldive’! Bisedat mes mjekëve dhe ‘pazaret’ e tyre me pacientët me tumor: Afroja pak kimioterapinë për hatrin tim

Gazeta Si - Në dosjen e përgjimeve për skemën e mashtrimit të mjekëve të Onkologjikut të zbardhur nga prokuroria, spikat një bisedë mes kryeinfermierit të spitalit, Afrim Ruçi dhe bashkëshortit të një prej pacienteve, i cili kërkon të marrë shërbim përpara datës së pritjes.

Gjatë përgjimeve, rezulton sesi mjekët flasin me njëri-tjetrin për pushime luksoze deri në Maldive, por edhe për paratë që fitojnë nga operacionet, të cilat i sigurojnë të ardhura të larta, që vijnë si rezultat i “5 operacioneve në javë”.

"…Kap pushimet e tjera tani. Shih naj Tajlandë. Hë me se nuk shkon shumë, 1500 euro, 5 operacione kap brenda javës ti. Për një javë bëhesh për Maldive ti atëherë…", - evidentohet në dosjen e prokurorisë.

Pjesë nga biseda 14.12.2023:

-Do vijë një nga Kukësi, ma ndihmo të lutem mi afro çik kimioterapitë. Bëje për hatrin tim. Ku je ti?

Afrimi: Unë jam lart në zyrë.

-Mirë ja do vijë lart tek zyra kjo.

Në një bisedë tjetër, një qytetar kërkon një zgjidhje të shpejtë nga infermieri, duke i theksuar se është në hall.

Pjesë nga biseda, 01.12.2023:

Qytetari: Afrim përshëndetje, unë jam ai i shoqi asaj B. që diskutonim ato muhabetet. Mos më gjen ndonjë mundësi si t’ia bëjmë sot, se unë e kam javore atë kimon, për nder se jam në hall. S’më ndihmon dot me një kështu se ajo e ka javore, ia kemi blerë sa qimet e kokës dhe të pres datën 05 unë...

Afrimi: Ja të them për pak se jam tek Pediatria me çunin.

Qytetari: Mirë më thuaj se jam gati të nisem direkt.

Një tjetër bisedë është edhe ajo e datës 30 nëntor 2023, ku kërkohet të ndërhyhet për një operacion për një pacient me kancer të gradës së dytë agresiv që ka nevojë urgjente për operim.

Flutura kërkon doktor Helidon Ninin, por Silvana, e cila duket që punon në spital, por nuk është e identifikuar me pozicion dhe nuk është pjesë e 7 emrave në hetim, thotë se është gati të ndërhyjë që operacionin ta realizojë Edmod Gashi, mjeku në hetim.

Gjithashtu, ajo i thotë ndër të tjera se nuk kanë aq shumë radhë pritjeje për operacion sa thonë, por është skemë për të dërguar pacientët në klinika private.

Pjesë nga biseda, 30 nëntor 2023

Silvana: Hë moj Flutura si ke qenë?

Flutura: Vazhdon me përshëndetjet dhe i tregon për një pacient me kancer në gradën e dytë agresiv që ka nevojë urgjente për operim dhe është e lidhur me doktor Elidon Ninin.

Silvana: Me Elidonin nuk të ndihmojë dot nuk kam asnjë lloj kontakti.E vetmja ndihmë që mund të të jap është ta operojë Mondi im tek kirurgjia se i qan, ta bëjmë pa radhë. Tek Onko me këdo doktor tjetër të fusja unë pa rradhë që nesër por me Elidonin nuk flas se është në rang kryeministri e lartë, s’pyet për të tjerë.

Flutura: Po na thanë ka shumë rradhë, po dhe kësaj nga zyra do ja kenë sugjeruar.

Silvana: S’ka radhë fare por e gjitha është skemë për ta dërguar në privat se asnjë punë nuk kanë. I bëjnë të gjitha për t'i sorollatur që ti dërgojnë në privat pacientët se e di unë shumë mirë.

Flutura: Pa të nxjerrë ty po e diskutoj njëherë me ta dhe flasim sërish.

Në bisedat e zbardhura nga Prokuroria janë komunikimet në Whatsapp mes dy mjekëve të cilët diskutojnë për pacientët, por edhe për paratë që fitojnë nga operacionet dhe planet për pushime jashtë vendit me paratë e siguruara

Mjeku X: Kap pushimet e tjera tani. Shih naj Tajlandë

Dr. Ami Rea: Këtu një vit! Po pse jo

Mjeku X: Hë me se nuk shkon shumë, 1500 euro, 5 operacione kap brenda javës ti. Hahahaha ça llogarie.

Dr.Ami Rea: Kirurg më di ti mua. Ku e ke bërë matematikën ti vëlla. 5×5 sa bëjnë?

Mjeku X: hahahaha llogarita 300 euro operacionin, jo 500

Dr. Ami Rea: Po lale po

Mjeku X: Për një javë bëhesh për Maldive ti atëherë

Dosja hetimore

Në dosje theksohet se “nga informacionet e marra në rrugë operative ka rezultuar se punonjës të këtij departamenti ku rolin kryesor e ka kryeinfermieri i pavionit, pasi marrin programin e plotë për kurën e një pacienti dhe ky medikament sigurohet nga shteti duke qenë se çdo pacient i kimios është i regjistruar në databazë nuk e lënë të gjithë kurën e plotë për trajtim, por një pjesë të kësaj kure nxirret për t’u blerë jashtë spitalit dhe konkretisht në dy farmaci private”.

Një medikament për kimion është shumë i kushtueshëm dhe flakoni varion nga 250 Euro deri në 1500 euro.

Sipas dosjes hetimore, “përveç rastit kur medikamenti për kimio nxirret dhe tregtohet jashtë ambienteve spitalore që është shkelje, ka dhe raste të tjera kur brenda farmacisë spitalore të njohur nga stafi personel, mund të shkojë kushdo që është i afërm i një pacienti me kimio ose punonjës i brendshëm dhe kundrejt një shume monetare mund të tërheqë medikament dhe pse nuk është radha e tij për kurim por në listën e pritjes është një person tjetër”.

Kanë qenë denoncimet e pacientëve ato kanë zbuluar të gjithë skemën si mjekët dhe personeli që punonte tek Onkologjiku nxisnin pacientët të kryenin vizitat dhe shërbimet në klinikën private, që ndodhej tek zona e “Astirit” në Tiranë.

Ndaj 7 mjekëve të spitalit Onkologjik janë ekzekutuar masat e sigurisë “arrest me burg” dhe “detyrim paraqitje”. Ata akuzohen se nuk u jepnin qytetarëve shërbimin e nevojshëm në QSUT, por i orientonin në spitale private.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë