Lajme

Përgjimet, LSI: Qeveria të ikë për 24 orë, koha e hakmarrjes ka ardhur

Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar pas nxjerrjes së disa përgjimeve nga gjermania “Bild”, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të qeverisë “Rama”. Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili në një konferencë për median shprehet se nga përgjimet e Prokurorisë del hapur dhe pastër se si kriminelët kanë vjedhur votat dhe kjo qeveri është ndërtuar mbi bazën e këtyre votave.
“Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e tij që nga ky çast nuk mund të qëndrojnë më as 24 orë në zyrat e tyre. Qëndrimi i mëtejshëm, qoftë edhe një orë në zyrat e tyre është thjesht dhe vetëm krim shtetëror, është puç shtetëror, është grabitje shtetërore e pushtetit në mënyrën më të paligjshme dhe më antikushtetuese. Është shumë e qartë që në rast se këta nuk largohen urgjentisht nga zyrat e tyre, është krejtësisht legjitime që populli shqiptar i cili ka votuar dhe voton pushtetin që del nga vota e tij, nuk mundet dhe nuk do të pranojë kurrë të qeveriset nga kriminelët, të cilët, është tashmë shumë e qartë që janë ata që qeverisin në këtë vend”, deklaroi Vasili.
Sipas tij, çdo shqiptar e ka të qartë, që kur troket në dyert e shtetit të Rilindjes, zëre se ka trokitur në dyert e kriminelëve dhe është në mëshirën e tyre për të zgjidhur hallin që ka dhe populli ka të drejtën e tij legjitime të mbajë të gjithë qëndrimet që ai shikon të arsyeshme, me të gjitha instrumentet dhe mjetet që ai shikon të arsyeshme për të bërë as më shumë e as më pak, pra për të vendosur pushtetin e tij në këtë vend.
“Koha e kriminelëve në pushtet ka mbaruar. Çdo sekondë e mëtejshme e tyre është krim, është atentat, është puç ndaj qytetarëve të ndershëm. Betejën e kanë fituar qytetarët e ndershëm. Betejën e fitoi e vërteta, megjithëse kjo e vërtetë erdhi nga jashtë Shqipërisë. Do ishte mirë që të vinte nga media shqiptare. Është një e vërtetë e cila duhet të buçasë fort në veshin e të gjithë atyre që flasin shqip, por edhe të atyre që flasin anglisht, për të parë sesi është shembur përdhe institucioni i zgjedhjeve dhe i votës së lirë në Shqipëri, dhe ka rilindur falë kësaj shembje në dhe të pushtetit të lirë, ka rilindur pushteti më i zi dhe më i shëmtuar se kurrë. Prandaj, ora ë së vërtetës ka trokitur. Këta qeveritarë dhe ky kryeministër duhet të braktisin zyrat e tyre një orë e më parë, pasi ora e hakmarrjes popullore ka ardhur”, theksoi Vasili.
Ndërsa nga ana e PD-së, deri më tani ka reaguar vetëm ish-kryeministri Sali Berisha, ku me anë të një postimi në Facebook shkruan se “Gazeta gjermane Bild, më e madhja në Europë shpartallon Ramën dhe narkoshtetin e tij. Ajo publikon për herë të parë përgjimet të cilat faktojnë se bosi i mafies dhe vrasësi Astrit Avdyli cakton deputetët dhe fitoren e tyre”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë