Arsim

Përgjegjësi i Etnologjisë Lelaj: Qeveria kërkon mbylljen se s’kemi hapur programe studimi, por për këtë na ka penguar vetë

Nga Gazeta Si- Akademia e Studimeve Albanologjike (ASA), e përbërë nga katër institute kërkimore (Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Antropologjisë kulturore dhe Studimit të Artit, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, dhe Instituti i Historisë, bashkë me njësi të tjera përbërëse të saj), është një Institucion i Arsimit të Lartë, i cili e rregullon veprimtarinë e tij në bazë të Ligjit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor, nr 80/2015, dhe Statutit të saj të miratuar nga Ministria e Arsimit në 2018.

Para disa ditësh, u njoftua se ASA do të mbyllet si Akademi duke kaluar nën varësi të Akademisë së Shkencave.

Këtë vendim e kanë kontestuar shumë akademikë, mes tyre edhe Olsi Lelaj, Përgjegjës i Departamentit të Etnologjisë i cili tregon për Gazetasi.al se përse është kërkuar mbyllja e ASA-s, çfarë është ASA dhe punët që janë bërë ndër vite.

Olsi Lelaj, Përgjegjës i Departamentit të Etnologjisë, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit
Akademia e Studimeve Albanologjike. Gazeta Si, 31 maj, 2023.

“Arsyet se pse Ministria e Arsimit ka propozuar me një projektvendim mbylljen tonë janë të paqarta. Ne kemi bërë dhe vijojmë të bëjmë përpjekjet tona institucionale për të përmbushur detyrimet tona brenda ligjit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, dhe statutit tonë. Kërkesa jonë e kahershme dhe e përhershme drejtuar Ministrisë të Arsimit ka qenë dhe është përplotësimi i vizionit tonë akademik në hapjen e studimeve të avancuara (master, doktoraturë) në studime shqiptare.

Hapja e këtyre programeve është pjesë e ristrukturimit dhe organizmit tonë të brendshëm në përmbushje të misionit tonë si Akademi, në kuadër të Ligjit për Arsimin e lartë dhe Kërkimin Shkencor. Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, ashtu si dhe institutet e tjera të ASA-së,  ka aplikuar vazhdimisht prej vitit 2018 për hapjen e këtyre programeve.

Aplikimi i fundit është depozituar në vjeshtën e vitit 2022", thotë Lelaj.

Sipas tij, programet e paraqitura ishin shumë të mira dhe ruanin një raport të balancuar mes dijeve teorike dhe atyre aplikative. "Programet nuk parashikonin as shtesa buxheti dhe financoheshin nga burimet tona të brendshme. Më herët kemi paraqitur një program unik të përbashkët diplomë e nivelit të parë (bachelor) në fushën e antropologjisë kulturore me Universitetin e Gjirokastrës. Në gjitha rastet jemi refuzuar nga Ministria e Arsimit, megjithëse kjo nuk lidhej me cilësinë e programeve, por me artifica të pakuptimta si ‘nuk përputhet me tregun e punës’. Paradoksalisht, pretendimi për mbylljen tonë, nuk është cilësia dhe natyra e kërkimit shkencor, vlerësimet e botimeve shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, as kombëtarizimi dhe ndërkombëtarizimi i dijeve Albanologjike shqiptare, por pikërisht pse nuk kemi hapur programe studimi. Ministria kërkon mbylljen tonë për diçka që na ka penguar vetë!”, thotë Lelaj.

Nëse ASA kalon nën varësinë e Akademisë së Shkencave çfarë ndryshon?

Lelaj thotë se ASA funksionon dhe është i organizuar si Institucion i Arsimit të Lartë.

“Kemi rregullore për cilësinë e kërkimit shkencor dhe produktit shkencor, kemi të garantuar rrugëtimin që studiuesi ndjek për të avancuar në karrierën akademike, kemi këshilla shkencorë, organizojmë zgjedhje demokratike për drejtuesit e departamenteve, instituteve, senatit dhe rektorit. Sistemi ynë i pagave ndjek logjikën e përcaktuar në rregullat në fuqi për gradat dhe titujt shkencor. Të gjitha marrëveshjet kombëtare dhe ndërkombëtarë që kemi dhe projektet që po zbatojmë janë ndërtuar si Institucion i Arsimit të Lartë. Nëse miratohet ky projektvendim zhbën plotësisht mënyrën se si ne funksionojmë”, thotë Lelaj. Ai tregon se ligji i Akademisë së Shkencave dhe statuti i saj i vendos të gjithë në një pasiguri dhe vakum të plotë juridik pasi nuk njeh asnjë nga strukturat e veprimtarisë së ASA-s.

“Akademia e Shkencave është një institucion honorifik me fushë veprimi të kufizuar, e cila nuk ka hapësirën juridike të përthithë institucione të tjera. Në këtë aspekt, ne shuhemi si subjekt. Parimet e lirisë akademike dhe ushtrimi i vizioneve për zhvillimin e dijeve Albanologjike “kapen dhe centralizohen” nga vullnetet e Kryesisë së Akademisë së Shkencave. Për ne ndryshon gjithçka për të cilën është punuar dhe vepruar deri tani”, shpjegon Lelaj. 

ASA është themeluar si institucion i veçantë i arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor që në vitin 2008 me fokus kërkimet shkencore dhe mësimdhënien e thelluar në fushat përkatëse të Albanologjisë, si arkeologjia, antropologjia, etnografia, folklori, historia, gjuha, letërisia, arti dhe kultura shqiptare. Pjesë integrale është transmetimi i dijeve nëpërmjet publikimeve, konferencave shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe organizimin e shkollave të avancuara në nivelin e master shkencor dhe programe doktorale të specializuara në këto fusha. Në tërësi veprimtaria varet nga fondet publike, si dhe projektet e ndryshme që kanë ndërtuar në bazë të bashkëpunimeve kombëtare dhe ndërkombëtare me institucione të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor.

“Në përbërjen tonë janë mbi 100 kërkues shkencorë dhe studiues me gradën doktor, me tituj profesor të asociuar, profesor doktor, apo dhe akademik. Sot për sot jemi institucioni më i madh i kërkimit shkencor që vepron brenda ligjit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, që boton mesatarisht 40 kërkime shkencore në vit, ka mbi 7 revista shkencore vjetore, zhvillon kërkime shkencore në fushat e Albanologjisë, studiuesit tanë publikojnë rezultatet e kërkimeve në revistat prestigjoze ndërkombëtare, japin mësim dhe bashkëpunojnë në universitete kombëtare dhe ndërkombëtare kryesisht Europiane”, thotë Lelaj i cili tregon se nuk janë njoftuar zyrtarisht për mbylljen dhe projektvendimin e kanë marrë në mënyrë informale dhe “ai ende sot nuk ka ardhur zyrtarisht te ne”.

“Kjo më bën të mendoj veçse për abuzim me pushtetin. Duke qenë se nuk ka transparencë, atëherë nëpërmjet pasojave shkoj te arsyet. Siç thashë me lart pasojat e kalimit tonë tek Akademia e Shkencave lidhen drejtpërdrejtë me zhbërjen tonë si Institucion i Arsimit të Lartë. Ndaj, propozuesit po kërkojnë të zhbëjnë kërkimin dhe dijen shkencore në Albanologji si njësi autonome, po kërkojnë të prishin mbi 45 projekte kërkimore, marrëveshje me institucione kërkimore dhe universitete perëndimore, po kërkojnë të mbyllin perspektivën europiane të dijes Albanologjike, po kërkojnë centralizimin dhe kontrollin e dijes nga një strukturë akademike honorifike” shton studiuesi.

Lelaj thotë se mënyra si po veprohet dhe mungesa e procedurave në mbylljen e Akademisë së Studimeve Albanologjike në kundërshti me ligjet në fuqi, vendos një precedent të rrezikshëm për të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor në rrezik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë