Një aksident tragjik me tre viktima është regjistruar gjatë natës në aksin rrugor Milot-Mamurras. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00, ku mjeti tip “Toyota”, i cili po udhëtonte drejt Fushë Krujës ka humbur kontrollin, duke dalë nga rruga dhe ka rënë në një kanal me ujë.
Për pasojë kanë humbur jetën shtetasit Saber Dunga 45 vjeç, banues në Durrës, Urim Pepa, 39 vjeç, banues në Tiranë dhe Nikollë (Dritan) Gjoni. Trupi i pajetë i këtij të fundit, u gjet nga polumbarët pas disa orë kërkimesh në kanalin me ujë. Më herët, zjarrfikësit e Laçit kishin nxjerrë nga uji dy kufomat e para, të cilët janë dërguar në morg.
Po ashtu, një autoveturë, duke udhëtuar në drejtim të vendit të aksidentit në Fushë-Gjormë është përplasur në rrethrrotullimin e Thumanës dhe ka përfunduar jashtë rrugës.
Dyshohet se drejtuesi i mjetit, ishte duke udhëtuar më shpejtësi të lartë. Shoferi është dërguar menjëherë në spitalin e Traumës në gjendje të rëndë. Mësohet se i plagosuri është i afërm i viktimave të aksidentit tragjik, që ndodhi gjatë natës.
Ndërkohë, pak para mesnatës, një aksident tjetër është regjistruar në rrugën e Rinasit në Tiranë. Një automjet me drejtues shtetasin P.Gj., ka përplasur një 70-vjeçar me iniciale M.D. i cili ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve, duke e çuar në 4 bilancin e viktimave brenda pak orësh gjatë natës.
Të martën në mëngjes, një tjetër aksident rrugor u shënua në Shkodër, teksa një automjet ku udhëtonin tre persona ka dalë nga rruga pas përplasjes me një makinë tjetër.
Si pasojë, dy të rinj kanë humbur jetën në mënyrë tragjike, ndërsa drejtuesi i mjetit me të cilin ata udhëtonin, ka mbetur i plagosur. Policia arrestoi drejtuesin e makinës tjetër që u përfshi në aksident, një punonjës policie në Malësinë e Madhe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.