Rend dhe Ligj

Përfundon Vettingu i kandidatëve për kreun e ri të BKH

Gazeta Si – Ka përfunduar këtë të mërkurë Vettingu dhe kontrolli i pastërtisë së figurës për kandidatët që garojnë për kreun e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Rezultatet i janë dërguar komisionit që përbëhet nga Altin Dumani, si kreu i SPAK dhe prokurorëve, Arben Kraja e Behar Dibra.

Në garën për drejtorin e BKH-së, janë shtatë kandidatë: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta.

Tani, komisioni për përzgjedhjen e drejtorit të BKH-së do të shikojë rezultatet përfundimtare të Komisionit të Posaçëm dhe do të bëjë edhe renditjen përfundimtare.

Më pas treshja e prokurorëve do të dërgojnë një emër në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për miratim.

I gjithë grupi që garon ka kaluar fazën e testit të arsyetimit logjik, kontrollin mjekësor, testin fizik, esen me shkrim, intervistën, fazën e verifikimit të figurës, deklarimin e pasurisë dhe testin e poligrafit.

Pasi komisioni të dërgojë emrin në KLP, “qeveria e prokurorëve” voton kandidatin i cili merr mandat 5 vjeçar për të drejtuar “FBI shqiptare”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë