Art dhe Kulture

Përfundon restaurimi, rihapet shtëpia-muze e piktorit Vangjush Mio

Pas restaurimit, shtëpia-muze e piktorit Vangjush Mio në Korçë do të rihapet për publikun.

Lajmin e ka bërë me dije ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila u shpreh se ky është një tjetër atraksion për turistët që vizitojnë Korçën.

“Pas përfundimit të restaurimit të çatisë, shtëpia-muze e piktorit Vangjush Mio, në Korçë do të hapë dyert për vizitorët, që çdo ditë e më shumë preferojnë të ndalen në qytetin e serenatave”, është shprehur ministrja Margariti.

Për vlerat etnografike që mbart dhe për faktin se aty lindi një nga piktorët më të shquar shqiptarë, kjo shtëpi është shpallur shtëpi-muze.

Vangjush Mio ishte piktori i parë impresionist në Shqipëri që njihet më së shumti për peizazhet dhe konsiderohet si peizazisti më i mirë shqiptar i shekullit XX. Temat e tij të parapëlqyera i merrte nga Korça, Pogradeci dhe rrethinat, por ai përjetësoi në punimet e tij edhe qytete të tjera si Tirana, Elbasani, Himara, Berati dhe Gjirokastra. Përveç peizazheve, Mio ishte mjeshtër edhe në pikturimin e portreteve. Ai ishte njëkohësisht edhe skenograf i teatrit të qytetit të Korçës.

Shtëpia muze e piktorit Vangjush Mio është qendër e krijuar në vitin 1945 në qytetin e Korçës dhe rinovuar më 1995 ku zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore artistike: si koncerte lirike, ekspozita pikture, fotografike etj.

Është shpallur monument kulture dhe përmban rreth 40 piktura në vaj, peizazhe, natyra të qeta, si dhe shumë vizatime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë