Ikona e “Ungjillëzimit”, një thesar artistik, realizuar nga Onufër Qiprioti, i ka shpëtuar degradimit, falë laboratorit të Konservimit & Restaurimit në Muzeun Ikonografik “Onufri”.
Pas një pune disamujore, kryer nga restauratori Erion Lezi, përfundoi ndërhyrja restauruese për ikonën “Ungjillëzimi” vepër e shek XVI – XVII, atribuar Onufër Qipriotit.
Në këtë ikonë që ka funksionuar si Dera e Bukur e ikonostasit të kishës së Kostandinit dhe Helenës në kalanë e Beratit paraqitet skena e Ungjillizimit. Në pjesën e poshtme kryeëngjëlli Gabriel, paraqitet duke lajmëruar virgjëreshën Marie për lindjen e shpëtimtarit ndërsa sipër qëndrojnë profeti Isaia dhe mbreti David.
Ikona edhe pse e restauruar përpara disa dekadash, paraqiste problematika të ndryshme si dëmtim të kornizimit e shtresave përgatitore, dëmtim të pelikulës piktorike kryesisht në gjysmën e poshtme, shoqëruar me papastërti të qëndrueshme të lëna nga restaurimi i mëparshëm dhe oksidim verniku. Të gjitha këto copëtonin tërësinë e skenës, tjetërsonin elegancën dhe bukurinë e ikonës si dhe rrezikonin degradimin e saj.
Sot ikona paraqitet në shkëlqimin e plotë të saj dhe së shpejti do t’i ofrohet e ekspozuar publikut të gjerë të Muzeut “Onufri” të cilët mund të admirojnë më qartë mjeshtërinë dhe finesën e artit të Onufër Qipriotit. (ATA)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.