Nga Elvin Meka –Në tetor 2022 qeveria shqiptare hartoi Dokumentin Politik Për Krijimin e një Mjedisi Mundësues për Zhvillimin e Tregjeve të Kapitalit në Shqipëri, 2023-2027, i cili u bë i njohur për publikun e gjerë vetëm pak javë më parë. Deri më sot, ky përbën të parin dokument zyrtar, në të cilin paraqitet dhe deklarohet shprehimisht angazhimi dhe mbështetja proaktive e qeverisë shqiptare, në drejtim të zhvillimit real të tregut të kapitaleve dhe bursës në Shqipëri. Konkretisht, dokumenti shpalos se: “Objektivi i Përgjithshëm … është promovimi i tregjeve eficiente të kapitalit, nëpërmjet nxitjes së zhvillimit të këtyre tregjeve dhe mbikëqyrjes efektive të tyre”.
Ky dokument, përtej analizës që i bën rëndësisë së zhvillimit të këtij tregu, si dhe identifikimit të problematikave dhe pengesave të zhvillimit të tij, liston dhe nismat apo masat e ndërmarra me këtë rast, duke sugjeruar gjithashtu dhe planet apo hapat konkrete të veprimit, lidhur me përmirësimin e të gjithë elementëve kyç që lidhen me zhvillimin e tregut të kapitaleve, në kontekstin ligjor e rregullator, të infrastrukturës së tregut, edukimit financiar, apo zhvillimin e segmenteve të ndryshëm të tregut të kapitaleve, në të gjithë spektrin e tij (tregu i titujve të qeverisë, aksioneve dhe obligacioneve të shoqërive aksionare).
Në dallim nga qasja e qeverive të mëparshme, përgjatë gjithë periudhës 2002-2015, kjo e qeverisë aktuale ndryshon katërcipërisht në të gjithë aspektet, duke paraqitur hapa dhe afate konkrete, në drejtim të një pjesëmarrje dhe roli aktiv që mund dhe duhet të luajë qeveria shqiptare në tregun e kapitaleve. Me fjalë të tjera, ky dokument paraqet dhe shënjon pikërisht atë vullnet politik dhe angazhim praktik, që i mungoi për kaq vite Bursës së Tiranës, e që e çuan atë drejt mbylljes së pashmangshme dhe dështimit total e të kushtueshëm të saj.
Aspekti më pozitiv i kësaj qasje pro-aktive lidhet kryesisht me mundësinë dhe orientimin për listimin e shoqërive me kapital shtetëror në bursë, duke siguruar kështu jo vetëm “lëndën e parë” për veprimtarinë e saj, por mbi të gjitha duke siguruar një kapitalizim të qenësishëm dhe xhiro tregtimi relativisht të lartë në treg. Sigurisht që ndikimi dhe përfitimet nga një rol dhe qasje e tillë janë të shumta dhe për të gjithë grupet e interesit: që nga (1) Familjet dhe Individët, që mund të diversifikojnë e portofolin dhe rrezikun e investimeve të tyre, me koste të ulët; (2) Shoqëritë tregtare, për alternativa të reja financimi, përtej sektorit bankar, me kosto më të ulët; (3) Ndërmjetësit financiarë, duke gjeneruar tarifa e komisione dhe ofruar ekspertizë dhe konsulencë të specializuar për investuesit; (4) Qeverinë, përmes financimit të shpenzimeve dhe investimeve buxhetore, me anë të emetimit të obligacioneve, (5) Investuesit institucionalë (fonde pensioni, investimesh e shoqëri sigurimesh, përmes përmbushjes së objektivave të tyre afatgjata të investimit dhe menaxhimit të rrezikut.
Nga ana tjetër, një prani e shoqërive shtetërore në bursë krijon atë “histori suksesi” që duhet të ndjekin edhe shoqëri të tjera private, të cilat kuptojnë praktikisht përparësitë që ka një listim i tillë, ndërkohë që dhe vet investuesit, kryesisht ata individualë perceptojnë një siguri dhe besueshmëri më të lartë në të gjithë tregun e kapitaleve dhe vet bursën, duke angazhuar aktivisht kursimet e tyre aty. Kjo e fundit do të rritet edhe më shumë nëse përmbushet dhe objektivi tjetër madhor i shpalosur në dokument, që ka të bëjë me hyrjen e shtetit si aksionar pakice në Bursën Shqiptare të Titujve, ALSE. Ky do të përbënte një rikthim të shtetit, aty ku e mbylli me Bursën e Tiranës, duke vërtetuar kështu se sa e drejtë dhe e domosdoshme ka qenë pjesëmarrja e shtetit në zhvillimin e bursës dhe tregut të kapitaleve, që kur Bursa e Tiranës u shkëput nga Banka e Shqipërisë dhe u themelua si shoqëri e pavarur. Ky rikthim e kjo “rilindje” e vëmendjes ndaj bursës dhe tregut të kapitaleve në Shqipëri shënon një reflektim pozitiv të vlerësueshëm dhe përbën një tjetër aspekt historik në historinë e zhvillimit të tregut të kapitaleve në Shqipëri.
Pavarësisht faktit që ky dokument ka nevojë të përpunohet dhe plotësohet në disa aspekte të caktuara, ai mbetet një gur i rëndësishëm kilometrik në zhvillimin e bursës dhe tregut të kapitaleve në Shqipëri, duke shënuar kështu edhe fillimin e një tjetër revolucioni të dytë në zhvillimin dhe ecurinë e bursës dhe tregut të kapitaleve në Shqipëri. Rruga është e gjatë, komplekse, me shumë të papritura dhe çështje madhore për t’u zgjidhur, sidomos për formatimin dhe përgatitjen e shoqërive shtetërore, sipas parimeve, standardeve dhe praktikave të kërkuara nga ALSE dhe vet kuadri rregullator e ligjor në vend.
Rruga tashmë është e hapur, vullneti politik është i shprehur dhe i sanksionuar; mbetet vetëm zbatimi sa më shpejt në praktikë i një sipërmarrje të tillë kaq sfiduese, por dhe pozitive më mbështetje të tregut kombëtar të kapitaleve në Shqipëri!
Prof.Asoc.Dr. Elvin Meka, dekan pranë Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit në Univeristetin Europian të Tiranës, UET
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.