Nga Gazeta ‘SI’ – Në një takim me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, përfaqësuesja e FMN-së për Ballkanin Stephanie Eble, bëri thirrje për koordinim të politikave të Bankës me autoritetet e tjera në vend.
Përfaqësuesit e FMN-së këshilluan që Banka të vazhdojë monitorimin e situatës financiare në vend duke marrë masat e nevojshme në kohën e duhur.
Nga ana tjetër Guvernatori Sejko kreu një ekspoze të panoramës ekonomike në vend të fokusuar në ecurinë e çmimeve, zhvillimet në sistemin financiar e bankar, si dhe pritshmëritë lidhur me treguesit ekonomikë në të ardhmen.
Ai u shpreh se të dhënat zyrtare tregojnë se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet me ritme të qëndrueshme, me një rritje ekonomike prej 4.8% në vitin 2022 dhe pritet të rritet gjatë viteve në vazhdim. Lidhur me stabilitetin e çmimeve, Guvernatori theksoi se inflacioni në vend parashikohet të kthehet në objektiv gjatë mesit të vitit 2024. Për sa i përket sektorit bankar, Guvernatori u shpreh se ky sektor ka vijuar veprimtarinë në mënyrë të qëndrueshme, me nivele të përshtatshme të treguesve të përfitueshmërisë, me një përmirësim të cilësisë së kredisë dhe me një ekspozim të kontrolluar ndaj rreziqeve të ndryshme.
Në përfundim të takimit, Guvernatori Sejko dhe përfaqësuesit e FMN-së theksuan nevojën dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të shkëlqyer midis dy institucioneve dhe vijimit të ofrimit të asistencës teknike në të ardhmen.
Qëllimi i takimit ishte prezantimi i Përfaqësuesit të ri Rezident Rajonal për Ballkanin Perëndimor të FMN-së, Sebastian Sosa, i cili do të zëvendësojë në këtë detyrë Stephanie Eble, e cila përfundoi mandatin e saj. Sosa është një ekonomist me përvojë, i cili ka punuar në një sërë detyrash në vende dhe rajone të ndryshme, si Maqedonia e Veriut, Serbia, Spanja, Kili, Meksika, Bolivia, Uruguai dhe Libani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



