Drejtësia

Përfaqësuesi i ONM-së përplaset me Ndojën: Një prokuror nuk del xhiro me kriminelë

Gazeta Si - Përfaqësuesi i ONM-së, Theo Jacobs është përplasur me prokurorin Arjan Ndoja gjatë seancës së Vettingut.

Ai ka vënë në dyshim deklaratat e Prokurorit të Durrësit në lidhje me të ardhurat dhe integritetin e tij.

Duke qenë se Ndoja i shpëtoi një atentati në 2019-ën, Jacobs tha se shqiptarët duhet ta dinë me kë shoqërohen funksionarët publikë.

Në seancën që zgjati rreth 4 orë, Jacobs dha edhe argumentet se përse nuk do e kishte dashur një prokuror si Arjan Ndoj.

Shkak për këtë janë deklaratat e tij për pagën si avokat, më tej si prokuror e për të përfunduar me ditën e atentatit, kur Ndoja udhëtonte në makinë me persona të njohur të botës së krimit.

“Meqënëse kam të drejtën të ndaj opinionin tim me ju, kur po përgatitesha për seancën, po mendoja nëse do doja të kisha një prokuror si ju? Po ta them qartë: Jo! Kur ju u rikthyet në 2018-ën, pasi ishit pezulluar për disa vite, kam kontrolluar deklaratën tuaj dhe ju në atë kohë deklaronit se fitonit 250 mijë euro në vit si avokat, - u shpreh Jacobs. - Nuk e di se sa gjyqtarë nga 2005 deri në 2007 fitonin po aq sa ju? Shumë gjyqtarë do të kishin qenë të lumtur nëse do fitonin si ju. Unë pyes, pse ky individ do dojë të jetë prokuror, kur krahasuar me pagën e prokurorit, fitonte 1 të dhjetën që ju fitonit si avokat”.

Jacobs i tha Ndojës se nuk është prokurori i duhur për të kapur kriminelët dhe jo sepse kjo ka lidhje me hetimet e tij.

Edhe pse këta persona nuk janë të dënuar nuk është një justifikim nga subjekti: “Kjo është një përgjigje në një kontekst shqiptar”.

Në përgjigje ndaj përfaqësuesit të ONM, prokurori Ndoj u shpreh se titullin e magjistratit e ka fituar me mund.

Ai pretendoi se e gjithë pasuria e tij është e ligjshme dhe se plotësonte kushtet ligjore për të qenë prokuror.

“Unë nuk u përkas revolucionarëve, por fakti që kam të ardhura të ligjshme është zgjidhja ime që u bëra prokuror”.

Në lidhje me njohuritë juridike, Ndoja shpjegoi se ndjen keqardhje kur përfaqësuesi i ONM-së thotë se “60 përqind e prokurorëve nuk i përmbushin kushtet. S’kam asnjë kompleks inferioriteti të përballem me Theo Jacobs në nivel ekspertize. Kudo konventat janë njëlloj. Mendoj se po të kishim punuar bashkë, do kishe pasur perceptim tjetër dhe ndryshe dhe jo kaq sipërfaqësor”.

Por Jacobs, ka përfunduar i prerë në gjykimin e tij: “Kur futeni në sistemin e drejtësisë, ju mendoni se keni më shumë të drejta se qytetarët. Por e vërteta është ndryshe. Ju duhet të keni më pak. Ju duhet të qëndroni larg njerëzve që kanë konflikte me ligjin. Ju jeni inteligjent dhe i zgjuar, do të duhet të ishit një aset i këtij vendi. Të qenit prokuror e di që është e vështirë, por s’është punë të jeni në xhiro e me kontakte. E vetmja punë dhe ju se keni respektuar. E për këtë s’do të doja kurrë t’ju kisha në skuadër”.

Ndërsa prokurori ka reaguar: “Në asnjë vend të botës nuk gjykohen prokurorët e gjyqtarët për vendimet që marrin. Unë nuk nuk kam kryer asnjë vepër penale, kurse ju më thoni fajtor. Po ku bazoheni për këtë? Sot sistemi i drejtësisë është më keq edhe falë jush, ndërkombëtarëve, - u shpreh prokurori. - S’kam bërë asnjë shkelje profesionale dhe prandaj kërkoj konfirmim në detyrë. Në aspektin e pasurisë, jam i vetmi prokuror që kam dhuruar prona. Kam dhënë para pa interes se s’ma lejon feja. Jam i vetmi që nuk kam fshehur asnjë pronë apo ta vendos në emër të të tjerëve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë