Analize

Perëndimi dhe ‘të tjerët’

Nga Gazeta “Si” Presidenti rus Vladimir Putin bëri katër llogari gabim para se të pushtonte Ukrainën. Ai mbivlerësoi aftësinë e ushtrisë ruse për të luftuar dhe nënvlerësoi atë të ushtrisë ukrainase. Ai gaboi edhe kur mendoi se Perëndimi ishte në lëmsh dhe nuk do të binin dakord në nëj vendim të përbashkët kundër Rusisë, mbi financat, tregtinë dhe energjinë.

Por ai nuk gaboi kur llogariti se “të tjerët”, bota jo-perëndimore nuk do të dënonin Rusinë apo të vendosnin sanksione. Kur Rusia pushtoi Ukrainën, Biden tha se Perëndimi do ta turpërojë Putin në skenën ndërkombëtare, por qartazi Putin nuk u turpërua.

Për dekadën e shkuar, Rusia ka kultivuar lidhjet me Lindjen e Mesme, Azinë, Amerikën Latine dhe Afrikën, rajone nga ku Rusia u tërhoq në rënie të Bashkimit Sovjetik. Kremlini ka qenë pranë Kinës që kur aneksoi Krimenë në 2014-n. Kur Perëndimi vendosi të izolojë Rusinë, Pekini hyri në lojë për të mbështetur Moskën.

Kombet e Bashkuara kanë votuar tri herë që kur lufta ka filluar, dy herë për të dënuar pushtimin rus dhe njëherë për ta pezulluar nga Këshilli i Të Drejtave të Njeriut. Rezolutat kaluan. Por totali i atyre vendeve që votuan kundër apo abstenuan përbën më shumë gjysmën e popullsisë së botës.

Shkurt, bota nuk është e bashkuar në këndvështrimin se agresion rus është i pajusitifikuar. Disa vende po tentojnë të përfitojnë nga kjo situatë. Dëshira e “të tjerëve” për tu afruar me Putin do të vështirësojë marrëdhëniet e jashtme të SHBA-së, edhe pas luftës.

Drejtuesi i “të tjerëve” për të refuzuar dënimin e Rusisë është Kina. Pa miratimin se Kina do ta mbështeste Rusinë në çdo gjë që bënte, Putin nuk do ta pushtonte Ukrainën.

Më 4 shkurt 2022, Putin vizitoi Pekinin dhe nënshkruan marrëdhënien e tyre “pa limite” në kundërshtimin e hegjemonisë perëndimore.

Sipas ambasadorit kinez në SHBA, presidenti i Kinës, Xi Jinping nuk ishte informuar mbi planin e Putin për të pushtuar kur ata u takuan në Pekin.

Çfarëdo që Putini i tha në të vërtetë Xi-t, nëse ishte një shkelje syri apo diçka më e qartë, ndoshta nuk do ta dimë kurrë.

Por gjithsesi, Kina e ka mbështetur Rusinë që nga nisja e luftës. Ajo ka abstenuar në votime, ka nxjerrë lajme se Rusia po denazifikon Ukrainën dhe fajëson SHBA-në e NATO-n për konfliktin.

Por ka dhe disa tërheqje në pozicionin kinez. Ata gjithashtu kanë bërë thirrje për t’i dhënë fund armiqësive dhe kanë përsëritur se besojnë në integritetin territorial dhe sovranitetin e të gjitha shteteve, duke përfshirë Ukrainën. Kina ka qenë partneri kryesor tregtar i Ukrainës dhe Ukraina është pjesë e projektit infrastrukturor Belt and Road, kështu që Pekini nuk mund të mirëpresë shkatërrimin ekonomik që po përjeton vendi.

Xi ka zgjedhur të ketë “shok” autokratin Putin dhe janë kundër një bote të dominuar nga SHBA. Ata janë zotuar për krijimin e një bote post-perëndimore edhe pse të dy kanë këndvështrim të ndryshme, se si mund të jetë ajo.

Megjithatë, disa institucione financiare kineze kanë sanksionuar Rusinë. Ata po I studiojnë sanksionet për t’i patur parasysh nëse pushtojnë vetë Tajvanin.

Mbështetja tjetër e madhe kundër sanksionimit të Rusisë ka qenë nga India, demokracia më e madhe në botë dhe një partner i SHBA-së në Dialogun Katërpalësh të Sigurisë, me Japoninë dhe Australinë. India abstenoi në tre rezolutat e OKB-së dhe ka refuzuar të sanksionojë Rusinë. Kryeministri indian Narendra Modi i quajti raportet për mizoritë kundër civilëve në Bucha, Ukrainë, “shumë shqetësuese” dhe ambasadori i Indisë në Kombet e Bashkuara tha se vendi “i dënon pa mëdyshje këto vrasje dhe mbështet thirrjen për një hetim të pavarur”, megjithatë as Modi dhe as ambasadori i OKB-së nuk e fajësuan Rusinë për to.

Ministri i Jashtëm indian S. Jaishankar ka thënë se Rusia është një “partner shumë i rëndësishëm në një sërë fushash” dhe India vazhdon të blejë armë dhe naftë ruse. Në të vërtetë, India i merr dy të tretat e armëve të saj nga Rusia dhe është klienti kryesor i armëve i Moskës.

Nënsekretarja e Shtetit e SHBA-së, Victoria Nuland, ka pranuar se kjo rrjedh pjesërisht nga ngurrimi i Uashingtonit për të furnizuar Indinë me më shumë armë. Shtetet e Bashkuara tani po mendojnë për një bashkëpunim më të fortë të mbrojtjes me Indinë.

Modi ka disa arsye për të refuzuar të dënojë Rusinë. Faktori kyç është Kina. India e sheh Rusinë si një balancues të rëndësishëm kundër Kinës.

Një ndër politikat e jashtme më të rëndësishme për Rusinë ka qenë edhe Lindja e Mesme, nga ku ajo kishte lidhje që nga Bashkimi Sovjetik.

Rusia është tani e vetmja fuqi e madhe që flet me të gjitha vendet në rajon, duke përfshirë vendet e udhëhequra nga sunitët si Arabia Saudite, vendet e udhëhequra nga shiitët si Irani dhe Siria dhe Izraeli dhe ka lidhje me të gjitha grupet në të gjitha anët e çdo mosmarrëveshje. Ky kultivim i vendeve të Lindjes së Mesme është evidentuar që nga shpërthimi i luftës Rusi-Ukrainë.

Megjithëse shumica e vendeve arabe votuan për të dënuar pushtimin e Rusisë në votimin e parë të OKB-së, Lidhja Arabe prej 22 anëtarësh më pas nuk e bëri këtë. Shumë vende arabe abstenuan në votimin për pezullimin e Rusisë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut. Aleatët e vendosur të SHBA-së, përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjiptin dhe Izraelin nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë. Në të vërtetë, Putini dhe Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman kanë folur dy herë që nga fillimi i luftës.

Pozicioni i Izraelit përcaktohet kryesisht nga mbështetja e Rusisë për regjimin e Bashar al-Assad në Siri, ku forcat ruse dhe iraniane janë të pranishme. Izraeli negocioi një marrëveshje de-konflikti me Rusinë që i mundëson asaj të godasë objektivat iraniane në Siri.

Izraeli ka frikë se antagonizimi i Rusisë mund të rrezikojë aftësinë për të mbrojtur kufirin e saj verior. Ajo ka dërguar ndihma humanitare në Ukrainë, por jo armë. Kryeministri izraelit Naftali Bennett madje veproi si ndërmjetës midis Rusisë dhe Ukrainës, por përpjekjet e tij rezultuan të pasuksesshme.

Për shumë vende të Lindjes së Mesme, qëndrimi i tyre ndaj Rusisë është formuar gjithashtu nga skepticizmi i tyre për Shtetet e Bashkuara si një partner ndonjëherë jo i besueshëm në rajon dhe acarimi i tyre ndaj kritikave të SHBA-së për të dhënat e tyre të të drejtave të njeriut.

I vetmi vend vërtet pro-rus është Siria, lideri i së cilës, Assad, do të ishte larguar prej kohësh po të mos ishte për mbështetjen ushtarake ruse.

Kthimi i Rusisë në Afrikë vitet e fundit dhe mbështetja që grupi mercenar Ëagner u jep liderëve për të luftuar atje, kanë prodhuar një kontinent që kryesisht ka refuzuar të dënojë ose sanksionojë Rusinë. Shumica e vendeve afrikane abstenuan në votimin që dënonte pushtimin e Rusisë dhe shumë votuan kundër pezullimit të Rusisë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut. Afrika e Jugut, një anëtare demokratike e grupit BRICS të ekonomive në zhvillim, nuk e ka kritikuar Rusinë.

Për shumë vende afrikane, Rusia shihet si trashëgimtare e Bashkimit Sovjetik, i cili i mbështeti gjatë betejave të tyre antikoloniale. Bashkimi Sovjetik ishte një mbështetës i madh i Kongresit Kombëtar Afrikan gjatë epokës së aparteidit dhe udhëheqja aktuale e Afrikës së Jugut ndjen mirënjohje ndaj Rusisë. Ashtu si në Lindjen e Mesme, armiqësia ndaj Shteteve të Bashkuara gjithashtu luan një rol në ndikimin e pikëpamjeve afrikane për pushtimin.

Edhe në oborrin e shtëpisë së Shteteve të Bashkuara, Rusia ka tifozët e saj. Kuba, Venezuela dhe Nikaragua kanë mbështetur Moskën, siç pritej, por të tjerët gjithashtu kanë refuzuar të dënojnë pushtimin. Brazili, një anëtar i BRICS, deklaroi një qëndrim “paanshmërie” dhe Presidenti Jair Bolsonaro vizitoi Putinin në Moskë pak para pushtimit dhe u deklarua “në solidaritet me Rusinë”. Brazili mbetet shumë i varur nga importet e plehrave ruse.

Më shqetësues ishte refuzimi i Meksikës për të dënuar pushtimin. Partia Morena e Presidentit Andrés Manuel López Obrador madje nisi një grup të miqësisë Meksikë-Rusi në dhomën e ulët të Kongresit në mars, duke ftuar ambasadorin rus që t’i drejtohej grupit parlamentar. Antiamerikanizmi tradicional i majtë i stilit të viteve 1970 mund të shpjegojë një pjesë të madhe të këtij përqafimi të Rusisë dhe i paraqet Rusisë mundësi të reja për të sjellë përçarje në Perëndim.

Pjesa tjetër mund të përfaqësojë më shumë se gjysmën e popullsisë së botës, por është gjysma më e varfër, e përbërë nga shumë vende më pak të zhvilluara. PBB-ja e kombinuar e Perëndimit, fuqia ekonomike dhe pesha gjeopolitike e tejkalojnë ndikimin e atyre vendeve që kanë refuzuar të dënojnë pushtimin ose të sanksionojnë Rusinë.

Megjithatë, ndarjet aktuale midis Perëndimit dhe pjesës tjetër do të formësojnë çdo rend botëror që do të shfaqet pas përfundimit të luftës. Dy vendet kryesore janë Kina dhe India, të cilat do të sigurojnë që Putini të mos jetë një turp ndërkombëtar pas përfundimit të konfliktit.

Në të vërtetë, Indonezia, mikpritëse e Samitit të ardhshëm të G-20 në nëntor, ka thënë se do të mirëpresë praninë e Putinit. Megjithatë, ajo i ka bërë një ftesë edhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Por në këtë version të shekullit të 21-të të Luftës së Ftohtë, vendet jo-perëndimore do të refuzojnë të marrin anë ashtu siç është dashur gjatë Luftës së Ftohtë. Lëvizjet e paangazhuara të viteve të Luftës së Ftohtë do të rishfaqen në një mishërim të ri. Këtë herë, pjesa tjetër do të ruajë lidhjet e tyre me Rusinë, edhe pse Uashingtoni dhe aleatët e tij e trajtojnë Putinin si një turp.

Ekonomia e Rusisë do të zvogëlohet dhe nëse arrin të krijojë një rrjet të vetin ajo do të çmodernizohet dhe do të bëhet gjithnjë e më e varur nga Kina. Por do të mbetet një vend me të cilin një numër i konsiderueshëm shtetesh do të jenë ende mjaft të kënaqur për të bërë biznes dhe mjaft të kujdesshëm për të mos antagonizuar Moskën.

Burimi: Foreign Policy/ Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë